Pushimet në Ksamil do të ishin të fundit për turistin portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra në orët e para të së martës rreth orës 02:30 nga një punonjës brenda ambineteve të beach bar’-it ‘Principotes.’ Një konflikt i dyshuar për një vajzë me Sokrat Vatën, përshkallëzoi deri në vrasjen e 21-vjeçarit.
Që prej mbrëmjes të së hënës,i riu ndodhej bashkë me miqtë e tij në klubin e natës së vetë kompleksit, të quajtur “La Guerre”(Lufta) ku organizohej një festë me DJ francez. Në këtë pjesë të kompleksit, ndodhi edhe konflikti me njërin prej punonjësve.
Një nga detajet më tronditëse të ngjarjes është fakti se trupi i turistit dyshohet se është lënë jashtë për gati tre orë, deri në momentin kur u zbulua dhe policia mbërriti në vendngjarje. Burimet bëjnë me dije se Luis Miguel Varela Mendes kishte marrë disa goditje me mjet prerës në shpinë dhe në kraharor, plagë të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.
Pasi u largua nga vendi i ngjarjes Vata u kap vetëm pas pesë orësh në Levan të Fierit, teksa përpiqej të arratisej fshehur në bagazhin e një makine, ku shoferja 31-vjeçare dhe pasagjeri 38-vjeçar, ishin turq. Edhe 2 shtetasit turq u arrestuan. Destinacioni i tyre njofton policia ishte Tirana.
Dy shtetasit turq kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore me Vatën.
Ata kanë deklaruar se e paguanin 29-vjeçarin për shërbime sigurie, si bodigard dhe shoqërues personal. Po ashtu, dy shtetasit turq kanë pretenduar se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin me të.
“Ishim miq dhe e shoqëruam për shkak të miqësisë”, mësohet të kenë thënë ata para oficerëve të Policisë gjatë marrjes në pyetje.
Për ngjarjen është arrestuar edhe polici Moisid Matushaj, i cil punonte si truprojë te ‘Principotes’, kurse një tjetër është shpallur në kërkim. Në total për ngjarjen, Policia ka njoftuar se ka arrestuar 11 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Bekim Bulica, pronari në hije i ‘Principotes’.
Sipas raportimeve, 29-vjeçari Vata, i cili banonte në Has dhe ishte i punësuar në ‘Principotes’, nuk ishte i panjohur për autoritetet, pasi më herët ka pasur probleme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku ishte dënuar në vitin 2024 për trafik droge. Rrethanat e lirimit të tij nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike të Ksamilit. Policia ka shoqëruar 42 persona ,mes tyre pjesë të personelit dhe klientë.
Ndërkohë pas ngjarjes, disa pushues në Ksamil shprehën tronditjen nga vrasja e 21-vjeçarit me thikë.
“Është një ngjarje e rëndë, jemi me pushime me fëmijët! Si t’i themi që është vrarë dikush, ata do të tremben”, tha një pushues.
‘Principotes’ është një kompleks luksoz buzë detit në Rivierën Shqiptare, i vendosur përballë Tre Ishujve. Ai ofron një plazh privat me shezlongë, restorant, bar dhe ambiente relaksi. Vendi i njohur për pamjen e bukur dhe ujërat e pastra të Jonit mbetet një nga destinacionet kryesore për turistët dhe vendasit.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Vrasja e turistit portugez në Ksamil/ Arrestohen 11 persona! Në kërkim 2 të tjerë, mes tyre edhe pronari ‘në hije’ i ‘Principotes’! Ndihmësi kryesor i autorit Sokrat Vata, i riu u dhunua edhe nga kamarierët (EMRAT)

