Në Shqipëri janë aktualisht aktive 5 vatra zjarri. Situata më problematike paraqitet në Krastë të Krujës, ku në anën veriore të malit, flakët po përhapen me shpejtësi.
Helikopteri i Forcave të Armatosura është rikthyer në operacion, pasi në këtë zonë, në fshatin Zidoll, ndodhen depot e eksplozivit nga ku furnizohen guroret, të cilat janë të rrezikuara.
Forcat zjarrfikëse të Krujës kanë krijuar një perimetër sigurie për të mos lejuar afrimin e flakëve pranë depove. Po ashtu nga flakët rrezikohet edhe Lagjia e Selimëve, që ndodhet poshtë vatrës së zjarrit.
Në operacionin për shuarjen e flakëve, veç helikopterit dhe forcave zjarrfikëse, po marrin pjesë edhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, vatra të tjera aktive zjarri në Shqipëri vijojnë të jenë edhe në Vilëz të Kurbinit, në Cikallesh të Kavajës dhe në Panahor të Mallakastrës.
Situata përmirësohet në Klos, zjarri i madh drejt fikjes, shmanget rreziku për banesat
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu pasditen e sotme fshatin Kujtim të Bashkisë Klos është drejt fikjes. Pas ndërhyrjes së forcave në terren, situata është vënë nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura. Flakët nisën fillimisht në barishte, më pas u përhapën në një zonë të pyllëzuar, duke djegur edhe pemë frutore dhe duke iu afruar banesave por tani duket se rreziku është shmangur
Krujë, zjarri riaktivizohet nga era, banorët dalin në ndihmë të zjarrfikësve (VIDEO)
Një vatër zjarri është riaktivizuar pasditen e sotme në lagjen Abaze të qytetit të Krujës, në vendin e quajtur “Kroi i Madh”.
Paraprakisht dyshohet se flakët janë riaktivizuar nga era, e cila mund të ketë ndezur një trung që nuk ishte shuar plotësisht.
Në zonë kanë ndërhyrë banorët me mjete rrethanore, së bashku me forcat zjarrfikëse, pasi terreni e bën të pamundur ndërhyrjen me mjete.
Ndërkohë, vijon të jetë aktive edhe vatra e zjarrit në Krastë, në afërsi të depove të eksplozivit. Helikopteri zjarrfikës po vijon punën ndërkohë që situata përshkruhet shumë e vështirë për tu mbajtur nën kontroll nga toka.
Zjarri i madh në Klos, flakët përhapen pranë banesave, banorët kërkojnë më shumë forca zjarrfikëse në terren
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Kujtime, në lagjen Grkaj, në Njësinë Administrative Kurdar, Bashkia Klos.
Fillimisht, flakët janë shfaqur në disa sipërfaqe me barishte, por më pas zjarri ka dalë jashtë kontrollit. Si pasojë, janë djegur disa mullare me bar dhe pemë frutore, ndërsa flakët janë përhapur në një zonë me pyll pranë fshatit dhe po afrohen rrezikshëm drejt banesave.
Në vendngjarje ndodhen punonjës të Bashkisë Klos, forcat zjarrfikëse, banorë të zonës, si dhe shërbimet e Policisë, të cilat po ndihmojnë në përballimin e situatës.
Banorët kanë bërë apel për shtimin e forcave në terren, pasi zjarri vijon të përhapet dhe rreziku për banesat mbetet i lartë.
Ndërkohë, paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Policia ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies se zjarrit.
Sërish flakë në Krastë të Krujës, ndërhyn edhe helikopteri! Zjarri pranë depove të eksplozivit, vendoset perimetër sigurie
Zjarri në Krastë të Krujës është rishfaqur dhe është përhapur në masiv pyjor. Mësohet se helikopteri i ushtrisë është rikthyer për të vijuar me ndërhyrjen pasi në këtë zonë gjenden depo eksplozivi. Forcat zjarrfikëse të Krujës kanë krijuar një perimetër sigurie për të mos i lënë flakët të afrohen pranë depove.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren po operojnë 50 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Megjithatë, nuk ka rrezik për banesat. Po ashtu Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se aktualisht në vend mbeten aktive 5 vatra zjarri, 4 prej të cilave në monitorim.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes – informim mbi situatën e zjarreve
(Përditësim deri në orën 14:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse dhe 153 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Dajt, zona vijon të mbahet në monitorim.
