Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve dhe përfaqësues të tregut imobiliar, në kuadër të punës për reformimin e politikave të strehimit dhe zgjerimin e skemave të strehimit të përballueshëm.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ndryshimi i politikave të strehimit lidhet me nevojën për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregut dhe rritjes së çmimeve, veçanërisht në qytetet kryesore të vendit. Sipas saj, politika e re synon të shtrihet përtej kategorive në nevojë, duke përfshirë edhe shtresa të tjera që hasin vështirësi në përballimin e kostove të strehimit.
“Ky ndryshim vjen qoftë si pasojë e nevojës që tregu ka, qoftë si pasojë e rritjes së çmimeve, kryesisht në qytetet kryesore të vendit, në qendrat e qyteteve kryesore të vendit, por edhe bazuar në gjithë modelet që ne kemi parë në vende të tjera, ku kujdesi i politikave të strehimit është jo vetëm për këto kategori në nevojë, por edhe për shtresa të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për mbështetje”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje se përgjatë një viti MEI ka analizuar programet europiane të strehimit dhe, mbi bazën e modeleve të aplikuara në vende të ndryshme, janë hartuar propozimet për reformën, si në drejtim të produkteve të reja të strehimit, ashtu edhe të arkitekturës institucionale të AZHT-së që do të mbështesë zbatimin e tyre.
Përpara finalizimit të kuadrit ligjor, Ministria ka nisur konsultimin me aktorët e tregut për të vlerësuar ofertën konkrete të banesave që mund të përfshihen në skemat e reja të strehimit të përballueshëm.
“Para se të finalizojmë produktin ligjor që kemi punuar, donim ta diskutonim me ju, me qëllim analizimin e disponibilitetit të produkteve që ne synojmë të ndërtojmë”, u shpreh ministrja.
Në këtë kuadër, një nga produktet e reja parashikon mbështetje për blerjen e apartamenteve përmes kredisë bankare, me trajtim të subvencionuar të normës së interesit. Për apartamentet me vlerë deri në 60 mijë euro, përfituesi do të marrë kredi me 0% interes, ndërsa për apartamentet me vlerë mbi 60 mijë euro, përfituesi do të përballojë interesin deri në 3%, me pjesën e normës mbi këtë nivel të subvencionuar nga shteti.
Lidhur me ofertën për apartamentet deri në 60 mijë euro, ministrja bëri të ditur se, nga konsultimet paraprake me Shoqatën e Ndërtuesve, është konfirmuar ekzistenca e apartamenteve me sipërfaqe të vogla dhe me çmime të përshtatshme në rrethinat e Tiranës.
“Ka pasur dhe debate, me pikëpyetjen: a ka të disponueshme të tilla apartamente në qytetin e Tiranës? Në fakt, ne e prezantuam këtë pas diskutimeve që patëm me Shoqatën e Ndërtuesve, ku në rrethinat e Tiranës kemi marrë garanci që ekzistojnë të tilla apartamente që janë me sipërfaqe të ulëta dhe me një çmim të ulët”, u shpreh ministrja.
Sipas ministres, reforma parashikon mbështetje për blerjen e apartamenteve edhe me vlerë mbi 60 mijë euro. Blerja do të mbulohet 100% përmes kredisë bankare, ndërsa shteti do të subvencionojë pjesën e normës së interesit mbi 3%. Kufiri maksimal i vlerës së apartamentit është ende në diskutim dhe orientimi është rreth 200 mijë euro. Kjo skemë i dedikohet të punësuarve që kanë nisur karrierën e tyre, si dhe çifteve dhe familjeve të reja.
“Ne do të kemi limitin maksimal diku tek 200.000 euro dhe i dedikohet një kategorie tjetër, që janë të punësuar, që kanë filluar karrierën e tyre dhe ne duam t’i mbështesim”, u shpreh Ibrahimaj
Pjesë e politikës së re do të jetë edhe subvencionimi i qirasë për profesionistët dhe familjet e reja. Sipas propozimit, qiraja do të ketë një kufi deri në 500 euro, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere.
“Ne duam që të fillojmë një politikë për subvencionimin e qirasë, e cila nuk do të ketë një kosto më të madhe se 500 euro, ku qeveria do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere gjithashtu për profesionistët apo familjet e reja”, tha ministrja.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se synimi është që këto skema të hapen në muajin nëntor, pas përfundimit të ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe akteve zbatuese.
Read more:Euro zbret në 92, leku forcohet nga turistët dhe emigrantët, eksportuesit humbësit më të mëdhenj
Në vijim të reformës, Ibrahimaj bëri të ditur se nga viti i ardhshëm parashikohet edhe një model i ri ndërtimi me përdorim të përzier, ku 30% e banesave do të jenë për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm për shtresën e mesme dhe 30% për tregun e lirë. Ky model synon të krijojë një përzierje të kategorive të ndryshme të banimit, duke shmangur përqendrimin e një kategorie të vetme sociale në të njëjtat ndërtesa dhe lagje.
Në kuadër të reformës, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ridimensionohet për të marrë një rol më të plotë në zbatimin e politikave të strehimit dhe për integrimin e tyre me planifikimin territorial.




