Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Kronikë
  3. Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live
Kronikë

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, përjashtohen gratë shtatzënë e nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live

• 30 Shtator, 2026 • 32 min lexim
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

105 nenet e ndryshuara apo të shtuara në Kodin e Procedurës Penale shihen si një paketë ekuilibri mes nevojës së shoqërisë për t’u mbrojtur nga krimi dhe të drejtës së individit për t’u mbrojtur nga gabimi ose abuzimi i pushtetit gjyqësor me jetën e tij.

Në draftin që propozon një reformë të thellë, i cili do të jetë në konsultim publik deri më 28 tetor, fokusi kryesor është te ajo që konsiderohet plaga e madhe e sistemit të drejtësisë në vend, masat e arrestit me burg. Në këtë aspekt drafti ndryshon thelbësisht, për herë të parë që nga viti 1995, kriteret dhe procedurat që kanë të bëjnë me privimin e lirisë përpara dënimit.

Mesazhi është i qartë: gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme.

Drafti ndryshon thuajse totalisht nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale që parashikon “arrestin me burg”. Ndaj personave nën akuzë për vepra penale që parashikojnë dënim deri maksimumi 5 vite heqje lirie nuk do të vendoset “arrest me burg”, me disa raste përjashtuese si mosrespektimi i masave të tjera më të lehta. Të gjitha kundravajtjet penale përjashtohen nga “arresti në burg”.

Edhe në rastet kur vetë gjykata mendon se dënimi nuk do t’i kalojë 3 vite apo do të konvertohet në shërbim prove në rastin konkret, i dyshuari nuk mund të lihet në paraburgim.

Nuk do të vendoset në masë arresti me burg asnjë grua shtatzënë apo nëna që kanë fëmijë deri në 6 vjeç. Masa nuk do të vendoset as ndaj babait të një fëmijë 6 vjeç kur nëna ka vdekur, me përjashtim të krimeve të rënda.

Edhe të moshuarit mbi 70 vjeç, të sëmurët apo personat nën varësi të drogës kanë mbrojtje të veçantë.

Sa i përket të gjitha masave shtrënguese, domethënë arrestin në shtëpi, detyrimin për t’u paraqitur, ndalimin jashtë vendit apo garancia pasurore si rregull nuk do të lejohen për të gjitha veprat penale që parashikojnë dënim maksimal deri në 3 vite burg.

Drafti e sanksionon prerë se gjykata duhet të japë vendim të argumentuar për ccdo masë sigurie të marrë, vlerësim të pavarur nga pretendimet e prokurorit.

Nuk do të jetë më 2 muaj afati që detyron prokurorin të raportojë para gjykatës për ecurinë e hetimeve dhe nevojën e vazhdimit të masës së sigurisë, por përgjysmohet në një muaj.

Garancia pasurore, si një prej masave shtrënguese, do të kërkohet në varësi të mundësive ekonomike të të akuzuarit.

Një ndryshim madhor, që tregon një revolucion në aspektin e mendësisë, është sanksionimi në ligj se prokurori i çështjes është i detyruar që të kërkojë të vërtetën dhe jo vetëm provat që dënojnë të dyshuarin. Prokurori do të kërkojë edhe provat që e shfajësojnë atë, dhe do t’ia vendosë në dispozicion. Avokati mbrojtës nga ana tjetër do të ketë të drejtën të hetojë veçmas, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Këto materiale i paraqiten gjyqtarit njëlloj të vlefshme me ato të prokurorisë.

Personi nën hetim apo i pandehuri do të kenë akses të pakushtëzuar te provat, dhe si rregull prokuroria ka detyrimin t’ia vendosë në dispozicion.

Rregulla më të forta, favorizuese për të dyshuarin, përcaktohen edhe për procesin e marrjes në pyetje, në polici apo prokurori. Avokati do të jetë i domosdoshëm dhe deklarimet e marra vetëm si person në dijeni nuk mund të përdoren kundër tij. Të gjitha marrjet në pyetje do të regjistrohen me pamje dhe audio.

Prokurorit apo OPGJ-së nuk i lejohet t’i ushtrojë presion personit që merr në pyetje, ndryshe deklarimet do të cilësohen si të papërdorshme.