Në Cikallesh, bashkia Kavajë, zjarri është shuar plotësisht dhe po mbahet nën monitorim, ndërsa në Priskë e Madhe vijon puna me 4 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe mbështetjen e 1 helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Mallakastër, vatrat në Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar plotësisht dhe po mbahen në monitorim. Edhe zjarri në Drenie, bashkia Patos, është vënë nën kontroll të plotë dhe vijon monitorimi.
Në Krujë, zjarri në Abaze vijon aktiv, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në Krastë, zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në masiv pyjor; në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, ndërhyrja e forcave vendore dhe 35 efektivëve të FA-së bëri të mundur shuarjen e plotë të zjarrit në orën 13:00.
Aktive mbeten gjithashtu vatrat në malin e Nemëçkës, bashkia Përmet, dhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe. Të dyja ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, por nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në të gjitha vatrat aktive puna vijon, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.
Mallakastër/ Merr fund beteja me flakët, nuk ka më vatra aktive zjarri në Drenie dhe Vlosh (VIDEO)
Situata e zjarreve në zonën pyjore të Drenies, në kufirin mes bashkive Patos dhe Roskovec, paraqitet e qetësuar. Burime nga terreni konfirmojnë se aktualisht nuk ka më vatra aktive zjarri në pyllin me pisha të kësaj zone.
Edhe pse flakët janë shuar, në disa zona vijojnë të shfaqen vatra të vogla që nxjerrin tym, kryesisht nga trungje dhe dru të djegur. Forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë menjëherë për t’i shuar ato, me qëllim që të mos krijohet mundësia e riaktivizimit të zjarrit nga era.
Burimet nga terreni bëjnë me dije se situata mbetet nën kontroll dhe se nuk ka më fronte apo vatra aktive zjarri në pyllin me pisha të zonës së Drenies dhe Vloshtit.
Forcat që morën pjesë në operacion vijojnë monitorimin e territorit, pasi rreziku i riaktivizimit mbetet i pranishëm për shkak të temperaturave të larta, terrenit të djegur dhe erës që vijon të fryjë.
Aktualisht, në zonë vërehen kryesisht drurë të djegur që vijojnë të nxjerrin tym, të cilët po shuhen nga ekipet në terren për të garantuar izolimin përfundimtar të zjarrit.
Zjarri në Krastë të Krujës, 50 efektivë në terren për izolimin e plotë të flakëve! Pamjet nga ajri tregojnë zonën e djegur (VIDEO)
Flakët në Krastë të Krujës janë vënë nën kontroll. 50 efektivë janë angazhuar për izolimin e plotë të zjarrit, një ndërhyrje e zhvilluar në terren të vështirë, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Pamjet nga lart tregojnë edhe sipërfaqen e djegur dhe tymin që ngrihet në këtë zonë.
Siç është raportuar më herët, tani zjarri nuk i kërcënon më banesat.
“50 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në Krastë të Krujës, ku prej ditës së djeshme po punohet për izolimin e plotë të zjarrit.
Situata aktualisht është nën kontroll, ndërsa ndërhyrja është zhvilluar në një terren të vështirë.
Efektivët e Forcave të Armatosura, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë të qëndrojnë në terren për monitorimin e vatrave dhe ndërhyrjen në rast nevoje.
Zjarri në Drenie të Patosit dhe në zonën e Mallakastrës, më shumë se 40 forca po punojnë për shuarjen e flakëve (VIDEO)
Zjarrfiksësit kanë vijuar punën edhe mëngjesin e sotëm për izolimin e vatrës së zjarrit në zonën e Mallakastrës dhe në Drenie, bashkia Patos.
Më shumë se 40 forca zjarrfikëse janë angazhuar për fijen e plotë dy zjarreve.
Xh.K/R.Xh/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA