Berat Gjimshiti është në mëdyshje për të ardhmen. Mbrojtësi ka kontratë me Atalantën edhe për dy muaj e dhjetë ditë dhe klubi nga Bergamo ende nuk e ka bindur kapitenin e kombëtares shqiptare për firmën e re të rinovimit.
Pas dhjetë vitesh me skuadrën e Atalantës, Berat Gjimshiti është duke pritur oferta dhe një prej tyre mund të vijë nga Firenze. Siç bëjnë me dije mediet në Itali, drejtori sportiv i Fiorentinës, Fabio Paratici, do ishte i gatshëm për të afruar 33-vjeçarin me parametra zero duke i ofruar një kontratë të majme.
E ardhmja e kapitenit kuqezi pritet të vendoset në muajt në vijim, ndërsa në të kaluarën ai ka refuzuar oferta të majme nga Lindja e Mesme për të vijuar karrierën në Serie A.
Më herët për të ka pasur interes edhe nga Milani, teksa nuk përjashtohet mundësia që Igli Tare të afrojë në ekip bashkëkombasin që në futbollin italian tanimë është një veteran.


