Nga protesta e 44-të para Kryeministrisë, aktivistja Luçiana Kokaj u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në Belgjikë dhe vende të tjera europiane t’u bashkohen protestës që pritet të zhvillohet në Bruksel, në kohën kur përfaqësues të qeverisë shqiptare do të jenë në kryeqytetin europian.
Sipas saj, emigrantët shqiptarë do të shprehin atje pakënaqësinë e tyre dhe do të përcjellin mesazhin e protestuesve në Shqipëri.
“Qeveria do të jetë nesër në Bruksel. Por kemi një lajm të bukur, vëllezërit tanë nga Gjermania, Holanda dhe Brukseli do të jenë aty duke protestuar”, u shpreh Kokaj.
Ajo u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në protestë dhe të tregojnë, sipas saj, realitetin me të cilin përballen shqiptarët.
“Ju bëj thirrje shqiptarëve që të bashkohen atje dhe t’iu tregojnë fytyrën e vërtetë se si është Shqipëria dhe çfarë duan shqiptarët.”, tha ajo.
Në përfundim, aktivistja theksoi se protestuesit mbështesin integrimin europian të vendit, por kërkojnë që ai të shoqërohet me kushte më të mira jetese për qytetarët.
“Jemi ne të parët që duam Bashkimin Europian, por duam të jetojmë me dinjitet në vendin tonë”, deklaroi ajo.




