TIRANË– Në GJKKO ka nisur gjyqi për aferën Partizani, ku pritet të dëshmojë ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango, i cili ndryshoiligjin për sportet për t’i hapur rrugë ndërtimit të 19 kullave nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
I pyetur nga prokuroria, Pango tha se nuk mban mend detaje pasi asokohe nuk kishte ngjarje në terrenet sportive dhe se prioritet ishte turizmi.
Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni. Pango dhe dikasteri që ai drejtonte e ndryshuan ligjin, duke e ndaluar privatizimin, por disa muaj më vonë me ndërhyrje të Berishës u bë një tjetër ndryshim ligjor. Me këtë ndryshim, lejohej jo vetëm dhënia me koncesion por edhe privatizimi i plotë në favor të pronarëve, madje duke u dhënë të drejtën atyre që të ndryshonin destinacionin. Dëshmitarët e tjerë janë Tetis Lubonja dhe Altin Ceni, ndërsa Paro Laçi nuk është paraqitur.
Çfarë thuhet në dosjen e SPAK për rolin e Pangos?
Ylli Pango u emërua ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në mars të vitit 2007 dhe e mbajti këtë detyrë deri në pranverën e vitit 2009, në periudhën më intensive të privatizmit të ish klubit Partizani, proces që kishte nisur me intensitet që në 2005-n, vetëm 2 muaj pasi Berisha kishte ardhur në pushtet.
Në dosjen “Partizani”, roli i ish-ministrit Pango lidhet me ndryshimet ligjore të vitit 2008 për “Ligjin për Sportin”, të cilat i hapën rrugë privatizimit dhe ndryshimit të destinacionit të pronave të klubit.
Ligji për sportin parashikonte në atë kohë në nenin 31 të tij se “objektet sportive jepen me koncesion apo privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr. 7973, datë 26.7.1995 “Për koncesionet dhe pjesëmarjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë“.
Read more:Pse “gjyqet politike” duhet të jenë me kamera – Ide
Pra, edhe pse familjet tashmë ishin bërë pronare të truallit nuk mund ta ndryshonin destinacionin. Madje fillimisht ato kishin rëndë dakord që të vijohet aktiviteti sportiv i klubit Partizani, thuhet qartë në dosjen e SPAK.
Pra, deri në këtë moment, e vetmja mundësi për vijimin e procedurave të privatizmit ishte që pronarët të gëzonin të drejtën e parablerjes, duke mos ndryshuar destinacionin.
Por ndërkohë, Ylli Pango si ministër i Sporteve kishte sjellë në qeveri një ndryshim ligjor, siç duket në padijeni të këtij synimi nga familja Berisha.
Më 8 maj 2007 ai e përcjell ndryshimet e ligjit, ku më e rëndësishmja është heqja e mundësisë së privatizimit të objekteve sportive. Konkretisht, projektligji i propozuar, në nenin 31 të tij, parashikonte ndryshimin si vijon: “Objektet sportive jepen me koncension, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni, në përputhje me ligjin nr. 9663 datë 18.12.2006 “Për koncensionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë“.
Pra fjala privatizim hiqet. Relacioni që shoqëron këtë projektligj, e pasqyron qartë ndër të tjera: Është hequr dispozita për privatizimin e objekteve sportive. Objektet sportive të rëndësisë së veçantë janë publike, pronë e shtetit. Këto objekte përdoren lehtësisht për nevoja publike nga organizatat sportive.
Ligji kalon 8 ditë më pas në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, siç duket i pavënë re se sa do të ndikonte te privatizimi i klubit Partizani.
Ligji shkon në parlament dhe madje në procesverbalin e mbledhjes së Komisionit të Edukimit, përfaqësuesja e ministrisë, drejtoresha për sportet Violeta Shqevi e thotë qartë para deputetëve se “Është hequr dispozita për privatizimin e objekteve sportive”. Ligji u miratua në Kuvend dhe hyri në fuqi më 21 nëntor 2007.
Një amendament që e bënte të pamundur realizimin e projektit të pasurive të paluajtshme të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashi mbi truallin e klubit sportiv Partizani.
