Pasi u duk se vendi më në fund ra disi në qetësi pas disa ditëve betejë me flakët, Kruja po përballet me një situatë të vështirë nga zjarret. Një vatër zjarri e shkaktuar nga dora e njeriut ka marrë përmasa të mëdha duke rrezikuar banesat dhe bizneset. Nga flakët kërcënohet edhe spitali, pasi një vatër raportohet vetëm 50 metra larg qendrës spitalore.
Qindra banorë janë detyruar të lënë banesat dhe në zonën e Barabit e Llubanit ka nisur evakuimi i tyre. Për shkak të rrezikut nga flakët, në 5 lagje është stakuar energjia elektrike. Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore.
Autori i zjarrëvënies Qemal Berhami është vënë në pranga. Ai i kishte vënë flakën barishteve pranë shtëpisë së tij, por zjarri është përhapur duke rrezikuar banorët e Krujës. Terreni i thepisur vështirësoi punën e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve. Gjatë ditës është punuar me 3 helikopterë për shuarjen e flakëve, por në mbërmjë ndërhyrja nga ajri është ndërprerë.
Zjarret u rikthyen pasdite edhe në Mallakastër, ku për disa ditë flakët dogjën sipërfaqe të tëra me pyje. Flakët u riaktivizuan në Panahor, kurse në fshatin Koilaç u shfaqur një vatër e re.
Të ndihmuara nga era, flakët u përhapën me shpejtësi duke djegur sipërfaqe të tëra me bimësi dhe po u afroheshin banesave. Policia ndërhyri menjëherë për evakuimin e disa familjeve.
Shërbimet zjarrfikëse nga toka dhe ndërhyrja nga ajri e një avioni zjarrfikës izoluan flakët duke shmangën rrezikun për zonat e banuara.
Banorët largohen nga Kruja, ndërpritet energjia elektrike! Dy banesa të djegur, disa qytetarë refuzojnë evakuimin

Me mijëra banorë po evakuohen dhe largohen nga lagjet e Krujës për shkak të zjarrit masiv. Ka shkëputje të energjisë në gjithë qytetin.
“Situata është shumë e keqe. Shteti s’ka marrë asnjë lloj mase. Kjo lagje mund të ketë mbi 100 shtëpi, pa shkuar te pallatet. Dy banesa janë djegur”, tha një banor i lagjes Barabit.
Barabiti raportohet të jetë ndër më të rrezikuarat. Ndërkohë disa banorë kundërshtojnë të largohen nga banesat dhe po nxirren me forcë.
Zjarret/ Evakuohen banorët në Krujë, ministrat Nufi dhe Lamallari ndjekin nga afër operacionet në terren: Bashkëpunoni me ne, s’ka gjë më të shenjtë se jeta

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari në terren në Krujë, ku po ndiqet nga afër situata e krijuar nga zjarri dhe po koordinohen operacionet e emergjencës.
Ndërkohë autoritetet bëjnë apel qytetarëve të bashkëpunojnë me Forcat e Armatosura dhe strukturat e Policisë së Shtetit, veçanërisht në procesin e evakuimit, duke zbatuar udhëzimet e autoriteteve dhe duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e tyre.
“Ju lutem, kemi bërë thirrje vazhdimisht për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit për t’u evakuuar. E kuptojmë që pasuria, prona e bërë me shumë mund e kursime gjatë jetës suaj janë të shtrenjta, por nuk ka gjë më të shenjtë sesa vetë jeta. Bashkëpunoni me forcat e policisë, për jetën tuaj, familjarët tuaj dhe forcat e policisë!”, tha Lamallari.
“Ne jemi këtu, kemi marrë çdo masë, por jeta juaj është prioritet! Dëgjoni thirrjen e Forcave të Armatosura për t’u evakuuar”, theksoi Nufi.
Mallakastër/ Mes flakëve e panikut, zjarrfikësi qetëson fëmijën e frikësuar (VIDEO)
Ndërsa dy vatra zjarri ende digjen në Mallakastër, një zjarrfikës ka gjetur edhe momentin për të lënë paksa mënjanë punën e tij me flakët.
