Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar ashpër kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke i kërkuar të mos ndërhyjë në çështjen iraniane dhe të fokusohet te problemet e brendshme dhe lufta në Ukrainë.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump shkruan se Merz duhet të “kushtojë më shumë kohë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë” dhe të merret me “Gjermaninë në rrënim”, duke përmendur emigracionin dhe energjinë si çështje kritike.
Ai shton se kancelari gjerman duhet të “harxhojë më pak kohë duke ndërhyrë te ata që po eliminojnë kërcënimin bërthamor iranian”, duke e konsideruar këtë një proces që, sipas tij, e bën botën më të sigurt. Ky reagim vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, ndërsa Shtetet e Bashkuara presin një propozim të ri nga Irani për paqe, që mund të mbërrijë brenda 24 orëve.
Vetë Trump ka deklaruar se negociatat po zhvillohen “me telefon”, pasi kontaktet direkte janë ndërprerë. Ndërkohë, ai pritet të marrë sot një raportim mbi planet e reja për veprime të mundshme ushtarake kundër Iranit.
Kjo, sipas mediave, konfirmon se Trumpi po shqyrton seriozisht rifillimin e veprimeve ushtarake për të kapërcyer ngërçin në negociata dhe për të dhënë goditjen përfundimtare para përfundimit të luftës, kostot e së cilës sipas të dhënave të Pentagonit kanë arritur në 25 miliardë dollarë
Sipas mediave amerikane, mes opsioneve që po shqyrtohen janë kontrolli i pjesshëm i Ngushticës së Hormuzit, operacione për sigurimin e uraniumit të pasuruar dhe sulme të shpejta ushtarake. Paralelisht, SHBA po shqyrtojnë edhe vendosjen e sistemit hipersonik “Dark Eagle” në Lindjen e Mesme, një armë që mund të përdoret për herë të parë në kushte reale lufte.
Zhvillimi i saj është vonuar për një kohë të gjatë, me synimin për t’u dhënë forcave amerikane aftësinë për të goditur lëshuesit e raketave balistike thellë brenda territorit iranian.
Nga ana tjetër, Irani ka ashpërsuar retorikën. Udhëheqësi suprem Mojtaba Khamenei deklaroi se vendi do të mbrojë kapacitetet bërthamore dhe raketore si “aset kombëtar”, ndërsa paralajmëroi për një rol më të fortë në kontrollin e Gjirit Persik.
Edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian u shpreh se Teherani është i gatshëm të rikthehet në diplomaci, por vetëm nëse SHBA ndalojnë “veprimet provokuese”.
Read more (Donald Trump):Tentoi të vriste Presidentin Trump gjatë darkës me gazetarët, 31-vjeçari Cole Allen nuk mohon akuzat, lihet në paraburgim
Ndërkohë, kriza në Hormuz po jep efektet e saj në ekonominë globale. Kryediplomatja europiane Kaja Kallas paralajmëroi se nuk ka një zgjidhje të shpejtë dhe se situata po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë dhe stabilitetin ekonomik.
Lajmi është në përditësim…
Presidenti amerikan quan Hormuzin ‘Ngushtica e Trump’, Teherani: Gabim i tmerrshëm!

Postimi i Trump
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të mërkurën shpërndau një imazh në Truth Social ku ‘riemërtonte’ Ngushticën e Hormuzit si “Ngushtica e Trump”.
“Ta quash Hormuzin me një emër tjetër është një gabim i tmerrshëm,” shkroi në X ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi “Presidenti i Shteteve të Bashkuara përdor termin e saktë ‘Gjiri Persik’ dhe jo versionin e gabuar të Pentagonit, por ta quash Hormuzin ndryshe është vërtet një gabim i madh.”
Ghalibaf tallet me SHBA-të: As dy mure nga skaji në skaj s’do ta ndalnin Iranin

Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka ndarë një postim në rrjetin X ku tregon një demonstrim për të ironizuar SHBA-të se kufijtë e Iranit janë më të gjatë edhe se dy mure hipotetikë që do të ndërtoheshin nga një skaj në tjetrin i SHBA-ve.
“Nëse ndërton dy mure, një nga NYC në Bregun Perëndimor dhe një tjetër nga LA në Bregun Lindor, gjatësia totale do të jetë 7.755 km, që është gjithsesi rreth 1.000 km më pak se kufijtë totalë të Iranit. Fat të mbarë duke u përpjekur të bllokoni një vend me ato kufij. P.S. Për Pete Hegseth: 1 km = 0,62 milje”, thotë Ghalibaf.
If you build two walls, one from NYC to the West Coast and another from LA to the East Coast, the total length will be 7,755 km, which is still about 1,000 km short of Iran’s total borders. Good luck blockading a country with those borders?
P.S. For Pete Hegseth: 1 km = 0.62 mi pic.twitter.com/MKU2z2Sw5c
— محمدباقر قالیباف | MB Ghalibaf (@mb_ghalibaf) April 30, 2026
Shtëpia e Bardhë: Synojmë rritjen e prodhimit të naftës në SHBA

Ndërsa Irani mund të detyrohet të ulë prodhimin e naftës, SHBA-të po planifikojnë të bëjnë të kundërtën.
Sipas mediave të huaja, administrata e Presidentit Donald Trump ka thënë se po shqyrton masa për të rritur prodhimin e saj.
Read more (Friedrich Merz):Trump: SHBA-të po shqyrtojnë shkurtimet e trupave në Gjermani (ndërsa përplasjet me Merz intensifikohen)
Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, u tha gazetarëve: “Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me kompanitë e naftës dhe kemi shqyrtuar masat që mund të ndërmarrim këtu në SHBA për të rritur prodhimin e SHBA-së shumë shpejt.”
“Ka gjëra, rregullore që po qëndrojnë, si p.sh. sa shpejt mund të miratohen gjërat… dhe ne po i studiojmë ato, si mund t’i ndryshojmë ato dhe kemi folur me kompanitë e naftës për këtë”, shtoi më tej Hassett.
Starmer akuza Iranit: Dëshiron dëmtimin e hebrenjve britanikë

Kryeministri britanik Keir Starmer akuzoi Iranin se dëshiron të “dëmtojë hebrenjtë britanikë” pas sulmit ndaj dy hebrenjve britanikë në një periferi të Londrës veriore.
“Ne kemi nevojë për fuqi më të forta për të adresuar kërcënimin keqdashës që paraqesin shtete si Irani, sepse e dimë me siguri se ata duan të dëmtojnë hebrenjtë britanikë”, tha ai në një deklaratë të lëshuar nga Downing Street, duke iu referuar projektligjit për të përcaktuar Gardën Revolucionare si një organizatë terroriste.
Ministri izraelit i Mbrojtjes: Së shpejti mund të na duhet të ndërhyjmë përsëri në Iran

Izraeli mbështet përpjekjet diplomatike amerikane, por së shpejti mund të duhet të ndërhyjë përsëri ushtarakisht kundër Iranit, deklaroi Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë një ceremonie ushtarake.
“Ne e mbështesim iniciativën dhe ofrojmë mbështetjen e nevojshme, por mund të ndodhë që së shpejti do të na duhet të ndërhyjmë përsëri për të siguruar që objektivat të arrihen”, theksoi ministri gjatë ceremonisë së promovimit të Omer Tischler, kreut të ri të Forcave Ajrore Izraelite, i cili do të zëvendësojë Tomer Bar, i cili do të marrë detyrën më 5 maj.
“Irani ka pësuar goditje jashtëzakonisht të rënda gjatë vitit të kaluar, goditje që e kanë kthyer atë vite prapa në të gjitha fushat”, tha Katz, duke festuar “angazhimin e Presidentit Trump”, “në koordinim me Netanyahun”, për të “siguruar që Irani të mos përbëjë përsëri një kërcënim ekzistencial për Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe botën e lirë për brezat që do të vijnë”.
Pjesë e protestave të janarit, ekzekutohet atleti 21-vjeçar në Iran

