Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e administratës së Gjykatës së Tiranës. Pas Dhomës Civile, bojkotit i është bashkuar edhe administrata e Dhomës Penale, duke bllokuar shërbimet dhe duke kërkuar sqarime se përse ende nuk u kanë kaluar pagat e muajit gusht dhe çfarë do të ndodhë me ta. Mësohet se do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë.
Punonjësit kanë vënë në dijeni drejtuesit e Gjykatës për bojkotin, ndërsa u është komunikuar se do të ketë informacion apo një qëndrim pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e parashikuar në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.
Për pagat e bllokuara janë mbledhur edhe drejtuesit e prokurorive. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka thirrur në takim drejtuesit e prokurorive të rretheve dhe Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa të ftuar janë edhe anëtarët e KLP-së.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se “dera e Thesarit të Shtetit”, ku kanë mbetur të bllokuara pagat e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të hapet me forcë.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi do të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Lajmi në përditësim….
Ngërçi me pagat, edhe administrata e Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës në bojkot, bllokon shërbimet (VIDEO)
Pas ngërcit me pagat në sistemin e drejtësisë, edhe administrata e Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës ka nisur bojkotin dhe ka bllokuar shërbimet.
Ngërçi për pagat e magjistratëve, Olsian Çela sot mbledhje me shefat e prokurorive në rrethe dhe me Shoqatën e Prokurorëve

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela do të mbajë një mbledhje sot për çështjen e pagave të bllokuara të magjistratëve. Çela ka thirrur takimin me shefat e prokurorive në rrethe dhe me Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa janë ftuar të marrin pjesë edhe anëtarët e KLP. Gazetarja Keti Banushi bën me dije se takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se dera e Thesarit të Shtetit ku kanë mbetur të bllokuara pagat e institucioneve të drejtësisë, nuk mund të hapet me forcë.
Ndërkohë Ministri i Drejtësisë Toni Gogu që premtoi se çështja e pagave të magjistratëve do të zgjidhet me nisjen e këtij sesioni parlamentar.
“Detyra ime është që kjo të bëhet sa më shpejt, sa më mirë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen”, tha Gogu gjatë një deklarate për shtyp në fundjavë.




