Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josip Gorrea, ka folur për debatet e zhvilluara me kryeministrin Edi Rama gjatë takimit në Kuç, lidhur me ndarjen e re territoriale dhe të ardhmen e bashkisë që ai drejton. Gorrea theksoi se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar dhe se ai vijon të mbrojë idenë që Divjaka duhet të mbetet bashki më vete.
Sipas tij, takimi ka qenë i mbyllur dhe kryetarët e bashkive kanë pasur mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre. Gorrea tha se edhe gjatë këtij takimi e ka kundërshtuar idenë e ndryshimit të statusit të Divjakës. “Ishte një takim i mbyllur. U diskutua gjatë e gjerë si grupim politik, që unë e quaj një hap të madh përpara. Shprehëm secili mendimin e tij. Kryeministri i vendit e la të hapur bisedën. Secili të shprehë mendimin e tij të pastër”, tha Gorrea.
Ai theksoi se nuk ka ndryshuar asnjëherë qëndrim për këtë çështje. “Po flas me pastërti çfarë ka ndodhur. Edhe në atë takim, nuk kisha detyrim të shprehem për të tjerët, por për veten time. Qëndrimi im ka qenë i pastër. Nuk ka ndryshuar në asnjë moment nga ajo që kam deklaruar. Edhe në atë takim e mbrojta fort idenë pse bashkia duhet të qëndrojë”, u shpreh ai.
Gorrea ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi punën e Komisionit të drejtuar nga Arbjan Mazniku, duke pretenduar se ka konstatuar disa mospërputhje në materialet e tij. “E para, te Komisioni i Maznikut ka disa mospërputhje. Kapa disa gabime që do t’jua bëj me dije edhe ju”, deklaroi kryebashkiaku.
Ai tha se gjatë diskutimeve ka bërë edhe një krahasim mes Lushnjës dhe Divjakës, ndërsa shtoi se një prej referencave të Komisionit mund të lidhet me një mbledhje ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor.
“E dyta, bëra një krahasim Lushnje-Divjakë. Ndoshta Komisioni në atë citat i referohet faktit që ne bëmë një mbledhje që kemi qenë të pranishëm”, tha Gorrea. Në vijim, kryebashkiaku iu referua edhe qëndrimeve të shprehura më herët nga përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste, të cilët, sipas tij, kishin deklaruar se nuk do të kishte ndryshime në qarkun e Fierit.
“Në atë takim, përsëri, ju ndoshta e keni parë edhe në media, përfaqësues të lartë të PS u shprehën qartë që nuk do të ketë ndryshime në qarkun Fier. Mbrojta fort faktin që kam qenë jo i informuar”, tha ai. Gorrea nënvizoi se do të vijojë të mbrojë qëndrimin e tij për ruajtjen e Bashkisë Divjakë dhe se kundërshtimet e tij lidhen edhe me mënyrën se si janë hartuar argumentet për ndryshimet e propozuara.




