Një vatër e madhe zjarri po përhapet në jug të fshatit Halil të Krujës. Flakët që kanë rënë pak më parë pranë liqenit të Zagracës kanë përfshirë pyje me pisha. Të favorizuara nga era dhe thatësira, po përparojnë drejt kodrave. Terreni e pamundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
Ndërkohë në Bubq e Derven janë regjistruar dy vatra zjarri që po djegin shkurre e bimësi dhe kërcënojnë banesat.
Në autostradën Lezhë-Shkodër ka një tjetër zjarr të shkaktuar nga djegia e tokave dhe mbetjeve bujqësore. Tymi i dendur ka mbuluar zonën duke vështirësuar qarkullimin dhe po kërkohet ndërhyrje për neutralizimin e flakëve.
Lajm në përditësim…
Digjen toka e mbetje bujqësore, zjarr pranë autostradës Lezhë-Shkodër! Tym i dendur në zonë

Re të dendura tymi kanë mbuluar autostradën Lezhë-Shkodër, pranë zonës së Zadrimës, si pasojë e disa vatrave zjarri që janë shfaqur në të dy anët e aksit rrugor.
Flakët dyshohet se kanë nisur nga djegia e tokave dhe mbetjeve bujqësore, ndërsa zjarri është përhapur duke iu afruar autostradës. Përhapja e tymit në rrugë ka krijuar vështirësi në shikueshmëri dhe është kthyer në shqetësim për drejtuesit e automjeteve që lëvizin në këtë aks.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të pranisë së flakëve dhe tymit në afërsi të rrugës, ndërsa kërkohet ndërhyrje për neutralizimin e vatrave të zjarrit dhe shmangien e rrezikut për përdoruesit e autostradës.
Dy vatra zjarri në Bubq e Derven, flakët pranë banesave

Dy vatra të reja zjarri janë regjistruar në Bubq dhe Derven ku po digjen sipërfaqe me shkurre e ferra. Falë erës, flakët po përparojnë duke rrezikuar disa banesa jo shumë larg tyre.
Zjarrfikësit po përpiqen të lokalizojnë zjarrin.




