Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me audiopërgjimin ku, sipas tij, dëgjohet biznesmeni Ron Yeffet duke diskutuar për një plan të trafikut të armëve dhe për mënyrën e shmangies së Ambasadës Amerikane.
Bardhi akuzon kryeministrin Edi Rama se prej dy ditësh hesht për audiopërgjimin, ndërsa ngre pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes qeverisë dhe biznesmenit.
Sipas Bardhit, në audiopërgjim diskutohet për sjelljen e armëve nga Afrika, paketimin e tyre në Shqipëri dhe dërgimin në vende të ndryshme të botës.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Sa herë ka një skandal që e përfshin drejtpërdrejt, Edi Rama hesht. Prej dy ditësh hesht për audiopërgjimin ku miku i tij, Ron Yeffet, flet si i zgjedhur nga qeveria për të bërë punët e saj të këqija. Në audiopërgjim, Ron Yeffet diskuton planin për sjelljen e armëve nga Afrika, nga zona në konflikt, për t’u paketuar në Shqipëri e për t’u dërguar nëpër botë, por Edi Rama hesht. Ai hesht edhe pasi është dëgjuar qartë si kristali plani i mikut të tij për të mashtruar Ambasadën Amerikane.
Edi Rama nuk po hesht thjesht për një mik. Ai i dhuroi Ron Yeffetit industrinë e armëve dhe e bëri ortak me kompaninë shtetërore Kayo, të krijuar posaçërisht për këtë biznes. Vetëm në 8 muaj, kompania e mikut të kryeministrit, ortake në biznes me qeverinë, ka përfituar 26 milionë euro nga paratë publike. Kaq duhet të mjaftonte që kryeministri të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në çfarë pazaresh armësh, për të cilat duhej shmangur SHBA, është futur miku i tij.
Çfarë autorizimi ka Ron Jefeti për të vepruar në emër të Shqipërisë dhe kush mban përgjegjësi për marrëveshjet që ai ka bërë? Dhe, nëse s’ka autorizim shtetëror për të bërë punët e këqija të qeverisë në afera armësh, pse ai vazhdon të ketë akoma kontratë që e rrit dhe Edi Rama nuk kërkon anulimin e saj të menjëhershëm? Pas sekuestrimit të audiopërgjimit në Syri TV, SPAK duhet të hetojë ME SHPEJTËSI këtë skandal për të cilin kryeministri hesht, por që rrezikon të hedhë në erë interesa të rëndësishme të Shqipërisë. Është detyrim i SPAK të mos e zvarrisë edhe këtë çështje si çdo dosje tjetër që përfshin Ramën, vëllanë e tij apo këdo që atij i rrezikon pushtetin.