Jeta private, korrespondenca sidomos telefonike, do të mbrohet në mënyrë të posaçme. Organet hetuese do të ndalohen të marrin të dhëna jashtë objektit të hetimit, vetëm pas vendimit të gjykatës. Do të jetë gjykata që do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Çdo informacion që merret jashtë këtyre rregullave është i papërdorshëm. Edhe në përgjime do të ndiqet e njëjta logjikë. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit.

Read more:“Nesër më shumë!”/ Mbyllet dita e 120 e protestës, qytetarët: Arrestoni Ramën dhe Ballukun!

Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.

Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale normojnë edhe rregulla të qartë se si regjistrohet çështja penale. Për të shmangur hetimet e zgjatura pafundësisht në kohë, procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme

Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e pritshmërisë së arsyeshme për dënim. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.

Prezumimi i pafajësisë merr peshë më të madhe. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin hetimor, duke nxjerrë të dhëna, do të mbajë përgjegjësi. Në lidhje me prezumimin e pafajsisë organet hetimore detyrohen që të kenë kujdes të veccantë me gjuhën që përdorin në dokumentet zyrtare.

Ndryshime të tjera mes 105 neneve kanë të bëjnë me mbrojtjen e viktimës. Pwr dhunën në familje parashikohet largim i dhunuesit menjëherë nga familja, të cilës nëse ka vështirësi financiare gjykata mund t’i caktojë një pagesë.

Një ndryshim i rëndësishëm është ai i publicitetit të seancave gjyqësore. Me kërkesën e të pandehurit dhe të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.

Kliko ketu per te lexuar projektligji i plotë, ndryshimet në procedurën e kodit penal

Kliko këtu për të lexuar relacionin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 17:17

DRAFTI I KPP/ Ndryshimet vlejnë edhe për të arrestuarit më herët, kërkesë për rishikim mase! Prioritet ato me “arrest në burg”

1790772570_burg.webp

Një nen i fundit, si dispozitë kalimtare, siguron që nga kriteret favorizuese për masat e arrestet të kenë fuqi prapavepruese.

Ligji thotë se “Personat që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndodhen nën masa sigurie që nuk përputhen me kriteret dhe kushtet e përcaktuara nga ky ligj, kanë të drejtë qё, të paraqesin kërkesë për revokim ose zëvendësim pranë gjykatës që ka vendosur masën. Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjykata që ka vendosur masën duhet të verifikojë kryesisht përputhshmërinë e të gjitha masave të sigurimit në fuqi me kriteret dhe kushtet e përcaktuara nga ky ligj”.

Drafti thotë se prioritet në shqyrtim u jepet kërkesave dhe verifikimeve kryesisht që lidhen me masën e arrestit në burg.

“Këto duhet të shqyrtohen brenda tre ditëve nga paraqitja ose nisja e tyre. Prioriteti dhe afati tre-ditor zbatohen për të gjitha rastet kur baza ligjore për arrestin në burg nuk lejohet më sipas këtij ligji”.

Ora 16:26

DRAFTI I KPP/ Prokurori nuk lejohet të dalë jashtë objektit që po heton! Rregulla të forta si merren provat nga OPGJ

1790778475_vrasjeskenekrimicompressor11.jpg

Dy nene të shtuara në Kodin e Procedurës Penale me draftin e ri janë ato që rregullojnë veprimtarinë gjatë hetimeve të prokurorit dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore.

Neni 25 sanksionon se prokurorit nuk i lejohet kryerja e veprimeve hetimore jashtë objektit të kallëzimit të regjistruar për veprën penale. Në rastet kur konstatohen elemente te nje vepre penale tjeter, prokurori duhet të ndjekë procedura strikte, duke regjistruar kryesisht një tjetër njoftim të veprës penale të re në regjistrin përkatës të këtyre njoftimeve.

Sa i përket Oficerit të Policisë Gjyqësore pas nenit 33 shtohet neni 33/4 që thotë se ata mbajnë përgjegjësi disiplinore për kryerjen me faj të kontrolleve dhe sekuestrimeve të paligjshme, duke përdorur këqyrjen për të marrë provat që merren përmes kontrollit, ose përmes cdo mjeti tjetër prove, ose kërkimi prove që kërkon autorizim gjyqësor, apo duke abuzuar me kuptimin e flagrancës, ndjekjes apo urgjencës, si dhe për shkeljen e garancive të marrjes ne pyetje të parashikuara në këtë Kod.

