TIRANË– Kryengritje paqësore i vlerësonte Sali Berisha protestat kombëtare kundër qeverisë, edhe pse sinjali për të vijuar sulmet me molotovët ndaj kryeministrisë, ishte pikërisht mbyllja e fjalës së tij.
Thuajse në të gjitha tubimet, godina e qeverisë sulmohej, policia kundërshtohej, disa militantë arrestoheshin, dhe gjykata i lironte.
Por 17 prilli suprizoi. Sapo nisën të hidheshin molotovët e parë ndaj kryeministrisë, forcat e policisë ndërhynë menjëherë duke arrestuar personat që sulmuan. Shumë u kapën me çanta në shpinë mbushur me molotovë, pa mundur të përshkallëzonin sulmin ndaj institucioneve.
11 përfunduan në pranga, dhe në prokurori, policia çoi prova bindëse, pamje filmike të të konsideruarit grupi i zjarrit; Një grup miliantësh me maska në fytyrë fshehur pas pankartave, në marshim pas liderit të tyre, kreut të PD-së, Sali Berishës.
Ndër provat që policia ka përdorur kundër protestuesve, janë edhe pamjet me dron të Report Tv, që tregojnë momentin kur Kryeministria sulmohet me molotovë.
Të pyetur nga hetuesit, efektivët identifikuan 5 protestues që kishin sulmuar me molotovë kryeministrisë, i hodhën këto lëndë djegëse drejt tyre, si dhe i kundërshtuan fizikisht blutë gjatë shoqërimit. Ata akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ‘’Mbajtje pa leje të armëve shpërthyese dhe municionit.
Për të pestë, Prokuroria e Tiranës, kërkoi arrest me burg, dhe gjykata e aprovoi.
2-Bujar Tusha, arrest me burg
3- Henri Shapllo arrest me burg
4-Mirvel Tocilla arrest me burg
5- Semi Bici “Arrest me burg”
Për 6 të tjerë, Gjykata e Tiranës caktoi masën detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore. Nga këta, vetëm për 2 prokuroria kishte kërkuar arrest në shtëpi.
7- Sokol Bajraktari “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
8-Igball Domi, “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
9-Gentjan Tuga “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore
10- Ernest Kapo “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
11- Edison Shyti “Detyrim per paraqitje ne policine gjyqesore”
Strategjia që policia përdori në protestën e 17 prillit duke frenuar grupin e zjarrit të vijojë sulmet dhe duke arrestuar në flagrancë militantët me prova të forta kundër tyre, ngriti alarmin në Partinë Demokratike mbi frikën se miliantët, si asnjëherë më parë, do të përfundonin në burg.
“Ku e ke numrin ti. Kam përshtypjen se shumë prej jush janë patronazhistë pa numra të futur në radhët e policisë. Keni ardhur për të ruajtur gjykatën këtu apo cfarë, ku i keni trimat komandantë? Kush është komandanti juaj, ku i keni ushtarët e narkosit që ju urdhërojnë për të dhunuar protestuesit?”, tha Noka.
Një grup deputetësh u shfaqën jashtë Gjykatës për të shprehur mbështetjen ndaj tyre, Flamur Noka, Gent Strazimiri, Elda Hoti, kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, Klevis Balliu, i cili është në hetim për organizimin e protestës dhe anëtari i këshillit kombëtar të PD-së Aulon Kalaja, i cili po hetohet i lirë për goditje të forcave të policisë.
Në mbrojtje, 11 të arrestuarit i morën tre avokatë të Partisë Demokratike, Marash Logu, Franc Nuri dhe Eda Grimci, kryetare e degës numër 9 së PD-së në Tiranë, e njëjta mbajti edhe fjalim në protestën e 17 prillit.
Që në nisje të seancës me dyer të mbyllura, çështjen e kthyen në politike. Kërkuan përjashtimin e gjyqtarit Enkel Peza, me pretendimin se se ai dhe familjarët e tij kanë mbajtur funksione në strukturat lokale të PS në Kavajë.
Kërkesa u rrëzua nga një tjetër gjyqtar, Dritan Hallunaj.
Të gjithë të arrestuarit në protestat e mëparshme të opozitës, janë liruar, por kjo është hera e parë që togave të zeza i dilet para me prova, përfshirë edhe filmime të grupit të zjarrit në sulm.
PD ka paditur ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, kryepolicin Skënder Hita dhe gjithë zinxhirin drejtues të Policisë me argumentin se kanë drejtuar aksionin ndaj protestuesve të opozitës dhe kanë përdorur ndaj tyre spraj kundër ariut.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Protesta me zjarr molotovi e PD/ Gjykata la në qeli 5 militantë, Berisha: Heronjtë e kryengritjes paqësore po mbahen në burg pa asnjë provë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi Gjykata e Tiranës la në qeli 5 prej militantëve, që dyshohet se ishin pjesë e ‘grupit të zjarrit’ në protestën e PD-së në 17 prill para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij në tubimin e përjavshëm para Kryeministrisë, Berisha tha se të pestë të arrestuarit u mbajtën në qeli pa prova.
