Mëngjesi e gjeti jugun me diell, por gjurmët e stuhisë janë ende të dukshme. Stuhia, e cila goditi kryesisht zonat bregdetare, la pas 2 viktima, 3 të plagosur dhe dëme të shumta materiale. Dhjetëra pemë u rrëzuan, duke dëmtuar automjete dhe biznese.
Në Himarë,Bashkim Boçi, elektricist i OSSH-së, humbi jetën gjatë punës për rikthimin e energjisë elektrike në zonën e Potamit. 54-vjeçari nga Elbasani ishte dërguar në Himarë si punonjës sezonal. Rreth orës 03:00, teksa po ngjitej në një shtyllë për të riparuar defektin, u këput rripi i sigurisë dhe ai ra nga 9 metra lartësi. Aksidenti ngre pikëpyetje serioze mbi kushtet e sigurisë në punë.
Në Ksamil, stuhia e gjeti në det të trazuar peshkatarin Mihal Zoi. Varka e tij u përmbys, ndërsa trupi i pajetë u gjet paraditen e së mërkurës pranë tre ishujve. 61-vjeçari ishte i divorcuar dhe fëmijët e tij jetojnë në Greqi.
Gjatë stuhisë, Policia Kufitare e Vlorës ndërhyri për të shpëtuar qytetarë që ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve, nga Karaburuni deri në Ksamil. Burime për Report TV bëjnë me dije se efektivët u kanë dhënë ndihmë 10 mjeteve lundruese.
Në Sarandë, era e fortë rrëzoi dhjetëra pemë, të cilat dëmtuan automjete. Tre persona morën ndihmë mjekësore pasi u lënduan nga xhamat e thyer dhe degët e pemëve.
Edhe Vlorau përfshi nga stuhia. Në Lungomare u rrëzuan pemë që dëmtuan fasadat e disa lokaleve, ndërsa në disa zona vijon ende mungesa e energjisë elektrike.
Probleme u regjistruan edhe në Librazhd, ku disa zona vazhdojnë të jenë pa energji elektrike.
Ndërprerja e energjisë shkaktoi probleme në furnizimin me ujë të pijshëm, veçanërisht në Patos.
Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Vlorës, Kapiteneria e Portit të Sarandës dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nuk kishin lëshuar njoftime paralajmëruese për përkeqësimin e motit.
Defekti në mes të detit rrezikoi familjen me 3 fëmijë, Policia Kufitare i shpëton pranë Jalës
Një familje me tre fëmijë përjetoi momente frike dhe paniku mbrëmjen e së martës pranë plazhit të Jalës, pasi mjeti me të cilin po lundronin pësoi defekt në mes të detit për shkak të motit të keq.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, kur u kërkua ndihmë për mjetin lundrues që kishte mbetur në det. Pas kërkimeve, Policia Kufitare lokalizoi mjetin ku ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe tre fëmijët e tyre.
Familja u transportua drejt Himarës dhe fatmirësisht të pesë personat ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Ngjarja vjen pas përkeqësimit të motit në bregdetin jugor, ndërsa policia u bëjnë thirrje lundruesve të tregojnë kujdes dhe të shmangin daljen në det kur kushtet atmosferike janë të pafavorshme.
Njoftimi i plotë i policisë
“Policia Kufitare ndihmon 5 shtetas (pjesëtarë të një familjeje) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt gjatë natës, për shkak të motit të keq. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, Policia u njoftua se disa shtetas në një mjet lundrues në afërsi të plazhit të Jalës, kishin nevojë për ndihmë, pasi mjeti i tyre lundrues kishte pësuar defekt për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, me mjetin e tyre lundrues, të cilët pas kërkimeve në det, bënë të mundur lokalizimin e mjetit lundrues në bordin e të cilit ndodheshin 5 shtetas (një çift bashkëshortësh dhe 3 fëmijët e tyre).
5 shtetasit u transportuan me mjetin e Policisë Kufitare, drejt PKK Himarë, në gjendje të mirë shëndetësore. Ata falënderuan punonjësit e Policisë që iu shkuan në ndihmë, duke vepruar në një kohë të shpejtë dhe me profesionalizëm. Policia Kufitare vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve/vizitorëve dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe shmangien e lundrimit në kushte të rrezikshme atmosferike”
Nga Karaburuni në Ksamil, shpëtohen 10 mjete lundruese! Autoritetet pa paralajmërim
Jeta e dhjetra qytetarëve u rrezikua nga stuhia që përfshiu të martën zonën nga Karaburuni në Ksamil.
Burime për Report TV thanë se kanë qenë efektivët e Policisë Kufitare të Vlorës që u kanë dhënë ndihmën të paktën 10 mjeteve lundruese që bashkë me pasagjerët janë nxjerrë në breg pa lëndime.
Stuhia kapi në befasi shumë peshkatarë dhe qytetarë teksa kapiteneria e Portit të Vlorës as nuk kishte sinjalizuar për ndryshimet e kushteve të motit dhe as nuk kishte ndaluar lundrimin para stuhisë.