Read more:SPAK lëshon urdhërarrest për Endrit Doklen, i shpëton operacionit! Prangoset një tjetër në Shkodër, trafikonin drogë me grupin e Rrajave! VIDEO e operacionit

Në nenin 36 që më herët thoshte se deklarimet e personit të pandehur nuk merren si dëshmi, shtohet edhe personi nën hetim. Pra asnjë prej deklarimeve në fazë hetimore nuk konsiderohen dëshmi.

Ora 16:02

DRAFTI I KPP/ Nxjerrja e detajeve nga hetimet, zgjerim ndalim të publikimet! Kush i nxjerr dëmshpërblen të dëmtuarin! Edhe ndjekje penale

1790776987_1780330464800.png

Ndalimi i publikimit të pjesëve nga hetimi, që dëmtojnë personat nën hetim apo të pandehur dhe kategori të tjera në draftin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale rregullohet me një zgjerim të plotë të neneve 103 dhe 104 të ligjit aktual.

Ndalohet shpërndarja, apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të procedimit penal që janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre, nga organet proceduese, i pandehuri dhe mbrojtësi, viktima ose trashëgimtarët e tij, si dhe nga ekspertët ose persona të tjerë që kanë marrë dijeni mbi aktet për shkak të cilësive të tyre zyrtare.

Drafti parashikon ndalim edhe i akteve hetimore paraprake që nuk janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, ndërkohë që parashikohen mekanizma ankues për viktimën dhe penalizues për shkelësit.

Në nenin 104 thuhet se çdo person që, si pasojë e shkeljes së mësipërme, i shkakton dëm një personi tjetër, mban përgjegjësi civile për shpërblimin e dëmit të shkaktuar, ndërkohë që mund të ndiqet edhe penalisht.

Ora 15:41

DRAFTI I KPP/ Garancia e prezumimit të pafajësisë ngrihet në një nivel tjetër, çfarë thotë neni në draftin e ri

1790770252_drejtesia.jpg

Një nivel i ri i konceptit për prezumimin e pafajsisë propozohet me draftin e ri të Kodit të Procedurës Penale, të hedhur tashmë për konsultim publik. Një nen 104/a shtohet totalisht i ri në Kod, që parashikon se personi nën hetim ose i pandehuri nuk mund të paraqiten si fajtorë derisa fajësia të jetë vërtetuar me vendim gjyqësor dënimi të formës së prerë.

“Kjo dispozitë nuk zbatohet për aktet e prokurorit që synojnë të provojnë fajësinë e personit nën hetim ose të të pandehurit”, thuhet në nen.

Neni përcakton se në aktet e ndryshme prokurori kufizon referimet ndaj fajësisë së personit nën hetim ose të të pandehurit vetëm në ato që janë të domosdoshme.

“Ndalohet paraqitja si fajtor e personit në hetim apo të pandehurit në përmbajtjen e vendimit të pushimit të çështjes ose akuzës, kur shkaku i pushimit është parashkrimi”, thuhet në draft.

Në rast shkeljeje i dëmtuari kërkon korrigjim.

Ora 15:33

Ndryshimet në KPP/ SPAK s’do t’i hetojë prokurorët e posaçëm dhe gjyqtarët e GJKKO për çdo krim! I kalojnë gjykatave të tjera

1790062589_1781272392spak.jpg

Prokurorët e SPAK nuk do të mund të hetojnë më kolegët e tyre apo gjyqtarët e GJKKO për çdo vepër penale, nëse drafti i ri i ndryshimeve në Kodin e Procedurave Penale do të miratohet.

Në fund të nenit 75/a të Kodit aktual që përcakton të gjitha kompetencat e GJKKO, rrjedhimisht edhe të SPAK, shtohet një paragraf i ri që sanksionon se në Gjykatën e Posaçme mund të gjykohen prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO vetëm për veprat penale që kanë të bëjnë me terrorizmin apo bandat e armatosura, korrupsionin në çdo fushë, përfitimin e paligjshëm apo mosdeklarimin e pasurisë, si dhe çdo vepër që lidhet me krimin e organizuar.

“GJKKO nuk është kompetente për të gjykuar akuzat ndaj gjyqtarit të GJKKO ose prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, kur ato lidhen me veprat e ndryshme nga ato të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të këtij neni. Këto raste janë në kompetencë të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, dhe gjejnë zbatim rregullat e këtij Kodi mbi kompetencën tokësore”, thuhet në paragrafin që propozohet të shtohet në Kodin e Procedurës Penale.