Gjatë evakuimit të banorëve në Koilaç, një vend ku ka vatër zjarri, Ardit Sulaj, i cili ishte angazhuar me një familje, është përpjekur të qetësojë një fëmijë të frikësuar. Ai e mban në krahë, i jep ujë fëmijës që qan dhe luan me të, në përpjekje për t’i larguar frikën nga situata.
Arrestimi i autorit të zjarrit në Krujë, 73-vjeçari e ndezi për të djegur bar (EMRI)
Qemal Berhami është i arrestuari për zjarrin që ende po digjet në Krujë. 73-vjeçari është banor i lagjes ‘Abaze’, e cila është mjaft e rrezikuar nga flakët. Ai e ka ndezur zjarrin për të djegur bar, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe era i ka përhapur drejt zonave të banuara.
Njoftimi i policisë
Ndezi zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në drejtim të malit të Krujës, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në lagjen “Abaze”, Krujë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin Q. B., 73 vjeç, banues në lagjen “Abaze”, Krujë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 08.08.2026, në afërsi të banesës së tij, ka ndezur zjarr për djegien e një sasie bari, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.
Falë angazhimit të forcave në terren, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
Intensifikohet zjarri në Krujë, urdhër evakuimi për banorët e Llubanit e Barabit (VIDEO)
Zjarri në Krujë ka marrë hov të ri. Vatra e zjarrit, e favorizuar nga era është shpërndarë dhe kërcënon një numër të konsiderueshëm banesash në disa lagje si Lluban e Barabit.
Në këto zona është lëshuar urdhër evakuimi duke u dhënë prioritet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve në zona të izoluara.
Urdhri i evakuimit
Në kuadër të situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës së Barabit, Lluban, në Bashkinë Krujë.
Procesi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, me mbështetjen e MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Lutemi, me prioritet fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.
Banorët e zonës duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave.
Zjarri në Krujë, arrestohet autori! Lamallari: Do të përballet me pasojat ligjore! Janë evakuuar banorët në afërsi të vatrës

Autori i zjarrit që rrezikon banesat në Krujë, është vënë në pranga, njofton ministri i Brendshëm Besfort Lamallari. Ai thekson se autori do të përballet me pasojat ligjore për veprën penale.
“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale. Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, shprehet Lamallari.
Sipas ministrit, pas kërkesës së pushtetit vendor, Policia e Shtetit ka marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.
“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaron ministri i Brendshëm.
Mallakastër/ Panahori nuk gjen qetësi, riaktivizohet vatra e zjarrit (VIDEO)
Zjarri në Panahor është riaktivizuar këtë mbrëmje. Vetëm disa orë më parë, u ndez një vatër e re në Koilaç të Mallakastrës dhe flakët po përhapeshin edhe drejt Panahorit.
Zjarri në Krujë, Nufi: I shkaktuar nga njeriu, 3 helikopterë po punojnë për shuarjen

Zjarri në fshatin Abaze në Krujë që kërcënon banesat është i shkaktuar nga dora e njeriut, bën me dije ministri Ermal Nufi. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forca zjarrfikëse nga toka dhe 3 helikopterë.
“Në zonën e Abazës në Krujë, bashkë me kolegun Besfort Lamallari, Drejtorin e AKMC dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve duke ndjekur nga afër situatën e zjarrit të shkaktuar fatkeqësisht nga dora e njeriut. Që prej pasdrekes, po punohet intensivisht me mbështetje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore.
Shumë mirënjohje dhe respekt për pilotët e forcës ajrore dhe efektivët MZSH Krujë, Kamëz, Tiranë dhe Vorë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara. Për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të zjarrit”, shkruan Nufi.
Zjarri në Koilaç të Mallakastrës, nis ndërhyrja me avion! S’ka më rrezik për banesat (VIDEO)
Në Koilaç të Mallakastrës ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve pasi është angazhuar një avion zjarrfikës.
Fatmirësisht, rreziku që paraqitej më parë për banesat është larguar. Si masë mbrojtëse, policia i evakuoi menjëherë banorët.
