Shqipëri–Luksemburg drejt fluturimeve direkte, Hoxha: Diplomacia ekonomike nuk është slogan

Published:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e kompanisë ajrore Luxair, ku në fokus ishte mundësia e vendosjes së linjave ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Luksemburgut.

Gjatë takimit me drejtorin ekzekutiv Gilles Feith dhe ekipin e tij, Hoxha theksoi se diplomacia ekonomike është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme shqiptare.

“Diplomacia ekonomike është një prioritet i politikës sonë të jashtme. Nuk bëhet fjalë për slogan”, u shpreh ai në një reagim në rrjetet sociale.

Sipas ministrit, Shqipëria ka një potencial të madh për zhvillimin e linjave të reja ajrore, duke parë rritjen e shpejtë të turizmit dhe zgjerimin e infrastrukturës ajrore në vend.

Ai theksoi se rritja e lidhjeve ajrore nuk lidhet vetëm me transportin, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi.

“Rritja e lidhshmërisë ajrore shkon përtej fluturimeve; ajo mbështet tregtinë, tërheq investime, lehtëson lëvizjen dhe afron njerëzit, në përputhje të plotë me prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë, perspektivën e saj të rritjes dhe rrugën drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Hoxha.

Ministri u shpreh se pret vijimin e dialogut me kompaninë dhe mirëpret praninë e Luxair në tregun shqiptar, si një hap konkret drejt rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

” Diplomacia ekonomike është një prioritet i politikës sonë të jashtme. Slogan? Aspak. I kënaqur që u takova sot me CEO-n e Luxair, Gilles Feith, dhe ekipin e tij, për të eksploruar mundësitë për vendosjen e lidhjeve ajrore mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Me një sektor turizmi që po rritet me ritme të shpejta dhe me infrastrukturën ajrore në zgjerim, potenciali për linja të reja dhe për bashkëpunim më të thellë tregtar është i qartë. Rritja e lidhshmërisë ajrore shkon përtej fluturimeve; ajo mbështet tregtinë, tërheq investime, lehtëson lëvizjen dhe afron njerëzit, në përputhje të plotë me prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë, perspektivën e saj të rritjes dhe rrugën drejt Bashkimit Europian. Presim të vijojmë këtë dialog dhe të mirëpresim praninë e Luxair në Shqipëri” tha Hoxha.

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img