Në të gjitha rastet e tjera gjyqtarët e GJKKO dhe prokurorët e SPAK do të hetohen nga prokuroritë e zakonshme dhe do të gjykohen në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.

Ora 15:19

DRAFTI I KPP/ Paraburgimi dhe arresti në shtëpi shuhen nëse dosja nuk çohet për gjykim, brenda 3 muajsh për dënimet deri në 6 vite! Shkurtohen të gjitha afatet e paraburgimit për vepra të lehta

Të gjitha afatet se kur paraburgimi shuhet në varësi se kur çështja dorëzohet për gjykim apo vendimmarrjet e shkallëve të gjykatave, janë shkurtuar. Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penal neni i ri 263 i Kodit, përvecc përjashtimit nga paraburgimi i kundravajtjeve penale, sanksionon se paraburgimi shuhet brenda 3 muajsh për vepra që shkojnë maksimumi 6 vite dënim nëse prokurori nuk e ka çuar ccështjen në gjykatë. Afatet e dënimeve të tjera, për ato 6-10 vite dhe mbi 10 vite mbeten të njëjta, respektivisht 6 muaj dhe 1 vit.

Read more:Apeli francez lë në qeli Ermal Beqirin! Biznesmeni: Nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, mund të ikja edhe në Dubai! Shqipëria ka kërkuar ekstradimin

Neni i bën më të shkrutra gjithashtu edhe zgjatjen e paraburgimit deri në vendimin e shkallës së parë apo gjykatën e apelit.

Kohëzgjatja maksimale e paraburgimit ose e arrestit në shtëpi, sipas Kodit të ri shkon në 1 vit e 4 muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më shumë se gjashtë vjet burgim. Më parë ka qenë 2 vite. Për ata që akuzohen për vepra që parashikohet dënim nga 6 deri në 10 afati mbetet i njëjtë, 2 vite paraburgim. I pandryeshuar mbetet edhe për ata që dënohen nga 10 vite deri në burgim të përjetshëm, që mbetet 3 vite afati maksimal i paraburgimit.

Ora 15:07

PUBLIKOHET DRAFTI/ Ja 105 nenet e reja në Kodin e Procedurës Penale, çfarë ndryshon (DOKUMENTI)

Është publikuar drafti me 105 ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, i cili sjell rregulla të reja nga masat e sigurisë dhe paraburgimi, te hetimet, provat dhe të drejtat e mbrojtjes. Drafti kufizon arrestin në burg dhe detyron prokurorin të argumentojë çdo muaj vijimin e masës.

Avokatët mund të kryejnë hetimet e tyre, ndërsa prokurori duhet të hetojë edhe provat shfajësuese për të dyshuarit. Kontrolli i përmbajtjes së celularëve do të kërkojë autorizim të gjykatës, ndërsa marrjet në pyetje do të regjistrohen me zë dhe figurë.

kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote

Ora 14:11

Kodi i Procedurës Penale/ Mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe krimeve seksuale, i pandehuri mund të largohet nga banesa

1790770485_dhunenefamilje.jpg

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale parashikojnë masa të reja për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe krimeve seksuale. Gjykata mund të vendosë largimin e të pandehurit nga banesa, ndalimin e kontaktit me viktimën në një distancë jo më pak se 1 mijë metra, si dhe mbikëqyrjen elektronike.

Nëse largimi i të pandehurit e lë familjen pa mjete jetese, gjykata mund të caktojë një pagesë periodike.

“Paketa forcon njëkohësisht mbrojtjen e viktimës. Për dhunën në familje dhe krimet seksuale krijohen masa të reja, si largimi i të pandehurit nga banesa dhe ndalimi i afrimit ose kontaktit, me distancë jo më pak se 1.000 metra dhe me mundësi mbikëqyrjeje elektronike.

Kur largimi e lë familjen pa mjete jetese, gjykata mund të caktojë një pagesë periodike në favor të saj. Mbrohet identiteti i viktimës dhe forcohen mjetet e saj për të marrë pjesë në proces”, tha Rama.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale forcojnë të drejtën e palëve për t’u dëgjuar. Kur në dhomë këshillimi merren vendime që prekin lirinë apo të drejtat e një personi, palët duhet të njoftohen, të kenë mundësi të paraqesin argumentet e tyre dhe të dëgjohen nga gjykata.

