Protestat e PD me molotovë, Softa: Skenar i njëjtë, nuk sjellin njerëz! Karanxha: Me dhunë s’vihet në pushtet! Strategjia e Hitës, eksperti: Menaxhim i avancuar

Published:

Protestat me molotovë të Partisë Demokratike nuk janë forma e duhur për të tërhequr njerëzit e as për të fituar pushtetin. Këtë mendim ndajnë eksperti i sigurisë Fatjon Softa dhe ish-prokurori Ervin Karanxha në “Studio Live” në Report Tv.

“Do të doja të mos kishim protesta të tilla sepse nuk e ngrenë pjesëmarrjen masive të njerëzve”, tha Softa, ndërsa Karanxha theksoi dhunën në këto tubime.

“Do të ishte mirë të gjendeshin forma që të mblidheshin më shumë njerëz dhe të ishte me forma demokratike. Përdorimi i mjeteve të rrezikshme është një minus jo vetëm për opozitën, por edhe për demokracinë. Me akte të dhunshme nuk vihet në pushtet”, tha ish-prokurori.

Eksperti i sigurisë nënvizon se përballja me policinë devijon plotësisht fokusin e protestës dhe nuk paraqet alternativa për qytetarët.

“Nuk di të ketë forcë politike që të ketë ardhur në këtë formë në pushtet. Mendoj që ka shumë alternativa dhe rrugë që mund t’i ofrojë çdo qytetari protestues që të mund të rrisin këtë formë të protestës që do të ishte më e mira. Rruga që veprojnë duket më shumë si konfrontim, përplasje me policinë sesa me qeverinë. Kjo ka spostuar vëmendjen nga dhimbja reale”, tha Softa.

Këto protesta të njëpasnjëshme të PD nuk kanë shënuar as ndonjë ndryshim nga njëra-tjetra, u shpreh ai sepse skenari ka qenë tepër i parashikueshëm. Këtë herë, ndryshimi qëndron te puna e policisë që ka arritur të sigurojë pamjet filmike të grupit të zjarrit. Jo vetëm kaq, por policia ka arritur të arrestojë 5 militantë, ndërsa 6 të tjerë janë lënë me detyrim paraqitjeje.

“U bënë disa protesta që kanë të njëjtën skemë. Pasi mbarojnë fjalën oratorët, fillon hedhja e lëndëve dhe krijimi i konfrontimeve që vjen pastaj me forcat e policisë. Pamjet filmike dhe ajo që policia ka ndërtuar këtë radhë duke përdorur kamera për të filmuar që kanë kërkuar të evidentojnë personat që mund të kenë pasur lëndë piroteknike ose personat organizatorë. Duke qenë se pamjet tregojnë një grup që refuzon të shfaqet duke qëndruar pas tabelave, hedh hije dyshimi që mund të kemi një grup të strukturuar, spontan apo qytetarë. Ka pasur tentativë për të ndaluar përshkallëzimin”, tha Softa.

Karanxha u shpreh se këtë herë është treguar kujdes për të mbledhur prova, ndërsa përdorimi i molotovëve e dhunës është i ndaluar në protesta.

“Protesta ka rregullat e veta. Ndalohet të përdoren mjete si zjarri apo goditjet me gurë ndaj forcave të rendit. Në këto raste konsumohet vepër penale. Është treguar kujdesi i duhur për të mbledhur provat. Hetimet do të vazhdojnë për të parë individualizimin e dënimit për çdo person. Dosja hetimore do të ketë të dhëna për autorësinë e veprës penale. Hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i merr të gjithë provat, edhe nga ana e ndjekjes penale, edhe nga mbrojtja. Veprimet e dhunshme ndaj jetës, shëndetit dhe pronës publike e private përbëjnë vepër penale”, tha ish-prokurori.

Eksperti Softa evidentoi edhe strategjinë e përdorur nga Skënder Hita për të mbajtur nën kontroll situatën duke mos lejuar përshkallëzimin.

“Kam parë një model më të avancuar të menaxhimit të protestave. Kam parë një plan të detajuar, aq sa arrin të shikosh përmes mediave dhe i kam riparë në sensin e një analize. Është perimetri i sigurisë, zona tampon dhe regjimi i hyrje-daljeve. Tentativa për të hyrë përmes personave jo të identifikueshëm, por zakonisht protestat monitorohen për personat problematikë apo që mund të krijojnë situata jo të pëlqyeshme”, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 18:35

Spraji i arinjve, eksperti: Deklaratë politike, PD ta provojë! Prokurori Karanxha: Është i identifikueshëm, pasoja fatale për njerëzit

Pretendimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, se policia përdori spraj kundër ariut ndaj protestuesve, duhen provuar ose mbeten deklarata politike, tha eksperti i sigurisë Fatjon Softa në “Studio Live” në Report Tv.

“U takon personave në fjalë që të sjellin provën nëse është përdorur ose jo ose në të kundërt ngelet polemikë ose deklaratë politike. Nuk ka prova zyrtare. Duhet të bëhet një denoncim dhe të çohen prova për të gjykuar nëse është përdorur një lëndë e tillë. Policia e Shtetit përdor të njëjtat lëndë që përdorin edhe policitë e tjera të vendeve të BE dhe duhet të përdoren në mënyrë proporcionale në varësi të konfliktit që mund të agravojë”, tha Softa.

Ndërsa ish-prokurori Ervin Karanxha, tha se ky lloj spraji është i identifikueshëm e për më tepër, do të kishte pasoja fatale te njerëzit.

“Sipas pretendimit, është 10 herë më i fortë sesa spraji për njerëzit. Nuk provohet diçka e tillë, por hetimet do ta provojnë. Në dijeninë time, spraji i ariut ka shenjën e ariut. Është shumë i fuqishëm, është i identifikuar, është i posaçëm për arinjtë. Ka irritim shumë i fortë, ka pasoja fatale. Në kuadër të hetimit, edhe ky pretendim mund të verifikohet. Spraji ka përqendrim të fortë, ka pasoja për shikimin, për lëkurën”, nënvizoi ish-prokurori.

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img