Vlora Hyseni ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Ergys Agasin edhe gjatë kohës që ai ka qenë person në kërkim. Sipas burimeve të gazetares Keti Banushi, ajo është marrë në pyetje nga SPAK 5 ditë më parë, jo për herë të parë, në cilësinë e personit që ka dijeni dhe e ka pranuar që ka pasur komunikim me Ergys Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Sipas pretendimit të Hysenit, SHISH gjithmonë punon me bashkëpunëtorë. Telefoni i sekuestruar i Ergys Agasit ka me qindra thirrje mes drejtueses së SHISH dhe Ergys Agasit, madje edhe foto e video që nuk janë në cilësinë e bashkëpunëtorit, që sipas SPAK janë më shumë se këto. Ajo ka pranuar që ka pasur vetëm komunikime telefonike dhe jo takime fizike, por prokuroria dyshon për të kundërtën.
Dyshohet edhe se Ergys Agasit mund t’i jenë vënë nën dispozicion makina të SHISH për lëvizjet e tij brenda vendit.
Mësohet gjithashtu se Prokuroria e Posaçme kishte 10 ditë që e kishte dorëzuar kërkesën për masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit në Gjykatën e Posaçme, është mbajtur nga gjyqtarja që më pas ka vendosur. Gjykata ka qenë e kujdesshme në verifikimin e fakteve dhe më pas e ka miratuar këtë kërkesë.
Hyseni duhet të paraqitet në GJKKO brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit, bashkë me persona të tjerë që janë nën masë sigurie dhe të japë më shumë sqarime për çështjet dhe akuzat e ngritura nga SPAK.
Kryekamerieri i lokalit pranë vilave qeveritare në Durrës, Embro Sulejmani, ku Agasi shpesh drekonte me familjen e tij, ka pohuar se komunikimet me biznesmenin kanë qenë për porositë e ushqimeve që ai i dërgonte ose kamerieri që i shërbente në lokal.
Sa i takon përkrahjes, thotë se nuk e njihte si person në kërkim. Ndërkohë prokuroria pretendon se Sulejmani ka qenë personi që ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë pas arrestimit të Agasit.
Lajm në përditësim…
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Ekskluzive/ Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni komunikonin në Signal, SPAK: Biznesmeni nuk ishte bashkëpunëtor, merrte dhe diktonte informacionin që i duhej

Report Tv ka siguruar të dhëna ekskluzive nga hetimet për Ergys Agasin dhe drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni. Kjo e fundit ka pretenduar se Agasi ishte bashkëpunëtor i saj dhe se kishte komunikime të vazhdueshme me të të përmes celularit, por ndryshe thotë akuza.
Në provat që SPAK ka depozituar në Gjykatë për kërkesën për të caktuar masë sigurisë, thotë se Ergys Agasi nuk kishte vetëm rolin e bashkëpunëtorit, por merrte dhe i diktonte kreut të SHISH informacionin që i duhej.
Siç bëjnë me dije burime për Report Tv, Agasi dhe Hyseni komunikonin përmes aplikacionit “Signal”. SPAK thote se “për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit”
EKSKLUZIVE/ Vlora Hyseni njoftonte Ergys Agasin për takimet me Ramën, ndante informacione për emërime të mundshme politike

Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije se Vlora Hyseni e njoftonte Ergys Agasin edhe për takimet e punës me Kryeministrin dhe Drejtorin e Policisë, si dhe ndante edhe informacione për emërime të mundshme politike.
Ekskluzive/ SPAK e pyeti për materialet sekrete në makinën e Agasit, Hyseni kapet ngushtë: Përgjigjen ua jap me shkrim
Burime ekskluzive për Report Tv thonë se drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni u mor në pyetje nga SPAK më 18 shtator, pasi në makinën e biznesmenit Ergys Agasi u gjetën 9 faqe wordi me të dhëna sekrete të SHISH. Të njëjtat burime thonë se para prokurorëve të Posaçëm, Vlora Hyseni ka pranuar se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me me Ergys Agasin deri ditën e arrestimi, duke pretenduar se ai ka qenë bashkëpunëtor i SHISH. Vlora Hyseni tha në SPAK se për diagramat e SHISH të gjetura në makinën e Agasit do kthente përgjigje me shkrim.
EKSKLUZIVE/ Kreut i SHISH mesazh Agasit: Zemër, duhet të koncentrohemi te halli jot, do të përfundojmë keq! Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt

Burime ekskluzive për Report Tv kanë zbuluar mesazhe midis Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, për të cilat SPAK thotë se kanë natyrë të ndryshme nga ajo që ish-drejtoresha e SHISH ka pretenduar se bëheshin në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Në një mesazh Vlora Hyseni i thoshte Ergys Agasit “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, thonë burime ekskluzive për Report Tv.
Në një mesazh 4 ditë para arrestimit Vlora Hyseni i shkruante Ergys Agasit: “Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”
EKSKLUZIVE/ SPAK gjeti 9 faqe me të dhëna sekrete të SHISH në makinën e Agasit, biznesmeni e pranoi: I lash me qëllim që t’i gjente Prokuroria

Report Tv mëson detaje të reja pas arrestimit të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije se SPAK ka gjetur në makinën e Ergys Agasit, 9 faqe word me diagrame (dokumente sekrete) të SHISH, gjatë kontrolleve që u ushtruan në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Biznesmeni i arretsuar për abuzimet me tenderët e AKSHI-t mësohet se në seancë e ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij dhe se i kishte lënë me qëllim që t’i gjente SPAK aty.
EKSKLUZIVE/ Mbi 100 telefonata dhe mesazhe mes Hysenit dhe Agasit, komunikime të përditshme, telefonata me videocall dhe shkëmbim imazhesh

Ndryshe nga pretendimet e Vlora Hysenit se komunikimet me Ergys Agasin kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit, SPAK thotë se komunikimi i tyre ishte i përditshëm, i tejzgjatur në kohë, telefonata me videocall dhe dërgim fotosh e videosh, konfirmojnë burime ekskluzive për Report Tv.
Sipas burimeve, nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur u arrestua Agasi, ka pasur më shumë se 100 telefonata mes tyre dhe qindra mesazhe, për të cilat SPAK thotë se nuk kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit.