“Forcohet edhe e drejta për t’u dëgjuar. Vendimet në dhomë këshillimi, të cilat prekin lirinë dhe të drejtat, nuk mund të merren më përmes një procedure të padukshme. Palët duhet të njoftohen, të paraqesin argumentet e tyre dhe të dëgjohen”, tha Rama.

Ora 14:06

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Nxjerrja e sekretit hetimor, përgjegjësi për prokurorët, oficerët dhe avokatët

1790770252_drejtesia.jpg

Me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale prezumimi i pafajësisë merr peshë më të madhe. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin hetimor, duke nxjerrë të dhëna, do të mbajë përgjegjësi. Në lidhje me prezumimin e pafajësisë organet hetimore detyrohen që të kenë kujdes të veçante me gjuhën që përdorin në dokumentet zyrtare.

“Ndryshimi i gjashtë ka një rëndësi të veçantë, sepse e nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit dhe e bën standard sjelljeje për institucionet. Prangosja nuk është shpallje fajësie. Rrjedhja e sekretit nuk është transparencë. Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Do të ndalohet publikimi i përmbajtjes së përgjimeve jashtë pjesës që citohet në arsyetimin e një vendimi, i të dhënave identifikuese të viktimave pa pëlqimin e tyre, i pamjeve të personave nën masa shtrëngimi fizik dhe i vendimeve për masat e sigurimit përtej kufijve të përcaktuar nga ligji.

Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin dhe e shkel atë, do të duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo normë nuk synon në asnjë mënyrë të krijojë një polici mendimi ndaj medias. Përgjegjësia nuk bie asnjëherë mbi median, por bie mbi atë që ka detyrimin ligjor ta ruajë sekretin dhe që e nxjerr atë nga dosja.

Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë. Askush nuk mund të paraqitet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë. Kur kjo shkelet, personi fiton një mjet të shpejtë për korrigjimin e aktit”, tha Rama.

Read more:Tiranë/ 36-vjeçari i dha fund jetës, arrestohet babai i ish-bashkëjetueses! Kishin debatuar 2 ditë para ngjarjes, dyshohet se i bënte presion

Ora 13:53

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Jo kontroll të celularëve pa autorizim të gjykatës! Të dhënat jashtë objektit të hetimit, të papërdorshme si prova

1790769246_pergjime.jpg

Jeta private dhe korrespondenca, veçanërisht ajo telefonike, do të kenë mbrojtje të posaçme me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Organet hetuese nuk do të mund të kontrollojnë përmbajtjen e celularëve pa autorizim të gjykatës, e cila do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Çdo informacion i marrë jashtë kufijve të autorizimit do të jetë i papërdorshëm.

E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për përgjimet, ku do të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato në favor të personit. Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike do të rregullohen me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësimin e detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.

“Ndryshimi i katërt vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën e telefonit inteligjent. Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është arkivi i jetës së një njeriu, i komunikimeve, fotografive, lëvizjeve, financave dhe marrëdhënieve të tij. Prandaj sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban. Policia dhe Prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Në rastet e urgjencës, të përcaktuara edhe këto ngushtësisht nga ligji, veprimi duhet të vleftësohet nga gjykata brenda 48 orëve. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme, ndërsa çdo material i nxjerrë që s’ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta logjikë zbatohet për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material të përdorshëm si instrument presioni apo si produkt konsumi mediatik. Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë”, tha Rama.

Ora 13:18

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Gjykata duhet të shqyrtojë masat më të buta para arrestit në burg! Prokurori duhet të argumentojë çdo muaj për vijimin e masës

Me draftin e Kodit të ri të Procedurës Penale, paraburgimi do të jetë alternativa e fundit. Drafti, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama, përcakton qartë se Gjykata para se të caktojë një masë arrest me burg do të duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta të sigurisë dhe arrestin në shtëpi.

Arresti në burg do të vendoset vetëm kur alternativat e tjera janë të pamjaftueshme. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur sipas gjendjes reale financiare të personit.

Ndryshon edhe afati brenda të cilit prokurori duhet të raportojë për vazhdimin e masës së sigurisë. Nga raportimi çdo muaj, me ndryshimet e reja raportimi do të bëhet një herë në dy muaj, ku prokurori duhet t’i argumentojë gjykatës nëse vazhdojnë të ekzistojnë arsyet për mbajtjen në fuqi të masës arrest në burg.

“Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur natyrisht sipas gjendjes reale financiare të personit, me përjashtimet e domosdoshme për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet specifike që janë kompetencë e Gjykatës së Posaçme. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato. Liria nuk mund të kufizohet një herë dhe pastaj të harrohet sikur nuk ekziston më”, tha Rama.

Ora 11:47

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Procedimi regjistrohet sapo prokurori merr dijeni për veprën, i hetuari njoftohet! Rama: S’ka më hetime në sirtar

Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale përcaktojnë rregulla më të qarta për nisjen dhe kohëzgjatjen e hetimit. Për të shmangur hetimet e zgjatura në kohë, procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën penale dhe jo kur ai e çmon të përshtatshme. Personi do të ketë të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër penale, ajo duhet të regjistrohet më vete. Gjatw prezantimeve tw ndrushimeve, kryeministri Rama tha se hetimet e fshehura s’kanë vend në shtetin e së drejtës.

Ndryshon edhe kriteri për dërgimin e një çështjeje në gjyq. Standardi aktual i “provave të mjaftueshme” parashikohet të zëvendësohet me “pritshmërinë e arsyeshme për dënim”. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të argumentojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.

“Ndryshimi i pestë i jep hetimit një fillim të verifikueshëm, një objekt të qartë dhe një fund. Procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër, ajo duhet të regjistrohet si e tillë, si vepër tjetër. Hetimet e fshehura në kohë, të mbajtura në sirtarë për vite dhe të përdorura si një hije mbi kokën e dikujt, nuk mund të jenë kurrsesi një rutinë në një shtet të së drejtës.

Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e pritshmërisë së arsyeshme për dënim. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim. Procesi penal nuk mund të përdoret si dënim më vete, duke i marrë dikujt erzin dhe vite jete nëpër gjykata, kur prova nuk përbën dot asnjë vendim fajësie”, tha Rama.

Ora 11:46

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama: Nuk cenohet reforma në drejtësi! Forcon kontrollin e gjykatës, të drejtat vlejnë për të gjithë (VIDEO)

Paketa e re ligjore për Kodin e Procedurës Penale nuk cenon progresin e reformës në drejtësi, tha kryeministri Rama. Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit e çdo vepre tjetër penale duhet të vijojë, por duke respektuar të drejtat dhe forcuar kontrollin e gjykatës.

“Kjo nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi. Nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të hetuar. Ajo ndryshon mënyrën si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon kontrollin e gjykatës. Për korrupsionin, krimin e organizuar, ruhen regjime të posaçme. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk duhet të zbutet. Rishikimi brenda 60 ditëve i masave të sigurisë që janë në fuqi është kontroll individual nga gjykata. Të drejtat s’kanë parti, profesion ose popullaritet. Ato vlejnë për të gjithë ose s’janë më të drejta. Sa më e pavarur drejtësia, aq më e lartë cilësia dhe respektimi i kufijve që i vendos ligji”, tha Rama.

Ora 11:46

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Çdokush që thirret si ‘person në dijeni’ ka të drejtën e avokatit! Marrja në pyetje, do regjistrohet me zë dhe me figurë

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale parashikojnë garanci të reja për personat që thirren për t’u marrë në pyetje. Edhe kur thirret si person në dijeni, atij do t’i bëhet e ditur me shkrim, në fletën e thirrjes, e drejta për t’u paraqitur me avokat.

Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe figurë. Po ashtu, parashikohet se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, trajtim çnjerëzor apo degradues do të jenë absolutisht të papërdorshme si prova.

Read more:Rrjeti i Agasit/ Mes tenderëve të AKSHI-t, pengmarrjes së Meçes dhe sekreteve të SHISH

“Ndryshimi i tretë i rëndësishëm mbyll një zonë gri të marrjes në pyetje. Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet në fakt si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret në Prokurori ose edhe në Polici, edhe si person në dijeni, do të ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra nën një status tjetër nuk mund të përdoren më tej kundër tij. Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe me figurë. Hiqet nga Kodi justifikimi “kur është e mundur”.

Nëse shteti merr në pyetje një njeri, shteti duhet të jetë në gjendje të tregojë në çdo kohë saktësisht si e ka marrë deklarimin e tij dhe sa e ka respektuar dinjitetin e tij si qytetar gjatë marrjes në pyetje. Dhe për herë të parë shkruhet, pa asnjë ekuivok, se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo me sjellje degraduese ndaj personit, janë absolutisht të papërdorshme. Një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta prodhojë atë me dhunë apo me presion verbal mbi njeriun”, tha Rama gjatë prezantimit të ndryshimeve.

