Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një formë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Shqipëri, ku substancat me përmbajtje të lartë THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, paraqiten në formën e produkteve ushqimore të njohura si “Edibles”.
Suela Xhufi, toksikologe tha në ‘Sot Live në Shqipëri’ se karamelet me kanabis te fëmijët mund të shkakojnë vdekjen. Ajo shton se konsumimi i gjysmës së saj mund t’i çojë fëmijët në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Kjo nuk është një risi në Shqipëri, kemi pasur raste edhe të mëparshme. Karamelet me kanabis te fëmijët mund të shkaktojë vdekje, për shkak të dozave shumë të larta. Gjysma e karameles mund të çojë fëmijën deri në reanimacion. Ka dy lloj pacentësh (të rritur): atyre që u jep humor dhe atyre që mund t’i japë reaksion, ankth dhe fobi”, tha Suela Xhufi.
Xhufi shton se fëmijët janë grupi më i rrezikuar, pasi marrin si karamele jo si drogë.
“Ato (karamelet) nuk e kanë aromën tipike të marijuanës, pasi prodhohet në laborator. Sot ka ecur shumë shkenca e zhvilllimit të drogërave ilegale, sepse kemi më shumë drogëra sintetike, të cilat janë të vështira për t’u zbuluar. Vëmendja duhet të përqendrohet më shumë te fëmijët, sepse janë më të ekspozuarit, fëmija e shikon si karamele dhe e merr në mënyrë të pafajshme”, thotë ajo.




