Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të vendosur hapat që do të marrin në kundërshtim të rregullores së GJKKO-së që përveç censurës ndaj mediave, prek edhe avokatët të cilëve nuk do t’iu lejohen celularët në gjyqe.
Një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të kësaj rregulloreje është kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia. Më 1 shtator, ditën që rregullorja hyri në fuqi, ai i dorëzoi një kërkesë Gjykatës së Posaçme që të rishikonte dispozitat që prekin komunitetin e avokatëve.
Sipas avokatëve, moslejimi i celularit në seanca prek drejtpërdrejt punën e tyre. Por, nisur nga mungesa e një përgjigjeje nga ana e kësaj gjykate, do të jetë mbledhja e këshilli drejtues ajo ku do të vendosen hapat e mëtejshëm për t’i bërë rezistencë rregullores. Një ndër masat që është paralajmëruar nga avokatët nëse GJKKO nuk do të tërhiqet është edhe bojkoti i seancave gjyqësore.
Edhe mediat si dhe organizatat ndërkombëtare të tyre kanë kundërshtuar këtë rregullore që cenon të drejtën e informimit.
Lajmi në përditësim….
Rregullorja e GJKKO, avokati Vishaj: Të bëhet bojkot e avokatëve kryesisht, kështu i japim goditjen e parë
Foto: Saimir Visha
Në mbledhjen e thirrur sot nga Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, avokati Saimir Vishaj u shpreh se zgjidhja më e mirë është bojkotimi i avokatëve kryesisht.dhima
“Kërkoj një impenjim më të madh nga ju. E kemi provuar bojktin dhe nuk na ka sjellë asgjë. Më shumë janë bërë pushime nga avokatët dhe gjyqtarë sesa ka sjellë ndonjë gjë nga ajo që kemi kërkuar ne. Është gjyqtari i çështjes ai që vendosë se si zhvillohet seanca.
Nuk duhet të presim datën 15, por ne që nesër, ju dhe dhoma e këshillit të përgjithshëm, duhet të dalim me një mendje, që për 10 ditë ti godasim me avokatët kryesisht. Kjo goditje do të na sjellë pozitivitet, është një demonstrim real që i bëjmë GJKKO. Avokatët mos të atashohen brenda një afati që mund ta vendosim të gjithë, nga masa e sigurisë deri te gjyqet penale. Duke bërë një bojkot nga ana e avokatëve kryesisht, ne i japim goditjen e parë kësaj gjykate”, tha Visha.
Rregullorja e GJKKO-së, avokatët: Nuk është më çështje telefonash, po na cenohet puna! Të fillojmë nga bojkoti i masave të sigurisë
Këtë të martë Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë po mban një mbledhje për të vendosur hapat që do të marrin në kundërshtim të rregullores së GJKKO-së. Sipas avokatëve kjo rregullore bëhet për të cenuar punën e tyre.
“Duke parë fashën që ka kjo Gjykatë dhe veprat penale që gjykon, dihet që ne nuk futemi në preferencën e kësaj gjykate. Kjo nuk duhet të përçohet në këtë lloj forme. Unë kam qenë viktimë e Gjykatës së Posaçme dhe kam pasur mbështetjen e Dhomës së Avokatisë. Ne kemi një pozicion ndryshe dhe nuk mund të na trajtojnë në këtë lloj forme. Po ashtu edhe kontrollet që bëhen, mendoj të shmangen. Kjo rregullore është bërë vetëm për të ngushtuar punën e avokatëve. Nëse nuk ka një reflektim nga Gjykata e Posaçme do të fillojmë me bojkot, nuk ka asnjë negociatë”, tha një avokat.
“Në Gjykatën e Lartë nuk kemi këto lloj problemesh. Është e rëndësishme të theksohet të kemi solidaritet me gazetarët sepse kemi të njëjtën problem si ata. Është i nevojshëm një bojkot sepse nuk është më çështje telefonash, por çështja është bërë shumë arrogante” tha një tjetër.
Një tjetër avokate tha se ata nuk mund të barazohen me punonjësit e asaj Gjykate. Sipas avokates bojkoti duhet të nis më parë nga masat e sigurimit
“Ne jemi avokatë dhe nuk mund të barazohemi me punonjësit e asaj Gjykate. Asnjë nuk ka të drejtë që të marrë çantën time. Duhet të ndërmerren hapa sa më parë për këtë padrejtësi. Pika e dobëtt janë masa e sigurimit, të fillojmë me atë fillimisht”, tha një avokate.
“Avokati është shtylla e drejtësisë në sallën e gjyqit. Kjo është pika që derdhi gotën, ne kërkojmë që të respektohemi nga këta gjyqtarë”, shtoi një tjetër.
Avokatët kërkojnë rishikimin e rregullores censuruese të GJKKO-së, Maks Haxhia: Prej 8 ditësh asnjë përgjigje për kërkesën tonë
Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, thotë se GJKKO-ja nuk i ka kthyer ende përgjigje kërkesës së avokatëve për rishikimin e rregullores së re, e cila ndalon përdorimin e celularëve gjatë seancave gjyqësore. Haxhia e cilësoi këtë edhe si mungesë respekti institucional, ndërsa bëri të ditur se i ka kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë çështje.
“Me t’u përballur me këtë rregullore, kryetari i Dhomës, së bashku me kryetarin e Dhomës së Tiranës, kemi bërë reagimin e parë në media, duke kundërshtuar rregulloren e re si një akt që bie ndesh jo vetëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Strasburgun, por bie ndesh edhe me Kodin e Procedurës Penale.
I kemi dërguar letër GJKKO-së, ku i kemi kërkuar rishikimin e rregullores dhe deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional dhe na konfirmon në vazhdimësi trajtimin që u bëjnë avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
I kam kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë masë dhe më është komunikuar që ky Këshill nuk mblidhet para datës 15. Ne insistojmë që duhet ta bëjmë këtë takim”, tha Haxhia.