11 persona janë vënë në prangat e Policisë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, lidhur me vrasjen e turistit 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes brenda ambineteve të ‘beach bar’-it ‘Principotes’ në Ksamil.
Mes personave të shpallur në kërkim është edhe pronari ‘në hije’ i beach-barit ‘Principotes’, Bekim Bulica. Për dokumentimin e ngjarjes, Policia njofton se shoqëroi në total 41 persona.
Turisti portugez u vra me thikë nga Sokrat Vata, pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur pas ngacmimit të një vajze. Konflikti kishte nisur brenda ambienteve të ‘Principote’ dhe pastaj u zhvendos në plazhin e beach-barit ‘Paradise’, aty ku dyshohet se Vata e qëlloi disa herë me thikë portugezin.
Policia njofton se bashkëpunëtori kryesor në vrasjen e turistit portugez është shtetasi David Heurtevent, banues në Tiranë, i cili sipas ‘Bluve’ e ka goditur me grushta 20-vjeçarin, në momentin që Vata e ka qëlluar me thikë.
Në konflikt janë përfshirë edhe kamarierët e lokalit, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani, të cilët sipas Policisë po ashtu e kanë sulmuar më herët me grushta turistin portugez dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Autori i dyshuar i vrasjes, 29-vjeçari Sokrat Vata, u kap disa orë pas krimit në Levan të Fierit, ku ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke 31 vjeçe, ndërsa në automjet ndodhej edhe një 38-vjeçar, po me shtetësi turke.
Shtetasit turqi Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak deklaruan pasi u pyetën në Polici se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore me Vatën.
Ata kanë deklaruar se e paguanin 29-vjeçarin për shërbime sigurie, si bodigard dhe shoqërues personal. Po ashtu, dy shtetasit turq kanë pretenduar se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin me të.
“Ishim miq dhe e shoqëruam për shkak të miqësisë”, mësohet të kenë thënë ata para oficerëve të Policisë gjatë marrjes në pyetje. Dy personat dyshohet se e kishin fshehur 29-vjeçarin me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës.
Njoftimi i Policisë:
Ksamil, Sarandë-Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.
Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.
Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;
N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;
S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;
E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;
I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;
M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;
M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;
L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;
R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;
K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezulton se:
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Vrasja e turistit portugez në Ksamil, zbardhet dëshmia e dy turqve për Sokrat Vatën: E paguanim si bodigard dhe shoqërues personal (EMRAT)

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e turistit portugez 21-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Dy shtetasit turq, një vajzë dhe një djalë, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilët u arrestuan pasi u kapën duke transportuar autorin e dyshuar, Sokrat Vatën, kanë dhënë dëshminë e tyre para hetuesve.
Sipas burimeve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të kompleksit “Principotes” dhe se me 29-vjeçarin kishin krijuar një marrëdhënie shoqërore. Në dëshminë e tyre kanë pohuar se e paguanin Vatën për shërbime sigurie, si truprojë dhe shoqërues personal.
Mahmutoglu dhe Perlak kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur në Ksamil dhe se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të miqësisë që kishin me të.
29-vjeçari Sokrat Vata u arrestua rreth pesë orë pas krimit në Levan të Fierit, ku u gjet i fshehur në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin dy shtetasit turq. Ai dyshohet se vrau me thikë turistin portugez pas një konflikti të nisur në ambientet e kompleksit “Principotes” në orët e para të mëngjesit. Për ngjarjen vijojnë hetimet, ndërsa policia ka arrestuar edhe dy shtetasit turq për dyshimet se ndihmuan autorin të largohej pas krimit.
Tentoi të arratisej pas vrasjes së portugezit, kjo është makina e turqve që po transportonin autorin drejt Tiranës (VIDEO)
Report Tv ka siguruar pamjet e makinës që dy turqit përdorën për transportimin e 29-vjeçarit pas vrasjes së portugezit te ‘Principotes’.
Sokrat Vata ishte i fshehur në bagazhin e makinës me targa të huaja, ndërsa u arrestua nga policia në Levan.
Dy turqit, një 31-vjeçare dhe një 38-vjeçar, të cilët u arrestuan nga Policia, synonin të sillnin Vatën drejt Tiranës.
Vrasja me thikë e portugezit/ Punonte si bodyguard te ‘Principote’, arrestohet polici!

