Një turiste finlandeze 30 vjeçe ka humbur jetën këtë të martë në zonën e Orikumit, teksa po kryente zhytje së bashku me një grup zhytësish që po eksploronin zonën.
Sipas informacioneve paraprake, e reja dyshohet se nuk është ndierë mirë gjatë zhytjes dhe ka hasur probleme në furnizimin me oksigjen. Ajo është nxjerrë menjëherë nga uji dhe është transportuar pa ndjenja në në molin e Njësisë Delta me skafin “Toni B 1485”, të drejtuar nga Anton Binaj, 59 vjeç, banues në Vlorë.
Binaj ka deklaruar para autoriteteve se tre persona që ndodheshin në det pranë një anijeje me ngjyrë blu i kanë kërkuar ndihmë për transportimin e gruas, e cila kishte humbur ndjenjat.
Në mol i është dhënë menjëherë ndihma e parë, ndërsa më pas ambulanca e ka transportuar së bashku me dy personat e tjerë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për trajtim mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve, 30-vjeçarja nuk ka arritur të mbijetojë.




