
Gjatë mbledhjes së sotme Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit me kodin 207 për zbatimin e programit “Masat preventive – intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme”, që parasheh ndarjen edhe të 50 mijë eurove për rikonstruktimin e Xhamisë së Ibrit.
Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë, për vendimin për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, tha se ky vendim hap rrugë për hartimin dhe zbatimin e projektit për rindërtimin e xhamisë së djegur gjatë luftës në Kosovë.
“Me një vendim shumë të rëndësishëm që kemi marrë tani në mbledhje të qeverisë, që ka të bëjë me rikonstruimin e Xhamisë së Ibrit, e cila ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky vendim sot hap rrugë për hartimin dhe më pas zbatimin e këtij projekti. Dua të sqaroj që kjo nuk është një ndërtim i një xhamie, ka të bëjë me rindërtimin e një xhamie e cila është djegur, ku qëllimi ka qenë nga regjimi gjenocidal i Serbisë që me të gjitha format e tyre të zhdukin gjithçka që na takon ne, jo vetëm duke i targetuar qytetarët, duke i vrarë, duke i maltretuar, por çdo pjesë të trashëgimisë domethënë që e kemi, ta shkatërrojnë. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe jam e lumtur që është marrë ky vendim dhe do të vazhdojmë për rindërtimin e xhamisë së djegur domethënë të Ibrit në Mitrovicën e Veriut”, theksoi Bogujevci.
Read more:Leopardi kapet brenda fabrikës së Mercedes-Benz, operacion dramatik shpëtimi
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se rikonstruktimi i Xhamisë së djegur të Ibrit paraqet një hap me rëndësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, si pjesë e identitetit historik dhe diversitetit kulturor të Kosovës.
Read more:Përurohen investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa sociale shumë-banesore në Prizren
“Kjo xhami ka vlerë të veçantë për komunitetin lokal dhe përfaqëson një simbol të bashkëjetesës, kujtesës dhe trashëgimisë së qytetit të Mitrovicës. Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka propozuar rialokimin e 50,000 eurove për realizimin e projektit të rikonstruktimit të saj, në përputhje me programin për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet këtij investimi, synohet ruajtja dhe restaurimi i një objekti me rëndësi historike, kulturore dhe shoqërore për qytetarët dhe komunitetin lokal, por i cili natyrisht së pari ka nevojë për rindërtim”, tha Kurti.





