Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka akuzuar qeverinë për mënyrën se si është zhvilluar projekti i Portit të Durrësit, duke kërkuar hetim të plotë nga SPAK dhe publikimin e kontratës me investitorin Mohamed Alabbar. Në një deklaratë për mediat, Kedhi tha se pranimi i vetë investitorit se projekti është ndërtuar “me nxitim” ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësitë dhe pasojat për shtetin shqiptar.
Sipas Kedhit, projekti i Portit të Durrësit u miratua pa tender, pa garë dhe pa dëgjesë publike, ndërsa një aset strategjik kombëtar u vu në funksion të një projekti privat. Ai ngriti shqetësimin se Shqipëria ka mbetur pa portin e saj kryesor tregtar, ndërsa Porto Romano ende nuk është funksional, duke e cilësuar situatën një rrezik ekonomik dhe për sigurinë kombëtare.
Nënkryetari i PD-së deklaroi se qeveria premtoi miliarda euro investime, mijëra vende pune dhe një projekt që “edhe Monako do ta kishte zili”, por sipas tij realiteti është krejt ndryshe. Ai pretendoi se godinat e para po shfaqin probleme strukturore dhe se modeli financiar i projektit mbështetet në pagesat e qytetarëve që kanë blerë apartamente ende në ndërtim.
Kedhi kërkoi që të bëhet publik i gjithë dokumentacioni i marrëveshjes me grupin Alabbar, përfshirë klauzolat e arbitrazhit, afatet dhe detyrimet e shtetit shqiptar. Ai i bëri thirrje SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet për atë që e cilësoi “aferën më të madhe të këtyre viteve”, duke theksuar se përgjegjësit duhet të japin llogari.
Në vijim, Kedhi paraqiti edhe vizionin e Partisë Demokratike për zhvillimin e porteve shqiptare, duke propozuar modelin e “Interportit”, me porte moderne të lidhura me hekurudhë, rrugë dhe korridoret europiane të transportit. Sipas tij, ky model do të nxisë prodhimin, eksportet, investimet në industri dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në përfundim, ai deklaroi se për Partinë Demokratike Porti i Durrësit nuk është truall për ndërtime, por një aset strategjik që i përket qytetarëve shqiptarë dhe duhet të vihet në shërbim të ekonomisë kombëtare.
Deklarata e Plotë:
‘Gabova në Shqipëri. Ndërtova shumë shpejt.’ Këto fjalë nuk i tha opozita. I tha vetë Mohamed Alabbar, investitori të cilit Edi Rama i dorëzoi Portin e Durrësit.
Kur vetë investitori pranon se projekti u bë me nxitim, dikush duhet t’u përgjigjet shqiptarëve: kush e mori vendimin, kush mban përgjegjësinë dhe kush do ta paguajë faturën? Kush përgjigjet për vendin që mbeti pa portin e vet kryesor? Kush paguan nëse nesër arbitrazhi na kushton qindra miliona euro nga taksat tona? Dhe kush u përgjigjet familjeve që dhanë kursimet për apartamente në letër?
Në vitin 2021, Porti i Durrësit, pika kryesore e tregtisë së jashtme të Shqipërisë dhe një aset strategjik për një vend anëtar të NATO-s, priste investime për modernizimin e tij. Në vend të modernizimit, Edi Rama vendosi që porti t’i hapte rrugë një projekti privat prej miliarda euro.
Pa tender. Pa garë. Pa dëgjesë publike.
Një nga asetet më strategjike të Shqipërisë u trajtua si pronë private e kryeministrit. Sot, disa vite më vonë, vetë investitori pranon se ka gabuar.
U propagandua me të madhe se dhe Monako do na kishte zili, dhjetëra mijëra vende pune do hapeshin e miliarda euro investime do vinin. Ndërkohë, situata sot është dramatike. Godinat e para janë duke u fundosur, sipas vetë institucioneve shqiptare, ndërsa modeli financiar i projektit tregon se një pjesë e rëndësishme e ndërtimit mbështetet te paratë e blerësve që kanë paguar apartamente në ajër.
