Një zjarr ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë të godinës, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.
Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga ballkonet, siç edhe një video nga kamerat e sigurisë që Report Tv e disponon, e tregon.
Si pasojë e zjarrit, janë lënduar 7 persona, gjashtë prej tyre shqiptarë të Kosovës dhe një nga Rrësheni, të cilët janë dërguar në spital.
5 prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Dy pacientë janë dërguar te ‘Trauma’ për shkak se kanë pësuar fraktura, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të lënduarve ndodhet në Kirurgjinë e Spitalit të Vlorës. Një vajzë është në gjendje të rëndë, me djegie të shumta.
Veç tyre, në hotel, kishte edhe turistë të huaj nga Polonia e Ukraina.
“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë një djalë nga Kosova.
“Ishim në gjumë, ora 3, gati 4. Kërcitje, e fejuara u çua e para, më tha çohu nga gjumi se s’di ç’ka ndodhur. U çuam të dilnim nga dera, ishte tym, hyri tymi brenda. Dolëm nga ballkoni, ishte flakë e tym, kishte një mburojë, hipëm sipër saj dhe kërcyem poshtë. S’u lënduam nga djegia, kur u hodha rashë në cep hekuri dhe vrava këmbën”, thotë një 21-vjeçar nga Lipjani.
Read more:Lungomare 4 në Vlorë, drejt përfundimit punimet për shëtitoren më të gjatë në Mesdhe
Burimi i flakëve kanë qenë dy frigoriferët në hyrje të lokalit që dyshohet se kanë pësuar defekt në qarkun elektrik.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit. Ndërkohë, godina fillimisht është evakuuar për shkak të rrezikut.
E gjithë ndërtesa është shkrumbuar thuajse plotësisht. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.
Lajm në përditësim…
Vlorë/ U shpëtoi flakëve duke u hedhur nga ballkoni i hotelit, 21-vjeçari nga Kosova: Më zgjoi gruaja, pamë veç tym e zjarr (VIDEO)
Luan Salihu, 21 vjeç, ia doli t’u shpëtonte flakëve që përfshinë hotelin në Lungomaren e Vlorës duke u hedhur nga ballkoni. Është pikërisht ai që duket edhe në videon e siguruar nga Report Tv, ku kërcen nga ballkoni i dhomës së tij në katin e dytë. I riu nga Lipjani thotë se ndodhej në gjumë bashkë me bashkëshorten, e cila e zgjoi e shqetësuar.
Pamja para syve të tyre ishte po ajo që kanë treguar edhe pushues të tjerë, tym në korridor, ndërsa në ballkon flakët. 21-vjeçari nuk ka marrë lëndime nga djegiet, por vetëm nga një incident i vogël në momentin që është hedhur. Në gjendje të mirë është edhe bashkëshortja.
“Jam nga Lipjani. Ishim në gjumë, ora 3, gati 4. Kërcitje, e fejuara u çua e para, më tha çohu nga gjumi se s’di ç’ka ndodhur. U çuam të dilnim nga dera, ishte tym, hyri tymi brenda. Dolëm nga ballkoni, ishte flakë e tym, kishte një mburojë, hipëm sipër saj dhe kërcyem poshtë. S’u lënduam nga djegia, kur u hodha rashë në cep hekuri dhe vrava këmbën. Kam parë një familje me fëmijë të vogël dhe një burrë. Ishte dita e dytë në hotel”, thotë Salihu.
Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi polak: Nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura (VIDEO)
Një pushues nga Polonia ka treguar si e kuptuan që në hotelin Brooklyn në Lungomaren e Vlorës ku po qëndronin, kishte rënë zjarr.
“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, thotë djali.
Zjarri në hotelin në Vlorë, Report Tv siguron momentin kur pushuesit hidhen nga ballkoni për të shpëtuar (VIDEO)
Report Tv ka siguruar momentin kur pushuesit brenda hotel Brooklyn në Lungomaren e Vlorës që mori flakë këtë mëngjes, përpiqen të shpëtojnë. Kamera e sigurisë konfirmon dëshminë e tyre se për të shpëtuar janë hedhur nga ballkoni. Nga ndërtesa del tym i dendur, ndërsa ata kalojnë bordurat mbrojtëse të ballkoneve dhe hidhen.
Zjarri te hoteli në Lungomare, shefi i reanimacionit në Vlorë: 3 pacientë me djegie i dërguam në Tiranë, 2 te Trauma! Një vajzë në gjendje të rëndë (VIDEO)
Nga personat e dëmtuar në zjarrin që përfshiu hotelin në Lungomare të Vlorës, gjashtë kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, nga të cilët pesë prej tyre janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Dy persona janë nisur drejt ‘Traumës’, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të dëmtuarve po trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, thotë shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.
Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi nga Kosova rrëfen ngjarjen: Ishim në gjumë, pamë tym në korridor! Kërcyem nga ballkoni (VIDEO)
Një prej pushuesve nga Kosova që ndodhej në hotelin i cili mori flakë në orët e para të mëngjesit rrëfen nga barela ku ndodhet në spital momentin e parë që kuptuan se kishte rënë zjarr.
“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë i riu.