Një atlet 21-vjeçar i karatesë, i arrestuar gjatë protestave të janarit në Iran, u ekzekutua nga autoritetet vendase.
Lajmin e raportoi transmetuesi opozitar me seli në Londër, Iran International, duke cituar burime gjyqësore iraniane.
I riu u identifikua si Sasan Azadvar dhe thuhet se u akuzua për “bashkëpunim aktiv me armikun, dëmtim të automjeteve të policisë dhe nxitje të njerëzve për luftë dhe vrasje të njëri-tjetrit, me qëllim prishjen e rendit publik, si dhe thirrje për pjesëmarrje në trazira”.
Azadvar po mbahej në burgun Dastgerd në Iranin qendror. Ai më parë kishte fituar turneun provincial të karatesë në Isfahan.
OKB: SHBA dhe Irani duhet të përmbahen nga veprimet që rrezikojnë armëpushimin

Foto: Antonio Guterres
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje SHBA-së dhe Iranit të përmbahen nga veprimet që mund të rrezikojnë armëpushimin.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të rrezikojnë armëpushimin. Tani është koha për dialog. Për zgjidhje që mund të na tërheqin nga pragu i greminës. Dhe për masa që mund të hapin një rrugë drejt paqes. Bota është duke pritur”, tha Guterres gazetarëve
Më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta kundër objektivave në Iran, duke shkaktuar dëme dhe viktima. Më 7 prill, Uashingtoni dhe Teherani njoftuan një armëpushim dyjavor. Negociatat pasuese në Islamabad përfunduan pa rezultate dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zgjati armëpushimin për t’i dhënë Iranit kohë për të paraqitur një “propozim të unifikuar”.
Trump sulmon kancelarin Friedrich Merz: Mos ndërhy te Irani, merru me Ukrainën dhe Gjermaninë

Friedrich Merz dhe Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump i është kundërpërgjigjur kancelarit gjerman Friedrich Merz pas deklaratave të këtij të fundit për Iranin. Në një postim në Truth Social, Trump i kërkon Merz të “kalojë më shumë kohë” duke u marrë me luftën Rusi-Ukrainë dhe me problemet e brendshme të Gjermanisë.
“Kushtoji më shumë kohë dhënies fund të luftës Rusi/Ukrainë (ku ke qenë totalisht joefektiv) dhe për të rregulluar vendin tënd në rrënim, veçanërisht sa i përket emigracioniy dhe energjisë,” shkruan Trump.
Read more (gjermani):Trump kërcënoi me tkurrjen e trupave amerikane në Gjermani, reagon Merz: Partneriteti me SHBA, me rëndësi për ne
Ai shton se Merz duhet të “harxhojë më pak kohë duke ndërhyrë te ata që po eliminojnë kërcënimin bërthamor iranian, duke e bërë botën, përfshirë Gjermaninë, një vend më të sigurt”. Reagimi i Trump vjen pasi Merz deklaroi se iranianët “po poshtërojnë” Shtetet e Bashkuara. Postimi vjen gjithashtu një ditë pasi Trump tha nga Shtëpia e Bardhë se administrata e tij po shqyrton mundësinë e një reduktimi të trupave amerikane në Gjermani.
Khamenei: Do ta mbrojmë energjinë bërthamore si një trashëgimi kombëtare

Foto: Mojtaba Khamenei
Republika Islamike do të mbrojë “aftësitë e saj bërthamore dhe raketore” si një aset kombëtar. Kështu thuhej në një deklaratë me shkrim nga Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei, raportoi televizioni shtetëror iranian.
“Nëntëdhjetë milionë iranianë krenarë dhe të nderuar, brenda dhe jashtë vendit, i konsiderojnë të gjitha aftësitë e Iranit, qofshin ato të lidhura me identitetin, shpirtërore, njerëzore, shkencore, industriale dhe teknologjike – nga nanoteknologjia dhe bioteknologjia te aftësitë bërthamore dhe raketore – si asete kombëtare dhe do t’i mbrojnë ato ashtu siç mbrojnë ujërat, tokën dhe hapësirën ajrore të vendit”, deklaroi Khamenei.
Presidenti i Iranit: Jemi gati të rihapim kanalet diplomatike, nëse SHBA-të ndërpresin veprimet provokuese