Ndërkohë, pamjet me dron tregojnë shkallën e sipërfaqes së djegur.
Zjarri në Krujë, Nufi e Lamallari ndjekin nga afër situatën (VIDEO)
Ministrat Ermal Nufi dhe Besfort Lamallari kanë qenë në Krujë për të ndjekur nga afër situatën e zjarrit që nisi rreth pasdites.
Ndërhyrja për shuarjen e flakëve vijon ende, teksa në ndihmë janë edhe dy helikopterë.
Riaktivizohet vatra e zjarrit në Dajt, nis ndërhyrja nga ajri (VIDEO)
Zjarri në rrëzë të Dajtit, është riaktivizuar pasditen e sotme. Vatra ndodhet midis Dajtit dhe Priskës. Ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter për shuarjen e flakëve.
Mbrëmjen e së premtes, u raportua se kjo vatër ishte shuar.
Vatër e re zjarri në Mallakastër, rrezikohen banesat në fshatin Koilac! Digjen sipërfaqe të mëdha toke, evakuohen disa familje (VIDEO)
Një vatër e re zjarri është rishfaqur në Mallakastër, këtë herë në Koilac. Policia ka ndërhyrë menjëherë për evakuimin e disa familjeve pasi flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha toke dhe rrezikojnë banesat e banorët.
Për shkak të erës së fortë, flakët po favorizohen në përhapjen e tyre në drejtim të zonave të banuara, ndërsa deri tani zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi.
Të gjitha strukturat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve të zjarrit të cilat për shkak të erës po përhapen në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan.
Njëkohësisht, grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Zjarr në kufirin mes dy fshatrave në Gjirokastër, izolohet vatra! Digjen 3 hektarë sipërfaqe me bimësi (VIDEO)
Një zjarr i madh përfshiu kufirin mes fshatrave Golem e Progonat në Gjirokastër. Vatra, tashmë e izoluar dhe drejt shuarjes, ndodhet në majë të malit, në një terren tejet të vështirë.
Nga zjarri u përshkua një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh me bimësi shkurre e barishte.
Shërbimi zjarrfikës vijon të jetë në vendngjarje për monitorimin e territorit për ndonjë riaktivizim të mundshëm.
Zjarri në Krujë, banorët përpiqen të ndihmojnë me mjete rrethanore: Rrezikohen 35 shtëpi, jemi mbi 500 vetë (VIDEO)
Vatra e re e zjarrit që nisi rreth një orë më parë në Krujë, është mjaft agresive. Banorët e zonës tregojnë për Report Tv se u janë bashkuar përpjekjeve të zjarrfikësve e helikopterëve për shuarjen e flakëve, por është mjaft e vështirë. Në këtë zonë janë rreth 30-35 banesa.
“Ka nja një orë që ka filluar zjarri. Janë ngritur banorët, kanë ardhur dy helikopterë. Banorët, me mjete rrethanore, janë përpjekur të fikin zjarrin. Shtëpitë këtu sipër janë komplet në rrezik, rrezikohen mbi 30-35 banesa, ullishte”, thotë një prej tyre.
Një tjetër banor tregon se po përdorin çdo mjet rrethanor që kanë në dorë për të luftuar me flakët që rrezikojnë shtëpitë ku jetojnë rreth 500 banorë.
“Jemi këtu me hunj, lopata e dhe duke u përpjekur ta shuajmë, por nuk shuhen. Jemi mbi 500 banorë vetëm këtu”, shton banori.
Situatë kritike në Krujë, zjarri përfshin pyllin në shpatin e malit, rrezikohen 30 banesa! Kërkohet ndërhyrje nga ajri (VIDEO)
Një zjarr i madh ka rënë në Krujë duke përfshirë pyllin në shpatin e malit. Flakët, të favorizuara nga era, rrezikojnë rreth 30 banesa në fshatin Abaze.
Situata është kritike pasi zjarri është fare pranë spitalit dhe po përhapet drejt majës së malit.
Kërkohet ndërhyrje nga ajri për të shuar flakët.