Ora 11:43

Kodi i Procedurës Penale, seancat gjyqësore mund të transmetohen live! Rama: Lejohen me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës (VIDEO)

Drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale parashikon edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore. Me kërkesën e të pandehurit dhe të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.

“Me kërkesën e të pandehurit dhe viktimës dhe autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe viktimave”, tha Rama.

Ora 11:38

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Prokurori të gjejë edhe prova që shfajësojnë të dyshuarin! Edhe avokatët mund të bëjnë hetime, provat e vlefshme njësoj si të akuzës

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale forcojnë rolin e avokatit gjatë hetimit, i cili sipas kryeministrit Edi Rama nuk do të jetë më dekor në sallën e gjyqit. Me ndryshimet e reja, mbrojtësi do të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të bëjë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura prej tij do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen me të njëjtat kritere ligjshmërie dhe rëndësie si ato të prokurorisë.

Të gjithë personat nën hetim, do të kenë akses të plotë në prova që rëndojnë ndaj tij, si edhe do të marrin pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq.

Nga ana tjetër, prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat dhe provat që e shfajësojnë ose favorizojnë personin nën hetim, dhe jo vetëm ato në mbështetje të akuzës.

“Ndryshimi i dytë i madh vendos barazinë reale ndërmjet mbrojtjes dhe akuzës. Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq. Pa këtë akses, e drejta e mbrojtjes mbetet një premtim në letër. Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose e favorizojnë personin. Sepse prokurori i një shteti demokratik nuk ka për mision të gjejë patjetër një fajtor. Ka për mision të zbulojë patjetër të vërtetën”, tha Rama.

Ora 11:33

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Jo ‘arrest në burg’ për veprat me dënim nën 5 vite, asnjë masë shtrënguese deri në 3 vite burg! Përjashtohen gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kufizojnë përdorimin e arrestit në burg. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet arrest me burg për të gjitha veprat penale. Gjatë prezantimin të draftit nga kryeministri Edi Rama, i bë me dije se me Kodin e ri të Procedurës Penale masat shtrënguese (si arresti në shtëpi, detyrim paraqitje, garancia pasurore apo ndalimi për të dalë jashtë shtetit) nuk do të vendosen për dënime deri në 3 vite, për të gjitha veprat penale. Po ashtu, kur gjyqtari mendon se dënimi do jetë më i vogël se 3 vite burg, personat e dyshuar nuk do të lihen në paraburgim.

Mbrojtje e posaçme parashikohet edhe për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve. Nuk do të caktohet arrest në burg për gratë shtatzënë nënat me fëmijë nën 6 vjeç, për baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve, si dhe për kujdestarin e një fëmije të cilit i kanë vdekur prindërit.

“Për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për vepra me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës, e marrë më vete, nuk do të mjaftojë më. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit dhe nuk arsyeton pse masat më të buta nuk mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit.

Po ashtu, paketa forcon edhe mbrojtjen e njerëzve në gjendje të cenueshme. Nëna me fëmijë deri në gjashtë vjeç, babai ose kujdestari kur nëna nuk jeton ose nuk është në gjendje të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programet terapeutike nuk mund të trajtohen më sikur rrethanat e tyre njerëzore të mos ekzistojnë”, tha Rama gjatë prezantimit të draftit.

Ora 11:29

Drafti i Kodit të Procedurës Penale, Gogu: Garancia pasurore, sipas gjendjes financiare! Dhuna në familje, mbrojtje e shtuar për viktimat (VIDEO)

Garancia pasurore do të jetë një nga aspektet që do të ndryshojnë me paketën e re të Kodit të Procedurës Penale. Tanimë, ajo do të përcaktohet në bazë të gjendjes financiare të personit, shpjegoi ministri Toni Gogu.

Një hapësirë rezervohet për viktimat e dhunës ku dhunuesi, me vendim gjykate, do të largohet menjëherë nga banesa.

“Kjo reformë nuk e harron as viktimën. Në rastet e dhunës në familje, gjykatës do t’i jepet e drejta ta largojë menjëherë nga banesa personin e dyshuar për dhunë, të ndalojë afrimin me viktimën dhe ta mbajë nën mbikëqyrje. Garancia pasurore do të caktohet sipas gjendjes financiare të personit dhe kur ka rrezik për provat, liria nuk do të blihet me para”, tha Gogu.

