Në një intervistë për News24, aktivisti shqiptar në Londër, Artan Daci, ka komentuar situatën politike dhe zhvillimin e protestave antiqeveritare kundër kabinetit të Edi Ramës, të cilat vijojnë prej më shumë se tre muajsh në kryeqytet.
Daci nënvizoi se reagimi qytetar ka arritur një pikë kthese, ndërsa njoftoi se emigrantët po organizohen për t’u bashkuar fizikisht me lëvizjen në shesh përmes një aksioni masiv.
“Shqiptarët janë ndërgjegjësuar, u ka dalë frika. Diaspora do të bashkohet sërish me protestën në Tiranë. Do të jetë një autokolonë që do të vijë në Shqipëri për t’u bashkuar me revoltën më 12 shtator. Ne do t’i japim fund këtij sistemi të korruptuar. Rama nuk e jep dorëheqjen aq lehtë, por sa më shumë të bashkohemi ne, aq më të vështirë e ka ai të qëndrojë,” – deklaroi Daci.
Më tej, aktivisti zbuloi se organizatorët dhe grupimet mbështetëse po punojnë për të ndryshuar formën e reagimit popullor, përtej grumbullimeve të zakonshme të mbrëmjes përballë zyrës së kryeministrit.
“Po punojmë që protesta të ketë një rrjedhje tjetër dhe jo vetëm duke protestuar në mbrëmje para Kryeministrisë. Këto detaje janë ende duke u diskutuar. Protesta nuk mund të vijojë vetëm me një mënyrë. Ka ardhur koha që kjo të ndodhë,” përfundoi ai.




