Ka nisur procesi i konsultimit publik për projektin e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit, një nga zonat më të rëndësishme historike dhe turistike të qytetit. Në dëgjesën e parë publike, banorët dhe bizneset e lagjes Kala u njohën me projektin e hartuar nga grupi i arkitektëve dhe dhanë sugjerimet e tyre për fazat e mëtejshme.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi këtë si projektin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë për rimodelimin e Kalasë, duke theksuar se zhvillimi i saj lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen turistike dhe ekonomike të qytetit. Sipas tij, synimi është që Kalaja të mos jetë vetëm një hapësirë historike, por edhe një qendër e gjallë ekonomike dhe kulturore.
“Kur flasim për turizmin në Elbasan, Kalaja është magneti kryesor i këtij zhvillimi dhe qendra e këtij magneti turistik. Nuk duhet që Elbasani të mbetet jashtë rritjes së turizmit që po përjeton Shqipëria dhe jashtë ekonomisë që po krijohet falë tij”, tha Llatja.
Projekti financohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe parashikon rikualifikimin e hapësirave publike, restaurimin e objekteve historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve turistike, kulturore dhe artizanale.
Arkitekti Emre Arola u shpreh se ndërhyrja do të bazohet në ruajtjen e identitetit historik të zonës, përmes asaj që ai e cilësoi si “akupunturë urbane”, me ndërhyrje të kujdesshme dhe të qëndrueshme që shmangin transformimet e mëdha dhe ruajnë jetën sociale të lagjes.
“Kalaja e Elbasanit mishëron gjurmë të kulturave të shkuara, të shkatërrimeve, të rindërtimeve dhe të jetës së përditshme. Në vend të spastrimeve në shkallë të gjerë, duam të bëjmë atë që ne e quajmë akupunturë urbane, me ndërhyrje të kujdesshme që përmirësojnë zonën pa prishur strukturën sociale të saj”, tha Arola.
Read more:Lajme nga Sociale – Shqiptarja.com
Procesi i konsultimit do të vijojë edhe në fazat e ardhshme, me synimin që transformimi i Kalasë të ruajë autenticitetin e saj dhe ta kthejë atë në një qendër të rëndësishme turistike, kulturore dhe ekonomike për qytetin e Elbasanit.




