Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e thirrur më 10 shtator 2026 për shkak të bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, ka miratuar një deklaratë zyrtare ku kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të listëpagesave dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në deklaratën e miratuar, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve thekson se situata e krijuar prek autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Deklarata bën me dije se bllokimi i pagave ka prekur njëkohësisht sekretarët gjyqësorë, kancelarët dhe nëpunësit e tjerë të gjykatave. Sa i përket buxhetit të shtetit, gjyqtarët shprehen se mungesa e planifikimit apo nevoja për rishpërndarje fondesh nuk mund ta kthejë një detyrim kushtetues në fakultativ, pasi buxheti duhet të mundësojë zbatimin e Kushtetutës.
Deklarata përfundon me paralajmërimin se, nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë menjëherë për ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente.