Qeveria iraniane është e gatshme të rifillojë përpjekjet diplomatike për të arritur një zgjidhje të drejtë nëse Shtetet e Bashkuara ndalojnë “qëndrimin e tyre pretencioz” dhe veprimet “provokuese”.
Deklaratat i bëri Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, gjatë një telefonate me kryeministrin japonez Sanae Takaichi, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.
Deklaratat “provokuese” nga zyrtarët amerikanë, “të njëkohshme me rrethimin e porteve iraniane, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret ndërkombëtare”, tha Pezeshkian, duke shtuar se veprime të tilla “e ndërlikojnë më tej situatën në rajon”.
Presidenti iranian i theksoi gjithashtu kryeministrit japonez “nevojën për të vazhduar ndjekjen e rrugës diplomatike për të arritur një zgjidhje të drejtë që garanton respektimin e të drejtave të Iranit dhe vendosjen e paqes dhe qetësisë në rajon”.
Kallas: S’ka rrugëdalje të shpejtë nga kriza e Hormuzit, alarm për ekonominë globale

Kaja Kallas, kryediplomatja europiane
Kaja Kallas, një prej zërave kryesorë të diplomacisë europiane, paralajmëroi sot se nuk ka një rrugëdalje të shpejtë nga kriza e shkaktuar si pasojë e bllokadës në Ngushticën e Hormuzit.
Read more (Shba):Të paktën 17 lëkundje në 24 orët e fundit pranë ‘Zonës 51’ në Nevada, shqetësime për testime nëntokësore të armëve
“S’po shihet një rrugëdalje e shpejtë nga kjo situatë. Pasojat janë negative në të gjitha drejtimet”, deklaroi Kaja Kallas, gjatë një takimi në Estoni me ministrat e Jashtëm të vendeve nordike dhe baltike.Sipas saj, kriza në këtë pikë kyçe të transportit të energjisë po godet drejtpërdrejt ekonominë globale. Çmimet e naftës janë në rritje dhe, siç theksoi Kallas, kjo po i sjell përfitime shtesë Rusisë.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për vonesat në dërgesat e armëve amerikane drejt vendeve nordike dhe baltike dhe tha prerazi se për Europën, liria e lundrimit në Ngushtica e Hormuzit “nuk është e negociueshme”.
Khamenei ashpërson retorikën kundër SHBA-ve: Vendi i vetëm për amerikanët në Gjirin Persik është në fund të detit

“Vendi i vetëm për amerikanët në Gjirin Persik është në fund të ujërave të tij” Kështu është shprehur Mojtaba Khamenei, sipas televizionit shtetëror iranian, në kuadër të Ditës Kombëtare të Gjirit Persik.
Në të njëjtën deklaratë, ai paralajmëroi edhe ndryshime të rëndësishme në kontrollin e një prej pikave më strategjike në botë. Sipas tij, “menaxhimi i ri” i Ngushticës së Hormuzit nga Irani do të sjellë “qetësi dhe progres”, si dhe përfitime ekonomike për të gjitha vendet e rajonit.
Khamenei theksoi se Teherani synon të eliminojë “abuzimet e armikut në rrugët detare”, duke lënë të kuptohet për një rol më agresiv në kontrollin e trafikut detar. Megjithatë, ai shtoi se vendet e rajonit ndajnë një fat të përbashkët, por “të huajt që bëjnë keq” nuk kanë të ardhme në këto ujëra.
Irani paralajmëron Perëndimin: Kontrollojmë 20% të naftës, Gjiri Persik u përket iranianëve

“Gjiri Persik u përket iranianëve.” Ky është mesazhi që erdhi nga Mohammad Mokhber, këshilltar dhe ndihmës i figurës kyçe të Iranit, Mojtaba Khamenei, përmes një postimi në rrjetin social X, të cituar më pas nga mediat iraniane. Mokhber theksoi se Irani ka një rol vendimtar në energjinë globale dhe paralajmëroi për pasojat e çdo presioni ndërkombëtar.
“Kur ne kontrollojmë 20 për qind të naftës botërore dhe mbi 18 mijë miliardë metra kub gaz, një rrethim detar ndaj Iranit nuk do ta kthejë vendin në epokën e gurit,” deklaroi ai. Më tej, ai shtoi me tone kërcënuese se një veprim i tillë “do ta fusë sistemin e dominimit në epokën e ngrirjes”.





