Durrës– Tetë muaj ka zgjatur arratia e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim që prej muajit dhjetor nga SPAK-u për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Biznesmeni Agasi u arrestua pasditen e sotme në zonën e Plepave në Durrës, teksa lëvizte me makinë. Siç sqarojnë burime për Report Tv, biznesmeni Agasi ka qenë nën vëzhgim nga Policia që nga Elbasani, teksa po udhëtonte në drejtim të qytetit bregdetar.
Operacioni është zhvilluar nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK-un, të cilët e kishin pikasur mjetin me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit. Një grup me blutë e Durrësit dhe forcat operacionale e kanë ndjekur mjetin nga pas, deri në zonën e Plepave në Durrës, nga ku kanë ndërhyrë për ta vënë në pranga.
Mësohet se Agasi është kapur në makinë me Uljan Shpatarakun, ish-polici i shpallur në kërkim, që njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Agasi ka qenë pasagjer në automjet, ndërkohë në pranga është vënë edhe Shpataraku.
” Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The Wanted”.Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK-u. Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar E. A” thuhet në njoftimin e policisë.

Ergys Agasi me pranga në duar në makinën e Policisë
Agasi, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë. Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Biznesmenit Ergys Agasi iu sekuestruan në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.
Vetëm në Tiranë i janë sekuestruar 7 pasuri të llojit pyll dhe ndërtesave 1 dhe 2 katëshe në zonën e Petrelës, një pasuri e llojit truall në Lundër, si dhe 6 partamente dhe 7 garazhe. Ergys Agasit i janë sekuestruar gjithashtu edhe disa pasuri në Durrës, mes të cilave sipërfaqe truall, një ndërtesë dhe një apartament.
Po ashtu, atij i janë sekuestruar edhe një tjetër truall dhe ndërtesë në bregdetin e Vlorës, në Gjilekë, një automjet Land Rover Defender 2023 si dhe tre llogari bankare. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e “Equos Resort”.
Si pjesë e dosjes së AKSHI-t, veç Agasit kanë qenë edhe disa emra të tjerë, përfshi Ermal Beqirin, i cili u arrestua pak kohë më parë në Francë, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.
Po ashtu, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj u vendos nën masën e “arrestit shtëpisë”, ndërsa ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t Hava Delibashi u la në ‘detyrim paraqitje’ për shkak të shtatzënisë.
Agasi dhe Beqiraj, akuzohen gjithashtu se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
U arrestua bashkë me ish-policin Shpataraku në Durrës, çfarë u gjet brenda makinës me të cilën po udhëtonte Ergys Agasi

Në momentin e arrestimit të Ergys Agasit dhe ish-policit Uljan Shpataraku, brenda makinës i gjet një kuti e kuqe, një çantë dhe një celular në pjesën e vendit te këmbët e pasagjerit.
Report Tv siguron foton, ja momenti I arrestimit të Ergys Agasit! Më pranga në duar në makinën e Policisë

Report Tv siguron foton e Ergys Agasit me pranga në duar në makinën e policisë pas arrestimit
I rrethuar nga ‘Shqiponjat’, momenti kur Ergys Agasi mbërrin në Policinë e Tiranës (VIDEO)
Report Tv ka siguruar pamjet nga momenti kur Ergys Agasi mbërrin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Nga pamjet duket se Agasi, me pranga në duar, shoqërohet nga disa efektivë të forcave Shqiponja.
Agjentet e BKH kanë mbërritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të ekzekutuar masën e sigurisë për Ergys Agasin.
40 km ndjekje nga Elbasani në Durrës, si u kap Ergys Agasi pas 8 muajsh arrati

Një operacion i SPAK-ut dhe Policisë së Durrësit çoi në pranga Ergys Agasin, biznesmenin e shpallur në kërkim prej 8 muajsh për llogari të SPAK-ut, për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip Audi luksoz, nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, aty ku ka edhe vendbanimin.
Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin pikasur makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe, siç thonë burimet për Report Tv, e kanë ndjekur atë për të paktën 40 kilometra, deri në zonën e Plepave në Durrës. Aty u ndërhy për arrestimin e tij, ndërsa në makinë ndodhej po ashtu edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
Me shapka dhe orë sportive, momenti i arrestimit të Ergys Agasit teksa po lëvizte me ‘Audin’ luksoz në Durrës (VIDEO)
Policia ka publikuar pamjet nga arrestimi i Ergys Agasit dhe ish-Policit Uljan Shpataraku në zonën e Plepave në Durrës.
Nga pamjet duket se Agasi dhe Shpataraku kanë qenë duke qarkulluar me një makinë luksoze tip ‘Audi’.
Në momentin e arrestimit Agasi ka qenë me shapka, tuta të shkurtra dhe me bluzë të bardhë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Agasi duket se ka qenë me flokë të prera shkurt, tjetër model nga imazhi publik që ai kishte pasur.
Teksa shfaqet me prangat e Policisë në duar, vihet re që Agasi ka edhe një orë sportive të bardhë në dorë.
Policia konfirmon arrestimin e Ergys Agasit në Durrës! Në pranga edhe Uljan Shpataraku! Ish-polici i shpallur kërkim pasi kërcënoi me jetë stafin e hotelit në Dhërmi

Policia ka konfirmuar arrestimin në Durrës të Ergys Agasit, i cili ishte i shpallur në kërkim për abuzimet me tenderat e AKSHI-t.
Përmes një njoftimi, Policia konfirmoi se ai u prangos në kuadër të operacionit të koduar ‘The Wanted’, bashkë me ish-policin e shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
Në pranga u vendos edhe Shpataraku, ndërkohë Policia njofton se operacioni u organizua bashkë me në bashkëpunim me SPAK dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Shpataraku u shpall në kërkim në 6 gusht të këtij viti, pasi teksa ka qenë me pushime në një hotel në Dhërmi, dyshohet se ka kërcënuar me jetë kamarierin dhe administratorin, pasi nuk i kishte pëlqyer ushqimi.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “The Wanted”
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The Wanted”.
Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK-u.
Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh., i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar E. A.
U arrestua në Durrës, Ergys Agasi lëvizte me automjet bashkë me ish-policin e shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku! I besuari i Ilir Prodës

Ergys Agasi u arrestua ditën e sotme në zonën e Plepave në Durrës, teksa ishte duke udhëtuar me automjet, sëbashku me ish-policin e shpallur në kërkim Uljan Shpataraku, i cili njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Shpataraku u shpall në kërkim në 6 gusht të këtij viti, pasi teksa ka qenë me pushime në një hotel në Dhërmi, dyshohet se ka kërcënuar me jetë kamarierin dhe administratorin, pasi nuk i kishte pëlqyer ushqimi.
Stafi i hotelit ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Himarës ku blutë kanë shpallur në kërkim ish-zyrtarin e policisë.
Në maj, Skënder Hita e përjashtoi Shpatarakun nga radhët e Policisë për mosparaqitje në detyrë. Ai mbante detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




