Masa arrest shtëpie që SPAK vendosi ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni ka sjellë reagimin e ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji. Në një postim në rrjetet sociale, ai rikthen akuzat e tij të mëparshme ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, duke theksuar se institucioni është përdorur për veprimtari në interes të krimit dhe për presione ndaj kundërshtarëve politikë, bizneseve dhe institucioneve.
Salianji e cilëson situatën si një alarm për sigurinë kombëtare dhe informacionin e klasifikuar, ndërsa kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, hetim parlamentar dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Sali Berisha nuk mund ta relativizojë këtë çështje duke i shërbyer Ramës. Bashkë me të gjithë grupin parlamentar duhet të kërkojë hetim parlamentar, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe përgjegjësi politike deri në dorëheqjen e Edi Ramës. Fatkeqësisht, shteti i Ramës nuk është në luftë me krimin. Është shtet i krimit në luftë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe në bllokadë me partnerët ndërkombëtarë”, shprehet Salianji.
Reagimi i Salianjit
SHËRBIMI INFORMATIV I KRIMIT!
Prej vitesh kam denoncuar emërimin e paligjshëm të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Që nga ai moment, Shërbimi Informativ u kthye në Shërbimin Informativ të Krimit.
Një shërbim që duhej të mbrojë sigurinë kombëtare u përdor për shantazhe, përgjime të paligjshme, survejime të kundërshtarëve, kërcënime ndaj politikanëve dhe bizneseve dhe për përfitime financiare në këmbim të heshtjes apo publikimit të informacioneve. Nën shantazh kanë qenë edhe institucione të tjera të shtetit.
Me qindra herë e kam denoncuar këtë situatë. Kam kërkuar shkarkimin, hetimin dhe arrestimin e Vlora Hysenit.
Pas ndërhyrjes në TIMS, pas kontrollit të institucioneve të sigurisë kombëtare nga krimi, faktimi i sotëm i lidhjeve të drejtueses së SHISH është një alarm i jashtëzakonshëm jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për dekonspirimin e informacionit të klasifikuar dhe të informacioneve të partnerëve ndërkombëtarë.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen!
Sali Berisha nuk mund ta relativizojë këtë çështje duke i shërbyer Ramës. Bashkë me të gjithë grupin parlamentar duhet të kërkojë hetim parlamentar, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe përgjegjësi politike deri në dorëheqjen e Edi Ramës.
Fatkeqësisht, shteti i Ramës nuk është në luftë me krimin.
Është shtet i krimit në luftë me qytetarët, bizneset, institucionet dhe në bllokadë me partnerët ndërkombëtarë.




