Protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, ndërsa në ndalesën para Kuvendit janë ndezur flakadanë dhe janë hedhur thirrje kundër Parlamentit.
“Nuk na përfaqësoni” dhe “Parlament i krimit” ishin disa prej sloganeve të brohoritura nga protestuesit, të cilët kundërshtuan përbërjen dhe funksionimin e Kuvendit.
Qytetarët vijuan protestën duke përsëritur mesazhet e tyre kundër qeverisë dhe institucioneve, ndërsa marshimi u shoqërua me pankarta dhe flamuj.
Protesta vijon prej 120 ditësh, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vazhdojnë tubimet dhe marshimet në Tiranë. Mes kërkesave të artikuluara gjatë ditëve të protestës janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndryshime politike dhe institucionale, si dhe përgjegjësia e zyrtarëve për çështjet e ngritura nga protestuesit.
Në protestat e fundit janë përsëritur edhe thirrje si “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Arrestoni Ramën”, “Ndryshim sistemi” dhe “Shqipëria nuk shitet”.