Pas vrasjes me thikë të 21-vjeçarit portugez te ‘Principotes’, është arrestuar Moisid Matushaj, inspektor te kufiri gjelbër Gjirokastër.
Sipas informacioneve efektivi punonte si bodyguard te ‘Principote’.
Vrasja e 21-vjeçarit nga punonjësi i ‘Principotes’, 42 të shoqëruar! Mes tyre personel dhe klientë

Pas vrasjes së 21-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes nga një punonjës i ‘Principotes’, policia ka shoqëruar 42 persona.
Mes tyre janë personel dhe klientë të kompleksit luksoz.
U kap në Levan pesë orë pas vrasjes së portugezit, 29-vjeçari shoqërohej nga dy turq (VIDEO)
Policia ka zbardhur të tjera detaje nga arrestimi i 29-vjeçarit që vrau me thikë të riun portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Teksa po tentonte të arratisej, Sokrat Vata u kap pas pesë orësh në Levan nga shërbimet e policisë i fshehur në bagazhin e një makine.
Automjeti drejtohej nga një 31-vjeçare turke, ndërsa pasagjer ishte një 38-vjeçar gjithashtu turk. Në video dallohet sesi Vata mban ende të njëjtat veshje me të cilat kreu krimin, pasi pantallonat kanë njolla gjaku. 31-vjeçarja del e tmerruar nga makina, por më pas përfundon në pranga.
“Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi sot policia.
Vrau 21-vjeçarin portugez në Ksamil, Report Tv siguron pamje të arrestimit të Sokrat Vatës
Report Tv ka siguruar pamje të arrestimit të Sokrat Vatës që vrau me thikë 21-vjeçarin portugez Luis Miguel Varela Mendes në beach bar-in “Principotes” në Ksamil.
29-vjeçari u kap nga shërbimet e policisë në Levan, i fshehur brenda bagazhit të një automjeti. Shoferi dhe pasagjerja e automjetit ishin turq.
U vra nga punonjësi i ‘Principotes’ pas një konflikti për një vajzë, i riu kishte ardhur për një festë me DJ francezë (VIDEO)
Luis Miguel Varela Mendes, 21-vjeçari portugez që u vra mëngjesin e sotëm me thikë nga punonjësi i ‘Principotes’ kishte marrë pjesë në një festë që organizohej në këtë beach bar nën ritmet e një Dj të njohur francez.
Sipas burimeve i riu ishte në shoqërinë e disa miqve francezë, kur është përfshirë në një konflikt me Sokrat Vatën.
Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë.

Foto: Njoftimi për festën me DJ francez te ‘Principotes’
Vrau portugezin në Ksamil, arrestohet në Levan autori! Ishte fshehur brenda një bagazhi makine