I gjithë risku, dhe i gjithë dëmi është lënë në supet e qytetarëve shqiptarë.
Dhe mbi të gjitha, Shqipëria është në një situatë absurde: porti ekzistues i paralizuar, ndërsa alternativa që do duhet ta zëvendësonte nuk ekziston. Porto Romano është një tjetër aferë e rëndë që prek paratë e shqiptarëve, por dhe sigurinë e tyre kombëtare.
Kjo nuk është vetëm çështje mashtrimi financiar. Është një emergjencë ekonomike, strategjike dhe kombëtare.
Read more:65 ditë protestë! Jehojnë thirrjet e qytetarëve: Rama n’burg, Berisha n’burg!
Partia Demokratike ka kërkuar vazhdimisht transparencë, hetim dhe publikimin e plotë të kontratës me grupin Alabbar, përfshirë klauzolat e arbitrazhit, afatet dhe të gjithë detyrimet e shtetit shqiptar.
Ne i bëjmë thirrje edhe një herë SPAK që të nisë hetimet menjëherë për aferën më të madhe të ndodhur në këto vite, dhe t’u përgjigjet thirrjeve të qytetarëve shqiptarë për të vepruar kundër korrupsionit dhe shitjes së interesave kombëtare.
Nuk mund të ketë heshtje, kur një aset strategjik kombëtar jepet pa garë, kur vendi mbetet pa port dhe kur qytetarët do përballen me faturën e kripur të vendimeve antikombëtare të qeverisë. Kjo çështje duhet të hetohet deri në fund dhe përgjegjësit duhet të japin llogari.
Sot përballë çdo shqiptari janë dy vizione shumë të qarta për vendin tonë. Nga njëra anë betoni, klientelizmi, vjedhjet, shpopullimi, dhe trajtimi i Shqipërisë si pronë private. Dhe nga ana tjetër vizioni ynë, bindja jonë për Shqipërinë Prodhuese, të punës, inovacionit, meritokracisë. Ne kemi një alternativë diametralisht të kundërt me të Ramës për Durrësin, Vlorën dhe të gjithë ekonominë shqiptare.
Për ne, porti nuk është truall për kulla. Porti është porta hyrëse e një korridori ekonomik. Është porta e Ballkanit drejt Europës.
Vizioni ynë është Interporti: porte moderne të lidhura drejtpërdrejt me hekurudhë dhe rrugë me Tiranën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Korridorin VIII; me terminale kontejnerësh, zona industriale dhe logjistike, dogana të digjitalizuara dhe lidhje të drejtpërdrejta me tregjet europiane.
Kjo sjell vende pune në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe më tej. Punë në logjistikë, transport, teknologji, përpunim dhe industri. Kjo bën që fermeri shqiptar të çojë prodhimin më shpejt dhe më lirë në Europë. Kjo bën që sipërmarrësi shqiptar mos të mbytet nga kostot e transportit dhe burokracisë.
Prodhimi shqiptar nuk do të ngecë në magazina, por do dalë në tregjet europiane. Kjo është Shqipëria Prodhuese.
Aty ku kalojnë mallrat, hapen fabrikat. Aty ku hapen fabrika, krijohen vende pune. Dhe aty ku ka punë, konkurrencë, dhe perspektivë, njerëzit qëndrojnë. Ky është ndryshimi mes dy modeleve.
Read more:S’furnizohen me ujë, çezma e fshatit i vetmi vend ku shuajnë etjen 400 familje në Kreshpan të Fierit
Ata shohin beton. Ne shohim punë, prodhim, eksport dhe sovranitet ekonomik.
Ata shohin klientë. Ne shohim qytetarë, familje, fermerë dhe sipërmarrës.
Ata e panë Portin e Durrësit si truall për kulla. Për ne porti është ekonomia e një kombi.
Porti i Durrësit nuk i përket asnjë kryeministri dhe asnjë investitori. U përket shqiptarëve. Dhe ne të gjithë së bashku do ua kthejmë atyre.




