Tirana po mirëpret për herë të parë kampionatin evropian të mundjes ku kanë nisur garën 38 shtete dhe rreth 600 sportistë në disiplina të ndryshme.
Në kategoritë djem dhe vajza sportistët garojnë në disiplina si mundje e lirë (freestyle) dhe mundje greko-romake. Edhe pse në ditën e dytë, me evropianin e mundjes që është parashikuar të zgjasë deri më 26 prill, emocionet kanë qenë të forta. Pallati i sportit Feti Borova është i mbushur plot me mbështetës, ndërsa ata që po e përjetojnë më së shumti janë të afërmit e sportistëve.
“Numri i sportistëve është bashkë te 1 mijë bashkë me delegacionin, që kanë ardhur në Shqipëri për kampionatin evropian. Ne i kemi bërë akomodimin të gjithë sportistëve, për të gjithë ditën e qëndrimit. Deri tani çdo gjë ka shkuar mirë dhe janë të kënaqur,”-u shpreh Isa Merkja, sekretar i FSHM.
Shqipëria është përfaqësuar në Evropian me 12 mundës, të cilët kanë nisur garat që në ditën e parë dhe do të vijojnë deri më 25 prill.
“Është kënaqësi e madhe sidomos kur garon në vendin tënd. Ndeshjen e kisha kundër mundësit hungarez, i cili është mundës shumë i fortë. U mundova të bëj mëksimumin, por nuk ia dola dot. Gjithsesi u kënaqa,”-deklaroi Kevin Kupi, mundës i Shqipërisë.
“Qëllimi i federatës dhe i vetë sportistëve është që të arrijmë zonën e medaljeve dhe pse jo atë të artën. Çdo medalje ka rëndësi në kategorinë e vet,”-tha Isa Merkja, sekretar i FSHM.
Shanset më të mëdha të Shqipërisë janë në garat e Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, dy mundës të cilët kanë nderuar flamurin kuqezi deri në Lojërat Olimpike, ndërsa ky organizim vjen pas një sërë eventesh të rëndësishme. Vetëm 2 muaj më parë në Tiranë u mbajt eventi ‘ranking series’ që solli rreth 700 sportistë nga e gjithë bota.