Pas disa orësh arratisje ka marrë fund arratisja e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit që vrau me thikë 21-vjeçarin portugez Luis Miguel Varela Mendes.
29-vjeçari u kap nga shërbimet e policisë në Levan, i fshehur brenda bagazhit të një automjeti.
Vrasja e turistit portugez/ Sot njihet si ‘Principotes’, dikur quhej ‘Tortuga Bay’! Kompleksi luksoz i hapur në 2022 në pronësi të një 70-vjeçareje
Një 21-vjeçar u vra me thikë mëngjesin e sotëm në lokalin e Principotes’, një nga vendet më luksoze dhe më të frekuentuara në bregdetin e Ksamilit.
‘Principotes’ dikur i njohur me emrin ‘Tortuga Bay’ është një kompleks luksoz buzë detit i themeluar në vitin 2022, i vendosur përballë ‘Tre Ishujve’.
Në pronësi të një 70-vjeçareje, Kade Bulica nga Kukësi, ky kompleks ofron një plazh privat me shezlongë, restorant, bar dhe ambiente relaksi.
Klubi i natës në Principotes, mban një emër francez “La Guerre” (Lufta), ndërsa çdo të hënë, sipas njoftimeve në rrjetet sociale, organizohen “Netët franceze”. Pikërisht mbrëmjen e djeshme, ishte ftuar një DJ francez, ku i riu kishte shkuar për të festuar me disa miq.
Vrasja e 21-vjeçarit portugez në Ksamil, pushuesit: Ky është krim, si t’ia shpjegojmë fëmijëve (VIDEO)
Disa qytetarë që kanë zgjedhur të pushojnë në zonën bregdetare të Ksamilit shprehen se janë të tronditur nga vrasja e 21-vjeçarit portugez me thikë.
Njëri prej tyre thotë se ka fëmijë të vegjël dhe po ta marrin vesh do të tremben.
“Është një ngjarje e rëndë, jemi me pushime me fëmijët! Si ti themi që është vrarë dikush, ata do të tremben”, tha një pushues.
“Na vjen shumë keq që ndodhi. Ky është një krim”, tha një pushues.
Ndërkohë një tjetër pushuese thotë se në këtë zonë ka siguri, dhe që i vjen keq që ndodhi kjo ngjarje.
“Na erdhi shumë keq kur e kemi marrë vesh, pasi ata të bashkisë kujdesen për ne, ka shumë rregull”, tha pushuesja.
U vra me thikë nga 29-vjeçari në Ksamil, ky është vendi ku u gjet trupi i të riut portugez (VIDEO)
Zona bregdetare e Ksamilit u zgjua mëngjesin e sotëm nga një vrasje me thikë të një 21-vjeçari portugez.
Pamjet që shihni më sipër është vendi ku u gjet pa shenja jete trupi i Luis Miguel Varela Mendes.
Ndërkohë siç shihet edhe nga videot e siguruara nga Report Tv, policia ka rrethuar zonën ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
29-vjeçari, autori i dyshuar i vrasjes vijon të jetë ende në kërkim.
I dënuar në Angli për trafik droge, kush është 29-vjeçari nga Hasi që vrau portugezin në Ksamil

Foto: Sokrat Vata
Sokrat Vata, 29-vjeçari i identifikuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së një shtetasi portugez 21 vjeç në Ksamil, rezulton të ketë një të shkuar penale në Britaninë e Madhe.
Në një artikull të publikuar nga BBC në vitin 2024, raportohet se Vata ishte dënuar me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për një sërë veprash penale që lidheshin me trafikimin e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Sipas BBC, Vata, në atë kohë 27 vjeç, ishte përfshirë në dy ndjekje të veçanta nga policia britanike, në Cambridge dhe Kent. Një prej episodeve kishte ndodhur më 13 prill 2024, në A20 pranë East Malling. Sipas raportimit, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u ndoq nga efektivët. Gjatë ndjekjes, automjeti që drejtonte u përmbys. Vata nuk u kap në atë moment, por brenda automjetit policia gjeti disa qese me kokainë dhe targa automjetesh.
Ndërkohë më 30 prill, ai u përfshi në një tjetër ndjekje policore, këtë herë në Cambridge, ku po lëvizte me një makinë të vjedhur.Gjatë arratisjes, Vata ndaloi për të lënë një pasagjer dhe më pas vazhdoi deri në Clara Rackham Street. Atje braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Sipas policisë britanike, gjatë largimit ai hodhi në një shkurre një pako me kokainë. Arratisja përfundoi kur efektivët e gjetën të fshehur në oborrin e pasmë të një banese në Cambridge. Në xhepat e tij iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u sekuestruan edhe targa të tjera. Testet treguan gjithashtu se Vata kishte drejtuar automjetin nën efektin e drogës. Më 25 shtator 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi Vatën me pesë vite burg, po pavarësisht dënimit Vata ishte në Shqipëri. Rrethanat e lirimit të tij nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.
Sipas BBC, ai kishte pranuar më herët fajësinë për dy akuza për posedim të drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.