Berisha gjithashtu ngriti pretendime të forta se 5 militantët e arrestuar të PD-së janë dhunuar në qelitë e komisariateve.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohje të pakufishme për të gjithë ju miq që çdo javë, çdo të hënë mblidheni në këtë shesh, mblidheni në kuvendin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë guximtarë.
Por një mirënjohje të pakufishme le t’u shprehim ne atyre dhjetëra e mijëra qytetarëve që me uraganin e fuqishëm të lirisë, dridhen themelet e regjimit të organizatës kriminale të Edi Ramës të premten që shkoi, dhe shndërruan zërin e shqiptarëve guximtarë në jehonën më të fuqishme botërore.
Mirënjohje të madhe medieve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme të kauzës tonë, pasqyrimin fantastik të kryengritjes tonë paqësore.
Sonte unë kam një mirënjohje dhe përshëndetje shumë të përzemërt për heronjtë e kryengritjes paqësore të 17 prillit, Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvet Toçilla, Sem Bici, të cilët qëndruan si luanë ndaj torturave çnjerëzore shtazarake që kriminelë me uniformë kryen ndaj tyre në qelitë e komisariateve dhe u mbajtën sot në burg pa asnjë provë, pa asnjë fakt nga prokurorë dhe gjykatës Kapo dhe Peza, militantë të verbër partiakë.
Ata janë ndërgjegja jonë, janë frymëzimi ynë.
Lirimi i tyre urgjent nga burgu është beteja jonë.
Një përshëndetje të përzemërt edhe për guximtarët e pamposhtur Ikball Domi, Gentian Tuga, Ernest Kapo, Preng Lala, Edison Shyti, Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari,etj, të cilët u torturuan në komisariate nga banditë me uniformë, por qëndruan të pamposhtur.
‘Është i PS’, militantët e PD kërkuan përjashtimin e gjyqtarit nga seanca! Rrëzohet kërkesa

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes të protestuesve të Partisë Demokratike për të përjashtuar nga seanca gjyqtarin Enkel Peza me argumentin se ai dhe familjarë të tij kanë mbajtur funksione në strukturat lokale të PS. Vendimi i u mor nga gjyqtari Dritn Hallunaj.
Protestuesit e PD në Gjykatë për masat/ Noka akuza policëve: Jeni patronazhistë të PS
Një grup deputetësh të PD shkuan në Gjykatën e Tiranës, ku po zhvillohet seanca për masat e sigurisë për 11 protestuesit e arrestuar pas protestës me molotovë të 17 prillit. Një prej tyre ishte edhe Flamur Noka, i cili në një moment filmohet teksa i akuzon policët si paronazhistë të PS.
“Ku e ke numrin ti?Kam përshtypjen se shumë prej jush janë patronazhistë pa numra të futur në radhët e policisë. Keni ardhur për të ruajtur gjykatën këtu apo cfarë, ku i keni trimat komandante? Kush është komandanti juaj, ku i keni ushtarët e narkosit që iu urdhërojnë për të dhunuar protestuesit”, thotë Noka.
U arrestua se kundërshtoi policinë, militanti i Berishës: Jam i pastrehë, isha me shkop për tu mbrojtur nga qentë
.jpeg)
Sokol Bajraktari, 55 vjeç, u arrestua nga Policia pas pjesëmarrjes në protestën e Sali Berishës, pasi ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Report Tv mëson se kur Bajraktari është marrë në pyetje, ai ka mohuar akuzën se ka dhunuar policët. Sipas tij, në protestë ka pasur një shkop druri për tu mbrojtur nga qentë e rrugës, pasi është i pastrehë dhe fle jashtë. Bajraktari ka pranuar se ka gjuajtur drejt hekurave, por jo drejt policisë.
Protesta/ Ja 5 protestuesit që u kapën me molotovë në duar, policia ‘zbërthen’ militantët e Berishës: Sulmuan efektivët dhe Kryeministrinë

Militantët e Sali Berishës janë arrestuar me prova në duar në protestën e 17 prillit, pas strategjisë së re të ndjekur nga Policia. Punonjësit e policisë që kanë qenë në terren kanë arritur të identifikojnë Klemend Çuçkën, 38 vjeç, një prej protestuesve, teksa ka qenë duke hedhur molotov drejt punonjësve të policie, si dhe duke i kundërshtuar fizikisht. Ai akuzohet për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, ‘’Mbajtje pa leje te armeve shpërthyese dhe municionit.
Po ashtu, edhe militanti Bujar Tusha, 29 vjeç, është arrestuar në flagrancë, me prova në duar, pasi në një çantë të zezë i janë gjetur 3 molotovë. Po ashtu, ai ka qenë duke hedhur molotvë në drejtim të policëve dhe ka kundërshtuar ata. Pavarësisht se u kap me prova në duar, Tusha ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë veprim dhune.
Protestuesi tjetër, Henri Shapllo, 30 vjeç, është arrestuar në flagrancë duke hedhur molotovë në drejtim të Kryeministrisë dhe efektivëve. Në momentin e arrestimit, atij i janë gjetur 12 molotovë dhe kapsolla.
