Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me synimin për të zgjeruar aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe për të lehtësuar procedurat për përfitimin e ndihmës juridike falas. Projektligji parashikon zgjerimin e kategorive përfituese, procedura më të shpejta për rastet urgjente, si dhe mbulimin e një pjese më të madhe të shpenzimeve që lidhen me proceset gjyqësore dhe ekzekutimin e vendimeve.
Ndër ndryshimet kryesore është zgjerimi i kategorive që përfitojnë ndihmë juridike pavarësisht të ardhurave. Për herë të parë përfshihen viktimat e krimit, viktimat e terrorizmit, personat që kërkojnë njohjen e statusit të aftësisë së kufizuar, përfituesit e pensionit social dhe skemave të tjera të mbrojtjes sociale, pjesëtarët e komuniteteve rom dhe egjiptian për çështje të dokumentacionit civil, si edhe sinjalizuesit që raportojnë shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian. Gjithashtu zgjerohet mbrojtja për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Projektligji parashikon edhe thjeshtimin e procedurës për ndihmën juridike parësore. Qytetarët do të paraqesin vetëm një vetëdeklarim dhe dokument identifikimi, ndërsa dokumentacion shtesë do të kërkohet vetëm nëse ka dyshime të arsyeshme mbi deklarimet e tyre.
Një tjetër risi është krijimi i procedurave të përshpejtuara për rastet emergjente, ku viktimat e dhunës, trafikimit, terrorizmit dhe kategori të tjera vulnerabël do të mund të përfitojnë menjëherë avokat të caktuar nga gjykata ose organi procedues.
Read more:Indeksimi i pensioneve, Malaj: Mund të ndodh në qershor ose korrik, por ende nuk ka një vendimmarrje
Po ashtu synohet që, sa të jetë e mundur, i njëjti avokat të ndjekë përfituesin gjatë gjithë procedurave të lidhura civile, penale dhe administrative.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që shteti të mbulojë edhe shpenzime të tjera të domosdoshme gjatë ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, përfshirë tarifat për ekspertët kur prania e tyre është e detyrueshme, si dhe shpenzime të caktuara kadastrale e noteriale. Gjithashtu, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë rol më aktiv në informimin e qytetarëve, orientimin e tyre dhe bashkërendimin me shërbimet sociale për përfitimin e ndihmës juridike.

.jpeg)
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë…