Lexo edhe
Kronikë

FOTO/ Trafik i çmendur në aksin Durrës-Tiranë, radhë kilometrike mjetesh në hyrje të kryeqytetit…dhe një polic që bllokon fluksin nga autostrada!

Kronikë

Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen

Tags: #Alternativa #arrest me burg #Babai #Banesa #Burg #Detyrim #Edi Rama #kodi i procedures penale #paraburgim #toni gogu

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • FOTO/ Trafik i çmendur në aksin Durrës-Tiranë, radhë kilometrike mjetesh në hyrje të kryeqytetit…dhe një polic që bllokon fluksin nga autostrada!
  • Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen
  • Vlorë/ Abuzoi seksualisht me një grua dhe i vodhi asaj një shumë parash, shpallet në kërkim 43-vjeçari (EMRI)
  • I dërgonte mesazhe seksuale nxënëses, arrestohet mësuesi 60-vjeçar në Lushnje
  • Shoferët në Fier nuk e heqin këmbën nga gazi, 989 gjoba për shpejtësi brenda një jave! 2 të arrestuar, kontrolle edhe për transportin e nxënësve
Nga të njëjtat tag-e
  • “Nga skandali i SHISH te Balluku e Karçanaj, kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi”, Ermal Peçi: Me bekimin e Ramës, Agasi kishte shtetin në dorë, flitet për video…
  • Rama propozon krijimin e Këshillit Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe: Fuqizim i sistemit të mësuesve ndihmës dhe mbështetje ekstra financiare (VIDEO)
  • “Nuk shkohet në BE me deklarata, por me reforma reale”, Gjekmarkaj: Narkoshteti, pengesa më e madhe për europianizimin e Shqipërisë
  • Rama takim me drejtuesit politikë në qarqe te “Vila e Kuqe”, në fokus “Prania besnike” dhe takimet me qytetarët
  • Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Sociale Rama propozon krijimin e Këshillit Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe: Fuqizim i sistemit të mësuesve ndihmës dhe mbështetje ekstra financiare (VIDEO) 8 lexime · 1 ditë më parë
  2. 02
    Teknologji Apple gjobitet me 5.7 miliardë dollarë, përdori pa leje teknologjinë e një kompanie tjetër 3 lexime · 24 orë më parë
  3. 03
    Kronikë FOTO/ Trafik i çmendur në aksin Durrës-Tiranë, radhë kilometrike mjetesh në hyrje të kryeqytetit…dhe një polic që bllokon fluksin nga autostrada! 2 lexime · 1 ditë më parë
  4. 04
    Politikë “Nga skandali i SHISH te Balluku e Karçanaj, kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi”, Ermal Peçi: Me bekimin e Ramës, Agasi kishte shtetin në dorë, flitet për video… 2 lexime · 24 orë më parë
  5. 05
    Teknologji YouTube refuzon marrëveshjen e Metës për sigurinë e fëmijëve: Kemi mekanizmat tanë 1 lexime · 2 ditë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Kronikë

FOTO/ Trafik i çmendur në aksin Durrës-Tiranë, radhë kilometrike mjetesh në hyrje të kryeqytetit…dhe një polic që bllokon fluksin nga autostrada!

Trafik i rënduar është krijuar në autostradën Durrës-Tiranë, me radhë të gjata automjetesh në drejtim të kryeqytetit. Fluksi…

• 1 ditë më parë • 1 min lexim
Kronikë

Zjarr në Topojë të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era! Rrezikohet një banesë, banorët i bashkohen aksionit për shuarjen

Njē sipērfaqe me kashtë misri ështē pērfshirë nga flakët në fshatin Topojë të bashkisë Fier. Flakët të favorizuara…

• 2 ditë më parë • 1 min lexim
Kronikë

Vlorë/ Abuzoi seksualisht me një grua dhe i vodhi asaj një shumë parash, shpallet në kërkim 43-vjeçari (EMRI)

Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim një 43-vjeçar, Fatos Ymeri, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me…

• 2 ditë më parë • 1 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
    • Kronikë
    • Politikë
    • Sociale
  • Editoriale
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by
    ►
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    ►
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    ►
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    ►
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    ►
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by