Kanë kaluar pak minuta dhe tashmë protestuesit u grumbulluan te sheshi “Skënderbej” në Tiranë për të vijuar ditën e 22-të të protestës dhe marshuan drejt kryeministrisë.
Një pjesë e tyre ndodheshin tashmë para godinës pasi disa protestues kanë kaluar natën dhe ditën e sotme gjithashtu duke pritur nisjen e tubimit. Njësoj si një ditë më parë, fjalimet i janë lënë diasporës.
Mbrëmjen e së shtunës pati një incident me një grup protestuesish të maskuar që përdhosën flamurin izraelit. Nga sheshi, aktivisti Arben Kola tha se bëhet fjalë për grupe të infiltruara mes tyre, duke shtuar se distancohen nga veprimi.
“Mes nesh dje apo ditë të tjera ka grupe të infiltruara. Ne ndoshta në ditët në vazhdim do të dalim edhe me fytyra e emra që t’i demaskojmë. Distancohemi dhe do të mbajmë një deklaratë”, tha Kola.
Një deklaratë e ngjashme u përsërit edhe nga një protestues para kryeminstrisë.
“Kjo protestë ka qenë simbol dashurie për njëri-tjetrin! Ai incident nuk ka lidhje me protestën!”, tha ai.
Read more:VIDEO/ Protestuesit nisin rrethimin e Kryeministrisë: Sonte do ta gdhijmë këtu! Marshim gjithë natën
Ndërkohë, thirrjet e protestuesve vijojnë të jenë për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
“Për të realizuar proceset demokratike, diaspora do të jetë aleati më i fortë. Dorëheqja e Edi Ramës është hapi i parë, qeveria teknike hapi i dytë dhe proceset demokratike hapi i tretë”, tha protestuesi.
“Ramën ne e kemi vendosur dhe ne do e heqim”, shtoi një grua.
Një protestues propozoi që Shqipëria të ndjekë shembullin e Hungarisë që asnjë kryeministër mos të mbajë më shumë se 2 mandate.
“Propozoj të ndjekim shembullin e Hungarisë dhe asnjë kryeministër mos të ketë më shumë se 2 mandate. Autokracia s’do të ketë më vend në Shqipëri!”, tha ai.
As Berisha s’mundi t’i shpëtonte kujtesës së protestuesve që sollën ndërmend “21 janarin.”
“Duam drejtësi, thërrasim SPAK! Kërkojmë drejtësi!”, tha një protestues.
Lajm në përditësim…
FOTOT/ Jo veç pankarta, protesta mes tullumbaceve, flakadanëve e flamingove
Pankartave të zakonshme në protestë iu bashkuan edhe tullumbacet e kuqe e të zeza. Protestuesit hodhën në ajër disa dhjetëra prej tyre. Më vonë, mes tubuesve u shfaqën edhe një grup flamingosh, simbolika e përdorur kundër resortit në Zvërnec.
Disa protestues ndezën edhe flakadanë.
Përfundojnë fjalimet, nis marshimi i protestuesve në kryeqytet

Me përfundimin e fjalimeve para kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në kryeqytet. Udhëzimi i tyre i parë ishte për të shkuar drejt bashkisë. Sot pjesë e protestës është edhe diaspora.
Gjithashtu u tha se cilido që dëshiron, mund të vijojë të qëndrojë përpara kryeministrisë.
Përdhosja e flamurit izraelit, tubuesi: Incidenti s’ka lidhje me protestën!

Në protestën e radhës para kryeministrisë, tubuesit janë distancuar nga incidenti i një dite më parë me flamurin izraelit. Një protestues tha se ngjarja s’ka lidhje me protestën paqësore.
“Mbrëmë është tentuar që një incident i ndodhur në qytet, të lidhet me protestën! Është e pamundur! Kjo protestë ka qenë simbol dashurie për njëri-tjetrin! Ai incident nuk ka lidhje me protestën!”, tha protestuesi.
