Një tjetër operacion për goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike është finalizuar në Korçë, duke çuar në arrestimin e një personi dhe procedimin në gjendje të lirë të një tjetri.
Sipas informacioneve, mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet me dy persona. Gjatë ndjekjes, pasagjeri ka hedhur një qese që dyshohet se përmbante lëndë narkotike cannabis sativa.
Gjatë kontrollit, 31-vjeçarit E.B., banues në Vlorë, i është gjetur edhe një thikë që e mbante në trup.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, E.S., banues në Korçë, nuk u ka ndaluar forcave të Policisë, të cilat e kanë ndjekur mjetin. Pas kontrollit, uniformat blu kanë konstatuar lëndën narkotike dhe armën e ftohtë.
Në vijim të veprimeve, strukturat e hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kanë bërë arrestimin e 31-vjeçarit E.B., ndërsa drejtuesi i mjetit, E.S., është proceduar në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.




