Aktivisti Mirjan Aliaj ka marrë fjalën në protestën e 109-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke bërë thirrje për largimin e kreut të qeverisë dhe shfuqizimin e disa ligjeve të miratuara nga mazhoranca.
Aliaj tha se, pavarësisht se protesta zhvillohet në një ditë që e cilësoi si ditë dhimbjeje, ajo duhet të shërbejë si një moment për të shtuar vendosmërinë.
Aktivisti kërkoi shfuqizimin e ligjeve për investitorët strategjikë, të ashtuquajturës “Paketa e Maleve” dhe ligjeve që, sipas tij, nuk mbrojnë zonat e mbrojtura.
“Sot pavarësisht se është një ditë dhimbje ne duhet ta kthejmë në forcë. Duhet ta kuptojmë se ligjet që Rama lobonte në 2015 të miratoheshin në Kuvendin e Kosovës, janë njësoj si ligjet që ky miraton në Kuvendin e Shqipërisë. Rama duhet të largohet dhe të shfuqizohen ligjet për investitorët strategjikë, paketa e male, ligjet që nuk mbrojnë zonat e mbrojtura. Sepse këto ligje kanë për ta shitur Shqipërinë. Ne duhet të jemi më të vendosur dhe të këmbëngulim në dorëheqjen e Ramës. Rama e ka shprehur dëshirën e tij për të ngelur në histori, dhe sot e them me plot gojën se Rama është futur në historinë e kombit shqiptar dhe emri i tij është krah për krah me Esat pashë Toptanit. Edi Rama është Esati i ditëve të sotme”, tha ai.