Të njëjtën ‘heshtje para stuhisë’ tregoi jo vetëm Bashkia e Sarandës por edhe Kapiteneria e Portit të qytetit bregdetar që nuk dha asnjë paralajmërim për përkeqësimin e kushteve të motit
Stuhia/ Mbytet peshkatari 61-vjeçar në Ksamil, gjendet trupi i pajetë dhe varka e fundosur
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën detare pranë ishujve të Ksamilit, ku është gjetur i pajetë një 61-vjeçar. Viktima është identifikuar si Mihal Zoi, peshkatar. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në det. Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur edhe mjetin e tij lundrues, i cili rezultonte i fundosur.
Sipas burimeve, Zoi dyshohet të ketë dalë në det që të martën para se zona të përfshihej nga stuhia e fortë me erë dhe dallgë të mëdha.
Sipas burimeve paraprake, 61-vjeçari ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri, ai rezulton të ketë vetëm një motër.
“Sot, rreth orës 11:00, përballë Ishujve të Ksamilit, është konstatuar trupi i pajetë i shtetasit M. Z., 61 vjeç, peshkatar. Nga këqyrja paraprake e kryer në vendngjarje dyshohet se shtetasi ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë, pasi dyshohet se kishte dalë për peshkim. Shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe mjetin lundrues me të cilin 61-vjeçari dyshohet se kishte dalë për peshkim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Stuhia/ Pa energji zona në Vlorë, Fier, Sarandë e Librazhd, Patosi mbetet pa ujë

Edhe pse situata është përmirësuar në pjesën më të madhe të vendit pas stuhisë së mbrëmjes së djeshme, problematika vijojnë të evidentohen në disa zona.
Mungesa e energjisë elektrike vazhdon të prekë pjesë të Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit, ndërsa Patosi mbetet pa furnizim me ujë për shkak të ndërprerjes së energjisë në stacionin e pompimit të Varibopit. Në Portin e Durrësit era e fortë rrëzoi disa kontejnerë bosh.
Ministria e Infrastrukturës bën me dije se grupet e punës mbeten në terren për normalizimin e plotë të situatës.
RAPORT MBI SITUATEN E KRIJUAR DHE MASAT E MARRA PË TË PËRBALLUAR MOTIN E KEQ GJATË MBRËMJES DHE ORËT E PARA TË MËNGJESIT
Mbrëmjen e djeshme, disa zona të vendit u përfshinë nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. Grupet e punës, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë qenë në terren që në momentet e para, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.
AKSET RRUGORE
Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo materialeve.
Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme pa problematika dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.
ARRSH është në gatishmëri dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e rrugëve.
FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Aktualisht, në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.
Në orët e para të mëngjesit është vendosur në punë Nst i Livadhjasë dhe është rikthyer energjia në disa zona.
OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike.
RRJETI I TRANSMETIMIT
Aktualisht, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.
KASKADA E DRINIT
Situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.
FURNIZIMI ME UJË
Sarandë
Situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) në Sarandë është rikthyer në normalitet. Gjithashtu, edhe SPUN në Ksamil është rikthyer në funksionim normal.
Rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.
Durrës
Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë.
Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.
Fier
Rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit.
Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike.
Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.
PORTET DHE AEROPORTI
Aeroporti i Tiranës
Situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.
Porti i Durrësit
Si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.
Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.
Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.
‘Ushtroi detyrën me përkushtim deri në momentin e fundit’, Karakaçi reagon për elektricistin që humbi jetën në Himarë

Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi ka reaguar për elektricistin e OSHEE që humbi jetën ndërsa punonte në Himarë për rikthimin e energjisë. Teksa shpreh dhimbjen dhe ngushëllimin për familjarët, Karakaçi bën me dije se 54-vjeçari Bashkim Boçi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000.
Në fund, ai nderon edhe punën e sakrificën e punonjësit të ndjerë që humbi jetën në shërbim.
Postimi i plotë:
“Pas çdo rikthimi të energjisë, është kontributi i njerëzve që punojnë në kushte të rrezikshme, larg familjeve të tyre, për t’u shërbyer qytetarëve. Sot, një prej tyre nuk u kthye më.
Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen e jetës së kolegut tonë, Bashkim Boçi, i cili ra në krye të detyrës, ndërsa ishte i angazhuar në riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq në zonën e Himarës.
Bashkimi ishte pjesë e OSSH Elbasan që prej vitit 2000 dhe e ushtroi detyrën me përkushtim dhe profesionalizëm deri në momentin e fundit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij. Ndajmë dhimbjen me ta në këtë moment të vështirë dhe nderojmë me mirënjohje kontributin dhe sakrificën e Bashkim Boçit në shërbim të qytetarëve.
U prehtë në paqe”, shkruan Karakaçi.
Po punonte për lidhjen e energjisë pas stuhisë në Himarë, vdes elektricisti 54-vjeçar
Një elektricist 54-vjeçar që po punonte në Himarë për rikthimin e energjisë elektrike pas stuhisë së furishme të një nate më parë, ka ndërruar jetë.
Bashkim Boçi, i cili banonte në Elbasan, ishte pjesë e grupeve të gatishmërisë për sezonin turistik. Sipas burimeve nga OSHEE, dyshohet se ai ka rënë nga shtylla elektrike.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B, gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.




