Një 14-vjeçar është shoqëruar në polici pasi është përpjekur të vjedhë një market në Krujë gjatë natës. Ai ka thyer xhamat me një çekiç, por nuk raportohet të ketë marrë asgjë.
Çekiçi i është sekuestruar, ndërsa i mituri do të merret në pyetje në prani të psikologut.
“Menjëherë pas njoftimit për një tentativë për vjedhje me thyerje, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një market në pedonalen e qytetit (rast i pasqyruar dhe në rrjete sociale), specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për kapjen e autorit.
Si rezultat i këtyre veprimeve, u identifikua dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit, pak orë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar i rastit, një 14-vjeçar, me të cilin vijojnë të kryhen veprime procedurale, me asistencën e prindërve, mbrojtësit ligjor dhe psikologut”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.