‘Flamingot’ ngrenë kokat mbi protestuesit, parakalojnë mes tyre (VIDEO)
Një tufë ‘flamingosh’ u shfaqën edhe në ditën e 22-të të protestës para kryeministrisë. Disa protestues mbanin në duar flamingot simbolike duke bërë një paradë mes të tjerëve.
‘Jemi lodhur nga padrejtësitë’, protestuesja: Ramën ne e kemi vendosur, ne do e heqim
Një protestuese deklaroi se qytetarët janë lodhur nga padrejtësitë dhe se askush nuk e shet dot Shqipërinë. Më tej, shtoi se vetëm qytetarët janë ata që do ta heqin Ramën.
“Jam këtu si një qytetare, si një nënë. Jemi lodhur nga padrejtësitë, nga premtimet boshe, duam një shtet që respekton qytetarët. Kërkojmë drejtësi për fëmijët tanë. Shqipërinë tonë askush nuk e shet dot. Ramën ne e kemi vendosur dhe ne do e heqim”, tha protestuesja.
Protestuesi: Diaspora do të jetë aleati më i fortë! Rama të dorëhiqet, qeveri teknike dhe zgjedhje
Në ditën e 22-të të protestës, kërkesat kryesore të tubuesve mbeten dorëheqja e kryeministrit, qeveria teknike dhe zgjedhjet. Një protestues siguroi se diaspora do të jetë aleati më i fortë.
“Për të realizuar proceset demokratike, diaspora do të jetë aleati më i fortë. Dorëheqja e Edi Ramës është hapi i parë, qeveria teknike hapi i dytë dhe proceset demokratike hapi i tretë”, tha protestuesi.
Propozimi i protestuesit: Shqipëria si Hungaria, asnjë kryeministër mos të ketë më shumë se 2 mandate
Një protestues propozoi që Shqipëria të ndjekë shembullin e Hungarisë që asnjë kryeministër mos të mbajë më shumë se 2 mandate.
“Propozoj të ndjekim shembullin e Hungarisë dhe asnjë kryeministër mos të ketë më shumë se 2 mandate. Autokracia s’do të ketë më vend në Shqipëri!”, tha ai.
Protestuesi thirrje SPAK-ut: M’u vranë shokët më 21 janar! Katër të vrarët duan drejtësi
Një protestues u kujtoi të pranishmëve para kryeministrisë ’21 janarin’, ngjarje për të cilën tha se ka qenë edhe vetë i pranishëm dhe se kërkojnë drejtësi.
“Këtu kam qenë më 21 janar 2011. Shokët e mi u vranë për të sjellë në pushtet zotërinë që është sot. Duam drejtësi, thërrasim SPAK! Kërkojmë drejtësi!”, tha protestuesi.
Vogëlushja thirrje: Duam Shqipëri më të drejtë, zëri ynë të dëgjohet se jemi e ardhmja!
Një vajzë e vogël që u ngjit në podium para kryeministrisë bëri thirrje për një Shqipëri më të drejtë dhe dëgjimin e zërit të të vegjëlve.
“Ne duam një Shqipëri më të drejtë, më të sigurt dhe me më shumë mundësi për të gjithë! Zëri ynë duhet të dëgjohet sepse ne jemi e ardhmja e këtij vendi!”, tha vajza.
Investimi në Zvërnec, diaspora shqiptare në Frankfurt proteston njëkohësisht me Tiranën
Paralelisht me protestën në Tiranë, edhe diaspora shqiptare në Frankfurt të Gjermanisë është ngritur në një tubim.
Me simbolet kombëtare, muzikë shqiptare në sfond e flamingo, ata janë grumbulluar në një shesh për të shprehur qëndrimin e tyre lidhur me investimin në Zvërnec.
Shqiptarët në Basel të Zvicrës protestojnë kundër investimit në Zvërnec (VIDEO)
Shqiptarët në Basel të Zvicrës kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën në Tiranë kundër investimeve në Zvërnec duke dalë edhe ata me pankarta.
“Diaspora është këtu”, flamuj kuqezi dhe flamingo, një grup protestuesish po ecin në rrugët e qytetit.