Por vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 4 janar 2008 Ministri i Turizmit dhe Sporteve Ylli Pango “e harron” ligjin që vetë e propozoi.
“Ministri Ylli Pango, duket se ka vepruar tërësisht në kundërshtim me nenin 31 të ligjit për sportin, i ndryshuar mbi bazë të vetë propozimeve të tij, kur me shkresën Nr. 12248/1 Prot dt 04.01.2008 shprehet dakort për privatizimin e Klubit Shumësportësh “Partizani” dhe kjo shkresë i Drejtohet METE, me Ministër Z. Genci Ruli, i cili miratoi proivatimin”, evidenton SPAK në dosje.
Pra Pango e bëri të paligjshëm privatizimin e ambienteve sportive, ndërkohë që e shkeli vetë këtë ligj, duke dhënë “ok” për privatizimin e “Partizanit”. Se si do ta shpjegojë në gjykatë këtë fakt mbetet për t’u parë.
Por sido që të jetë ligji “duhej rregulluar”. Meqë neni 31 ndalonte privatizimin, për ta zhbërë edhe këtë pengesë qeveria e Berishës propozon edhe një tjetër ndryshim ligjor.
“Këshilli i Ministrave, me VKM nr. 906 datë 18.06.2008, e nënshkruar nga Kryeministri Sali Berisha, dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, depozituar në Kuvend me nr. 2344 date 02.07.2008, ripropozon ndryshime në ligjin nr. 9376 date 21.04.2005 “Per sportin” të ndryshuar, ndryshime këto të miratuara me ligjin nr. 9963 date 21.07.2008. Sipas këtyre ndryshimeve, neni 31 rindryshohet në këtë mënyrë: Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni.“
Interesante për këtë ndryshim të ri të ligjit, është mbledhja që vendosi kalimin e tij në Këshill të Ministrave. Më18 qershor 2008, Berisha akuzon indirekt ish-vartësin e tij Ylli Pango, se më propozimin e parë kishte sjellë një ligj në qeveri, në mbrojtje të interesave të pronarëve të klubeve sportive.
Në vend të Pangos në mbledhje ishte zv. ministri Ekrem Spahia, i cili jep mendimin e tij kur thotë se e shikon të paarsyeshëm faktin se i njëjti nen i ligjit ndryshohej dy herë brenda pak muajve.
Por Berisha i përgjigjej ashpër: “Ta them unë pse bëhen. Sepse ai amendim ishte një lobing i turpshëm që ishte bërë në kurriz të pronarëve (…) Kur ka pronarë sigurisht që privatizohet (…) Që të gjitha t’i marrin pronarët. Nuk ekzistojnë më stadiume brenda qyteteve si në Tiranë. (…) Duhet të keni parasysh një gjë që ndryshime të tilla nuk duhet të bini më në qeveri. Unë mbeta shumë i zhgënjyer.
Pra, Sali Berisha jo vetëm ishte i përfshirë personalisht, por ishte plotësisht dakord që në vend të objekteve sportive pronarët e tokave mund të ndërtonin pallate. Sidomos të dhëndrit të tij.
Ky ndryshim i fundit është botuar në fletoren zyrtare më 01.08.2008, duke hyrë në fuqi më datë 16.08.2008. Pra, një ndryshim ligjor “i qepur si kostum” pikërisht për Malltezin dhe të tjerët që tashmë ishin bërë pronarë të një ambienti sportiv, ndërkohë që hapat e shpejtë për privatizim vijonin. Vetëm një ditë pas vendimit të Këshillit të Ministrave për propozimin e këtyre ndryshimeve, ekspertët Elbira Aliaj dhe Sali Preçi, përgatisin më datë 19 qershor 2008, raportin e vlerësimit për Klubin e Futbollit “Partizani”.
