Gjykata e Shkallës së Parë në Dibër ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-zëvendësdrejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Danjel Gjura, duke urdhëruar lirimin e tij nga paraburgimi.
Vendimi është dhënë këtë të premte nga gjyqtarja Enkeleda Halilaj. Gjura u vetëdorëzua në Polici 2 ditë më parë, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar si pjesë e një skeme mashtrimi për tjetërsimi pronash.
Sipas vendimit, gjykata pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar më 17 qershor 2026, me masat “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Gjura është urdhëruar të paraqitet të hënën e dytë të çdo muaji, në orën 12:00, pranë oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij nga paraburgimi, për sa kohë nuk mbahet për ndonjë masë tjetër sigurimi apo dënim penal. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda pesë ditëve.
Lirimi i Gjurës është shoqëruar me reagime të shumta nga mbështetësit e tij. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, në Peshkopi u hodhën fishekzjarre, ndërsa në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok, janë publikuar gjatë javëve të fundit dhjetëra postera dhe video në mbështetje të tij. Këto publikime nisën që pas shpalljes së tij në kërkim nga autoritetet dhe vijuan edhe pas arrestimit.
Danjel Gjura u arrestua pas rreth një muaji në arrati, në kuadër të operacionit të autoriteteve për një skemë të dyshuar falsifikimi dokumentesh pronësie. Prokuroria e akuzon atë për veprat penale të “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa në të njëjtën çështje u arrestuan edhe persona të tjerë, mes tyre Teshar Doçi, i cili sipas hetimeve dyshohet se ka përfituar pronë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.
Pak javë përpara se të shpallej në kërkim, Gjura ishte larguar nga posti i drejtorit të Kadastrës së Dibrës, duke kaluar në detyrën e zëvendësdrejtorit, funksion që mbante edhe në momentin e arrestimit.
Read more:Një shteg i rrezikshëm i Albin Kurtit – Ide
Emri i tij është përmendur edhe më herët në denoncime publike dhe kallëzime penale që lidhen me tjetërsimin e pronave gjatë periudhës kur drejtonte institucionin e Kadastrës, ndërsa këto pretendime mbeten objekt i hetimeve.
Përveç karrierës në administratën publike, Gjura ishte edhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 nën siglën e Partisë Socialiste në qarkun Dibër. Në votimin parapëlqyes ai siguroi 8,127 vota në total, duke u renditur ndër kandidatët më të votuar të listës së PS-së në këtë qark, por pa arritur të fitojë mandat deputeti.