Tjetër protestues i kapur në flagrancë nga policët është edhe Mirvet Toçilla 50 vjeç. Ai është konstatuar nga efektivët duke hedhur molotovë në drejtim të Kryeministrisë, si dhe ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjate shoqërimit. Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se Toçilla ka deklaruar se është anëtar i partisë demokratike dhe ka marrë pjesë në protestë, por kur janë hedhur molotovë për shkak të tymit është larguar.
Edhe Semi Bici 25 vjeç, është kapur nga policët ndërsa mbante në shpinë 2 çanta me ngjyrë të zezë të mbushura me molotovë. Atij i ëhstë gjetur një maskë e zezë, çakmakë dhe 23 fishekzjarrë dhe është arrestuar teksa po sulmonte godinën e kryeministrisë, moment gjat ëtë cilit ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë.
Ndërkohë, tre prej të arrestuarve, Bardhyl Ndou, Edison Shyti dhe Sokol Bajraktari, rezultojnë të dënuar më parë.
Protesta e PD/ Polici i lënduar: Protestuesit qëlluan me molotovë drejt nesh, nuk identifikuam se ishin të maskuar

Foto: Një nga policët që pësoi djegie në trup gjatë protestës në 17 prill
Një punonjës policie pranë Komisariatit nr.5, i caktuar me shërbim në rrugën e Elbasanit, pranë Xhamisë së “Namasxhasë”, në afërsi të parlamentit deklaron se militantët e Sali Berishës e kanë qëlluar me molotovë në drejtim të tij. Nga ana e protestuesve janë hedhur sende të kundërligjshme dhe si pasojë ka marrë dëmtime në pjesën e gjoksit, ku më pas është transportuar në drejtim të Spitalit të Traumës, për të marrë ndihmë mjekësore.
“Një punonjës policie pranë Njësisë Publike Tirane i cili ka qenë me shërbime në në afërsi të vendit ku është organizuar protesta ka kallëzuar se gjatë kryerjes se shërbimit ka mbetur i dëmtuar duke marrë dëmtime në afërsi të gjoksit nga shpërthimi i fishek zjarreve, gjë për të cilën është dërguar menjëherë drejt spitalit te traumës dhe të djegies plastike”, thuhet në argumentimin e Prokurorisë për masat e sigurisë.
Ai deklaron se pas mbarimit te fjalimit të liderit të opozitës, një grup protestuesish të maskuar kanë hedhur drejt tyre dhe godinës se kryeministrisë ënde piroteknike dhe molotov si dhe sende të forta.
Edhe 3 punonjës të tjerë të policisë me shërbim në mbarëvajtje të protestës, deklarojnë se gjatë kryerjes së detyrës kanë marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe se këta persona nuk kishin mundësi t’i identifikonin për shkak të fytyrave të mbuluara.
Nga protesta e PD, mbetën të lënduar 5 efektivë.
Grupi i zjarrit të PD del para Gjykatës/ Prokuroria: Të maskuar, fshiheshin pas pankartave, çantat e mbushura me molotovë

11 të arrestuarit për protestën e Partisë Demokratike pas sulmeve me molotovë, kanë dalë para Gjykatës së Tiranës për masat e sigurisë. Report Tv mëson se Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 5 prej tyre, 2 arrest shtëpie dhe 4 detyrim paraqitjeje. Prokuroria tregon se ‘grupi i zjarrit’ është evidentuar duke ecur nga selia e PD drejt kryeministrisë, pas Sali Berishës. Ata, siç janë filmuar edhe nga pamjet gjatë protestës, qëndronin të fshehur mes disa pankartave dhe ishin të maskuar. Në çanta të zeza, dyshohet se mbanin molotovët, me të cilat qëlluan në drejtim të Kryeministrisë, por aktet e dhunës nuk u përshkallëzuan për shkak të ndërhyrjes me shpejtësi të Policëve.
“Punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim për mbarëvajtjen e protestës së datës 17.04.2026, kanë kryer video dhe foto të veprimeve të protestuesve kryesisht të personave të dhunshëm dhe ka rezultuar se një grup personash të veshur me rroba të zeza, me maska ne fytyre, ngjyrë të zezë, lëvizin të grupuar mes protestuesve nga selia subjektit politik “Partia Demokratike” drejt Kryeministrisë.
Përreth tyre dallohen disa persona të veshur me rroba të ndryshme me kapuça ne kokë ne dore mbajnë tabela me mbishkrime të protestës. Këta persona mbajnë në mes rreth 10-12 persona që dyshohet se në trup ata mbajnë çanta të zeza me lende shpërthyese e plasëse molotov.
Nga këqyrja e vendit te ngjarjes ne Bulevardin ‘’Dëshmoret e Kombit’’ përballë Kryeministrisë, janë gjetur dhe sekuestruar sende te ndryshme si lende piroteknike molotov, shishe, gurë, kapsolla, flakadanë bojra, fishek zjarre”, argumenton prokuroria.


