Një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj është përfshirë nga flakët këtë të diel në fshatin Hekal të Mallakastrës, duke kërkuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse nga disa bashki, si edhe një helikopteri për shkak të afërsisë me Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Sipas burimeve nga fshati Hekal, flakët kanë rënë fillimisht pranë rrugës rurale që lidh Hekalin me Klosin, ku është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e mbjellë me ullinj. Më pas, të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në zona të mbuluara me bimësi të thatë.
Zjarri ka depërtuar edhe në territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku janë djegur shkurre. Fatmirësisht, sipas informacioneve paraprake, monumentet arkeologjike, bazilikat dhe strukturat prej guri nuk kanë pësuar dëmtime.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Ballshit, një mjet zjarrfikës nga Fieri dhe një nga Bashkia e Patosit. Në operacion janë angazhuar edhe banorët e fshatrave Klos dhe Hekal, të cilët kanë ndihmuar në përpjekjet për izolimin e flakëve.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe terrenit të vështirë kodrinor, është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Një helikopter ka mbërritur në zonë dhe ka operuar për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Pas disa orësh pune, zjarri u shua, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, pasi era e fortë mund të favorizojë përhapjen e flakëve, veçanërisht gjatë orëve të natës.




