Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka reaguar për bojkotin e opozitës ndaj seancave plenare të Kuvendit, duke argumentuar se përballja me mazhorancën duhet të bëhet brenda sallës së parlamentit.
Në një postim në rrjetet sociale, Pollo deklaroi se opozita prej dhjetë ditësh nuk po merr pjesë në seancat plenare, si formë proteste ndaj, siç i cilësoi ai, “abuzimeve kundraligjore të mazhorancës rilindiste”.
Sipas Pollos, shumica parlamentare po refuzon të përfshijë në kalendarin e punimeve të Kuvendit projektligjet e propozuara nga Partia Demokratike për zonat e mbrojtura dhe për anulimin e ligjit për “investitorin strategjik”.
“Ky lloj abuzimi nuk ndodh për herë të parë në dekadën e fundit. Por mënyra efektive për ta denoncuar dhe kundërshtuar atë është në plenare e pastaj gjetiu; me fjalë e vepra”, shkroi Pollo.
Ai shprehu shpresën që opozita të rikthehet me një angazhim më të fortë në seancat plenare të muajit korrik dhe në vijim gjatë sesionit të vjeshtës.
Postimi i plotë:
Prej dhjetë ditësh opozita nuk merr pjesë në seancë plenare për të protestuar ndaj abuzimeve kundraligore të mazhorancës rilindiste; kjo e fundit refuzon të fusë në kalendarin e punimeve të Kuvendit p/ligjet e PD të cilat normalizojnë ligjet për zonat e mbrojtura dhe anullojnë ligjin për “investitorin strategjik”.
Ky lloj abuzimi nuk ndodh për herë të parë në dekadën e fundit. Por mënyra efektive për t’a denoncuar e kundërshtuar atë është në plenare e pastaj gjetiu; me fjalë e vepra!
Shpresoj se do të ketë angazhim energjik në plenaret e korrikut, si dhe në vijim, në plenaret e vjeshtës.




