
Action for Mothers and Children (AMC)organizoi sot tryezë diskutimi me akterët relevantë të shëndetësisë publike në Kosovë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe bashkëpunimet e deritanishme në fushën e kujdesit dhe transportit neonatal, duke njohur dhe shënuar progresin e arritur, si dhe sfidat ekzistuese.
Me rastin e 20-vjetorit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Dartmouth College në fushën e kujdesit neonatal, tryeza synoi të kontribuojë në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për vazhdimin e zhvillimit dhe strukturimit të kujdesit dhe transportit neonatal në të ardhmen, me fokus në efikasitetin, cilësinë e kujdesit dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve brenda sistemit publik shëndetësor.
“Sigurimi i qasjes së barabartë, kujdesit të duhur dhe në kohë për të gjitha foshnjat është prioritet i një sistemi të fortë shëndetësor,” tha Drejtorja Ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija. “Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që çdo fëmijë të filloj jetën me ofrimin e kujdesit më cilësor të mundshëm dhe mbetemi të përkushtuar të punojmë me partnerët për ta bërë këtë realitet në gjithë Kosovën.”
Tryeza ishte një mundësi për të rishikuar progresin e deritanishëm, për të identifikuar mangësitë aktuale të sistemit dhe për t’u dakorduar mbi veprimet prioritare të ardhshme e të nevojshme për të siguruar funksionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë e sistemit të referimit neonatal.
Dr. George Little – VideomesazhFoto: Aksioni për Nëna dhe Fëmijë
Si Dr. Mynavere Hoxha ashtu edhe Dr. George Little potencuan dhe kujtuan situaten e pasluftës në të cilën ishin gjendur duke punuar së bashku në rindërtimin e Klinikës së Neonatologjisë dhe theksuan se: “Menjëherë pas luftës, Kosova është ballafaquar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha në kujdesin neonatal. Shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ishte ndër më të lartat në Evropë. Përmes iniciativave si Aleanca Kosovë–Dartmouth dhe, më pas, ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, kemi arritur të përmirësojmë dukshëm sistemin e kujdesit neonatal në Kosovë. Këto përpjekje kanë përfshirë furnizimin me preparate si Survanta, pajisje mjekësore si CPAP, instalimin e sistemeve të oksigjenimit në Klinikë, si dhe sigurimin e inkubatorëve dhe shumë pajisjeve të tjera esenciale për diagnostikim dhe trajtim adekuat, duke shpëtuar mijëra foshnja të lindura para kohe.”
Në fotografi: Dr. Agim Sherifi – Neonatolog, Spitali Rajonal i MitrovicësFoto: Aksioni për Nëna dhe Fëmijë
Read more (Action for mothers and children):Diaspora në Cyrih dëshmon edhe një herë mbështetjen për AMC-në, dhuron fonde për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për familjet në Kosovë
Ndërkaq, drejtori aktual i Klinikës së Neonatologjisë, Dr. Luan Morina, foli për rezultatet e arritura nga këto projekte dhe iniciativa të mëparshme, për nismat e reja si skriningu neonatal, për uljen e normës se mortalitetit të foshnjave, si dhe për projektet e ardhshme që pritet të integrohen si shërbime të reja në kuadër të Klinikës së Neonatologjisë. Për më shumë, edhe raporti i fundit i fundit i UN IGME ka raportuar uljen e shkallës së vdekshmerisë së foshnjave në Kosove.
Nga kjo tryezë dolën një sërë rekomandimesh të zbatueshme, duke përfshirë:
- Forcimin e mekanizmave të koordinimit ndërmjet spitaleve rajonale, njësive të kujdesit intensiv neonatal dhe shërbimeve të transportit emergjent, me qëllim sigurimin e një reagimi të shpejtë dhe efikas për foshnjat me rrezik të lartë.
- Avancimin e trajnimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale për personelin shëndetësor në spitalet rajonale, në bashkëpunim të ngushtë me Klinikën e Neonatologjisë.
- Përditësimin e protokolleve klinike për trajtimin e foshnjave neonatale, në përputhje me standardet më të fundit ndërkombëtare.
- Zhvillimin e hulumtimeve dhe analizave mbi faktorët që kanë ndikuar në uljen e vdekshmërisë neonatale në Kosovë.
- Stimulimin e rritjes së kuadrit profesional në fushën e neonatologjisë dhe hapjen e specializimeve të reja, në përputhje me nevojat reale në terren.
Read more (Edukimi):Prishtina Mall nënshkruan Marrëveshje Mirëkuptimi me Drejtorinë e Arsimit për projektin “Kids on The Moon”
Në fotografi: Dr. Agron Gashi (ISSU) dhe Dr. Mirlinda Shala (Spitali Rajonal i Pejës)Foto: Aksioni për Nëna dhe Fëmijë
Së bashku, këto zotime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kujdesit neonatal në të gjithë sistemin shëndetësor, për t’i dhënë çdo të porsalinduri, pavarësisht rrethanave apo vendndodhjes, qasje në kujdes të barabart, sigurt dhe cilësor.
Foto nga Tryeza e DiskutimitFoto: Aksioni për Nëna dhe Fëmijë
Action for Mothers and Children (AMC) është një organizatë jofitimprurëse që punon për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar shëndetin e foshnjave, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës.
AMC avokon për kujdes shëndetësor më të mirë përmes edukimit, mbledhjes së fondeve dhe hulumtimit. Për më shumë informata, vizitoni www.amchealth.org.





