Punonjësit e ‘Mabco’-s të Behgjet Pacollit janë rikthyer në kantierin e Aeroportit të Vlorës, siç biznesmeni njoftoi të dielën. Por sapo kanë mbërritur atje, janë përplasur me rojet e sigurisë që i kanë penguar të hyjnë. Gjatë këtij momenti të tensionuar, ata kanë hyrë me forcë duke shqyer derën.
Në këtë moment, janë konfliktuar me punonjësit e “2A Group” të Valon Ademit dhe i kanë nxjerrë këta të fundit jashtë nga zyrat.
“Zbatoni urdhrin, nuk ndaloni dot pronarët të futen brenda në pronë”, dëgjohet të thotë vëllai i Behgjet Pacollit, ndërsa policia ka shkuar në vendin e ngjarjes.
Rikthimi i punonjësve të ‘Mabco’-s në kantier vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i riktheu kompanisë së biznesmenit Pacolli të drejtën e administrimit. Kolegji civil i Gjykatës së Lartë vendosi të rrëzojë padinë e bërë nga shoqëria “2A Group” e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.
Read more:Kush janë 10 shqiptarët më të pasur
Më herët dy gjykatat e faktit i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër ‘Mabco’ deri sa vendimi të merrte formë të prerë.
E gjithë përplasja mes tyre ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi aso kohe dhe bllokoi veprimtarinë e “Mabco”-s që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.
Rikthimi i tensioneve në aeroportin e Vlorës, deklarata e ‘Mabco’: Vijim të menjëhershëm të punimeve, s’ka autorizime për palë të treta! Çdo pengesë do t’u referohet institucioneve

Pas rikthimit të tensionuar në kantierin e aeroportit të Vlorës që u shoqërua me përplasje mes punonjësve të saj dhe të “2A Group” të Valon Ademit, kompania “Mabco” ka lëshuar një deklaratë zyrtare për garantimin e vijimit dhe përshpejtimit të punimeve.
Sipas shkresës, Asambleja vendimmarrëse ka kërkuar që administratori të mos autorizojë palë të treta për të përfaqësuar shoqërinë. Gjithashtu, i është kërkuar institucioneve të garantohet zbatimi i vendimeve dhe ushtrimi i aksesit të ligjshëm në kantier.
Në deklaratë, “Mabco” shprehet se do të vijojë me punën në kantier, ndërsa çdo pengesë do t’u referohet institucioneve. Njësoj si në qëndrimin e një dite më parë të publikuar nga Pacolli, flitet për pengesa nga kompania e sigurisë dhe palë të treta që kanë pretenduar për një prokurë të lëshuar nga administratori, të cilën ‘Mabco’ e mohon.
Deklarata e plotë:
Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve e shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., në mbledhjen e zhvilluar më datë 18 qershor 2026, bazuar në Vendimin e Gjykatës së Lartë, ushtroi kompetencat e saj ligjore dhe statutore si organi më i lartë vendimmarrës i shoqërisë, duke miratuar një sërë vendimesh që synojnë rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përshpejtimin e punimeve për përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Këto vendime janë marrë në mbështetje të nenit 81 pika 1 të Ligjit nr. 9901/2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, si dhe nenit 17 të Statutit të shoqërisë, të cilat i japin Asamblesë së Ortakëve kompetencën për të përcaktuar politikat e shoqërisë dhe për të mbikëqyrur administrimin e saj.
Ndër të tjera, Asambleja vendosi garantimin e aksesit të plotë dhe të pandërprerë në kantier për ortakët, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e autorizuar prej tyre, me qëllim vijimin e menjëhershëm të punimeve dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme për administrimin e projektit. Gjithashtu, Asambleja vendosi që administratori të mos autorizojë asnjë palë të tretë për të përfaqësuar shoqërinë apo për të ushtruar kompetenca që bien ndesh me vendimet e saj.
Në zbatim të këtyre vendimeve, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. kërkuan zyrtarisht, përmes shkresave dhe komunikimeve elektronike, mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Shtetit për garantimin e zbatimit të vendimeve të Asamblesë dhe ushtrimin e aksesit të ligjshëm në kantier.
Pas këtyre njoftimeve institucionale, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. u paraqitën sot në kantier dhe nisën procesin e inventarizimit të aseteve, pajisjeve dhe gjendjes aktuale të projektit, një proces i domosdoshëm për vlerësimin e situatës faktike dhe organizimin e fazës së mëtejshme të punimeve.
Megjithatë, gjatë zhvillimit të këtij procesi janë konstatuar pengesa nga përfaqësues të kompanisë së sigurisë dhe nga persona të tretë që kanë pretenduar të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga administratori aktual i regjistruar në QKB. Mes tyre ka qenë edhe z. Bujar Ejupi, i cili ka pretenduar ekzistencën e një prokure të lëshuar nga administratori.
Rikujtojmë se vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve janë detyruese për administratorin, punonjësit e shoqërisë dhe çdo person që vepron në emër apo për llogari të saj. Për rrjedhojë, asnjë autorizim individual, asnjë prokurë dhe asnjë veprim i njëanshëm nuk mund të prevalojë mbi vendimet e organit më të lartë vendimmarrës të shoqërisë.
Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të drejtat dhe detyrimet e saj kontraktore në funksion të përfundimit të projektit, ndërsa çdo pengesë ndaj zbatimit të vendimeve të Asamblesë, aksesit në kantier apo vijimit të punimeve do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente për trajtim sipas ligjit.
Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: rikthimi i aktivitetit normal në kantier, respektimi i ligjit, respektimi i vendimeve të organeve të shoqërisë dhe përfundimi sa më i shpejtë i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.