Lajm në përditësim…
SPAK e pyet për Afrim Tolën dhe pronat e Partizanit, ish-ministri Pango: Nuk mbaj mend çfarë kam bërë 18 vite më parë

Në gjyqin për aferën Partizani, ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango u pyet edhe nëse e njihte Afrim Tolën, i cili në dosjen e SPAK thuhet se ishte një prej anëtarëve të Komisionit, që u ngrit për vlerësimin e klubit shumësportësh të Partizanit. Ashtu si edhe për shumë pyetje të drejtuara nga prokurorët e SPAK, Pango tha se emri i Afrim Toles nuk i kujtonte asgjë. Madje, i pyetur nga SPAK mbi një shkresë që i ka dërguar ish-vartësja e tij, Violeta Shqevi, e cila i thonte se fusha e basketbollit dhe dhe shumë prona të tjera ishin zënë me forcë, Pango sërish tha se nuk kujtonte asgjë çfarë është bërë 18 vite më parë.
Pjesë nga dëshmia
Prokurorja:Afrim Tola, ju kujton gjë?
Ylli Pango: Jo, duhet të vras mendjen që ta kujtoj.
Prokurorja:Më 14 prill 2008, Shqevi ju njofton me shkresë se fusha e basketbollit dhe shumë prona të tjera ishin zënë me forcë. Ju kujtohet kjo shkresë dhe çfarë është bërë më pas?
Read more:Andy Burnham fiton zgjedhjet e pjesshme, rriten presionet ndaj Keir Starmer në Partinë Laburiste
Pango:SPAK ma vuri ne dukje këtë shkrese, nuk e mohoj se e ka shkruajtur, drejtoresha nuk e ka bërë si njohëse e legjislacionit të jurisprudencës, çdo ministër e di qe asetet duhet të kontrollohen nga ministria e Ekonomisë, në një nga mbledhjet e qeverisë janë bërë për privatizimin e pronave, kam kërkuar kalimin e aseteve në juridiksionin tonë, ne për objektet sportive nuk kishim pronësi
Prokurorja: Ju e njihni anën juridike?
Pango: Unë jam autor i shumë librave dhe deputet i kuvendit. Nuk mbaj mend çfarë kam bere 18 vjet me pare?
‘Partizani’/ Ish-ministri Pango në gjyq: S’mbaj mend gjë nga sporti, prioritet ishte turizmi

Ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango po dëshmon në gjyqin për aferën e privatizimit me urgjencë të ish-kompleksit “Partizani”. Pango ndryshoi ligjin për sportet për t’i hapur rrugë ndërtimit të 19 kullave nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. I pyetur nga prokuroria, Pango tha se nuk mban mend detaje pasi asokohe nuk kishte ngjarje në terrenet sportive dhe se prioritet ishte turizmi.
Pjesë nga dëshmia
Prokurorja: Kur keni qenë ministër?
Pango: Mars 2007-mars 2009.
Prokurorja: Klubi shumë sportësh ka kaluar në 2003 te MKRS. A ishte e regjistruar apo e keni kryer ju?
Pango: Kjo histori daton 18 vjet me pare, unë jam autor ‘libri për kujtesën’, është e vështirë të mbash mend dokumente nëse s’ka ndonjë shkak të madh për ta mbajtur mend. Falënderoj median, qe bazuar në dokumente më kanë rifreskuar kujtesën. Dëshmia ime ka mbingarkesa nga informacionet e mediave, unë nuk flas me rezerva, por s’mbaj mend saktësisht çdo gjë.
Ylli Pango: Klubi ishte i pushtuar nga privatët. Shkresën e kam parë vonë.
Prokurorja: Pra, nuk e morët në administrim?
Ylli Pango: Nuk u mor si pronë, pasi ishte e zaptuar.
Prokurorja:Ka qenë apo jo i regjistruar në pronësi të Ministrisë?
Ylli Pango: Nuk e mbaj mend, nuk kam asnjë dokument. Ka pasur shumë dokumente që lexoja. Nuk më ka shqetësuar asgjë lidhur me sportet në atë kohë, nuk kishte ngjarje që lidhen me terrenet sportive.
Ylli Pango: Ne kishim emergjencë turizmin. Nuk kemi pasur probleme me sportet. Kompetencë kishim turizmin, ndërsa me sportet merreshin federatat. Sportet ishin të pavarura.
Afera ‘Partizani’, ish-ministri Ylli Pango mbërrin në GJKKO
Ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango ka mbërritur në ambientet e Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Pango do të dëshmoj në seancën e radhës së gjyqit për aferën e privatizimit me urgjencë të ish-kompleksit “Partizani”.




