Mbështetja e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, për protestat kundër projektit turistik në Sazan dhe Zvërnec ka marrë jehonë në median prestigjioze britanike The Guardian, e cila i ka kushtuar një artikull të veçantë reagimit të artistes.
Sipas gazetës britanike, lëvizja qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove” ka fituar mbështetësen e saj më të shquar deri më tani, pasi Dua Lipa shprehu publikisht admirimin për protestuesit që kundërshtojnë projektin e resortit të mbështetur nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Në artikull thuhet se, ndërsa protestat kanë hyrë në javën e gjashtë, Dua Lipa i përshkroi ato si “frymëzuese” gjatë një bisede me akademiken dhe shkrimtaren Lea Ypi në podcastin Service95 Book Club.
“E gjej shumë frymëzuese të shoh se sa shumë njerëz interesohen vërtet,” u shpreh këngëtarja. The Guardian ndalet edhe te shqetësimet e ngritura nga Dua Lipa lidhur me ndryshimet në legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura. Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me projektin konkret, por me faktin që ligji mund të ndryshohet pa një proces konsultimi publik.
Read more:Dua Lipa mban fjalimin hyrës në 10-vjetorin e International Booker Prize
“Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur për Shqipërinë e sotme. Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik,” deklaroi Dua Lipa.
Media britanike kujton se projekti, me një vlerë prej rreth 1.6 miliardë eurosh, parashikon zhvillime turistike në ishullin e Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit, zona që konsiderohen me rëndësi të veçantë për biodiversitetin. Artikulli thekson se ndryshimet ligjore që lejuan ndërtimet në zona të mbrojtura kanë nxitur kritika nga organizatat mjedisore dhe reagime edhe nga eurodeputetë, të cilët kanë paralajmëruar se respektimi i standardeve mjedisore është i rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
The Guardian sjell edhe reagimin e Aleksandër Trajçes, drejtues i organizatës PPNEA, i cili e cilësoi mbështetjen e Dua Lipës si një moment të rëndësishëm për protestuesit.
“Ishte një deklaratë shumë e fuqishme. Shumë të rinj shqiptarë, që e shohin Dua Lipën si një idhull, janë frymëzuar. Kjo është dita e 45-të e protestave tona dhe nuk ka asnjë shenjë se ato do të ndalen,” tha ai.
Nga ana tjetër, gazeta rikujton se kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur projektin, duke e cilësuar atë si investimin më të madh në historinë e vendit dhe një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, zhvilluesit kanë deklaruar se projekti do të realizohet me përgjegjësi, duke garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe përfitime afatgjata për komunitetet lokale.




