Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale, një vit pas ngjarjes së 9 gushtit 2025, kur “News24” u përball me ndërprerjen e sinjalit dhe atë që Meta e cilëson si “agresion të armatosur”.
Meta shprehet se ngjarja nuk goditi vetëm një televizion, por sipas tij, lirinë e fjalës dhe pavarësinë e medias në Shqipëri. Ai pretendon se situata është përkeqësuar gjatë këtij viti, duke iu referuar edhe raporteve ndërkombëtare për lirinë e medias.
Sipas ish-Presidentit, gazetarët e pavarur përballen me intimidim, kërcënime dhe sulme, ndërsa zërat kritikë ndaj qeverisë etiketohen si kundërshtarë.
“Një demokraci nuk matet me numrin e televizioneve që transmetojnë, por me lirinë që kanë për të thënë të vërtetën, sidomos atë të vërtetë që pushteti nuk dëshiron ta dëgjojë”, shkruan Meta.
Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se e sheh median e pavarur si kërcënim dhe thekson se gazetaria, sipas tij, nuk mund të zëvendësohet nga propaganda.
“Gazetaria nuk është propagandë. Gazetaria është e vërteta, pyetja, kritika dhe llogaridhënia”, shprehet Meta.
Në vijim të reagimit, ish-Presidenti bën thirrje për mbrojtjen e gazetarëve profesionistë dhe medias së pavarur, duke argumentuar se kushtet e punës dhe liria e një gazetari nuk duhet të varen nga vullneti i një politikani, qeverie apo oligarku.
Meta e lidh situatën e medias edhe me zhvillimet politike në vend, duke deklaruar se largimi i qeverisë aktuale nga pushteti është, sipas tij, “një domosdoshmëri për të shpëtuar demokracinë, lirinë e medias dhe të drejtën e çdo shqiptari për të dëgjuar të vërtetën”.
Në përfundim, ai thekson se liria e shprehjes dhe pavarësia e medias janë ndër shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike dhe se çdo regres në këtë drejtim është i papranueshëm për Shqipërinë, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.




