TIRANË– Nëntë faqe me të dhëna sekrete u gjetën në makinën e biznesmenit Ergys Agasit, ndërsa SPAK dyshon se materialet kanë dalë nga SHISH. Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtori i SHISH në Elbasan, Xhavit Shala, thotë për Report Tv se hetimi duhet të zbulojë nivelin e informacionit që ka rrjedhur dhe si ka përfunduar deri te Agasi. Ai shpjegon se çfarë përmbajnë zakonisht diagrame të tilla si ato që u gjetën në makinën e Agasit.
Xhavit Shala: I janë gjetur dokumente që janë me orgjinë nga SHISH, është një problem që lidhet me sigurinë e atij institucioni. Mund të përmbajë, foto, kontakte, screenshot. Nuk ka një informacion të saktë dhe nuk kemi pse të hipotezojmë më tepër se ka rrjedhur në media. Ajo i përket hetimet ta sqarojë. Nuk e dimë nivelin e klasifikimit çdo material është sekret, vetëm njoftimet zyrtare nuk janë të klasifikuara.
Nertil Agalliu:A mund të ekspozohen emra aty, psh të agjentit të shërbimit sekret?
Xhavit Shala:As që bëhet fjalë në atë shkallë. Agjentët e shërbimit nuk dalin nëpër diagrama. Nuk mund të arrijë dot një person, ose ti nxjerrë një institucion. Dolën në rastin e sulmit kibernetik nga Irani. U bashkëpunua me partnerët dhe ai problem u quajt i mbyllur. Por që shërbimet iraniane përmes hakërrimit, arritën të marrin të dhëna, por kjo nuk është e asaj shkalle. Diagrama mund të përmbajë çdo gjë, që nga fotot, deri te materiale të ndryshme, por s’mund të jenë emra, se emrat e informatorëve nuk dalin me lista. Hetimi duhet të nxjerrë, cili është niveli i informacionit që ka kaluar te Agasi, informacion që Agasi të ketë kujdes, apo informacione të tjera për grupe kriminale.
Shala ndalet edhe te pretendimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, se Agasin e kishte rekrutuar si informator, ndonëse SPAK e ka cilësuar këtë një alibi dhe thotë se biznesmeni diktonte dhe merrte informacionet që i duheshin. Shala shpjegon se kreu i SHISH nuk mund të mbajë kontakte drejtpërdrejtë me informatorë. Por ai thekson se, edhe nëse merret i mirëqenë një pretendim i tillë, SPAK e ka shumë të lehtë të verifikojë nëse Agasi ka qenë bashkëpunëtor i SHISH. Çdo informator duhet të regjistrohet sipas një procedure, që përfshin kodin, dosjen, detyrat e dhëna, raportet e marra dhe pagesat.
Nertil Agalliu: A i lejohet shefit të kishte një bashkëpunëtor te shërbimit duke ditur qe ishte ne kërkim, dhe kujt duhet t’ia komunikonte?
Shala: Nuk ka asnjë mundësie, që shefja e shërbimit të mbajë lidhje me informatorë apo bashkëpunëtorë direkt. Nuk është në stilin e asnjë shërbimi. Rreth 50-60 vjet më parë Kadri hazbiu ka pas mbajt informator vetë, kjo situatë është komplet tjetër. Edhe sikur ta mendojmë se kjo alibie zonjës Hyseni qëndron, kjo është shumë e thjeshtë për tu verifikuar. Bashkëpunëtori ka një kod, regjistrim, dosje, detyra të dhëna, raporte të marra, pagesa. Janë gjëra të verfikueshme, ligji penal shqiptar e ndalon prokurorinë dhe gjykatën që të kërkojnë nxjerrjen emrave të informatorëve. Por përderisa ajo e ka nxjerrë, SPAK ka të drejtë të bëjë verifikimet, të bllokojë kartelat, dosje, çdo informacion që ka dhënë ku “bashkëpunëtor”, detyrat që i janë dhënë. Është një pretendim për të justifikuar kontaktin. Puna me bashkëpunëtorët nuk është punë private, është punë shtetërore dhe ka rregulla për administrimin të informacionit, të dhënave të personit, për regjistrimin e tij. Nuk mund të themi ne që duam të bëjmë një bashkëpunëtor dhe nuk i tregojmë askujt, nuk mund të rrijë pa u regjistruar si bashkëpunëtor. Ky pretendim verifikohet shumë kollaj.
Me emërimin e drejtuesit të ri, eksperti sugjeron edhe një audit të brendshëm në SHISH për të përcaktuar çfarë informacioni ka rrjedhur, nga cilat kanale dhe nëse bëhet fjalë edhe për të dhëna të ardhura nga shërbimet partnere.
“Është e rëndësishëme një audit i brendshëm i SHISH. Duhet të nisë për të përcaktuar cili është niveli i informacionit që ka rrjedhur, ca nivel sigurie kanë këto informacione. Janë produkt i inteligjencës vendore apo janë produkt i inteligjencës së vendeve partnere. Kush është përgjegjës, në cilat kanale kanë rrjedhur. Vetëm atëherë mund të themi që shkalla e dëmit në fushën e sigurisë ka qenë kaq apo aq”, tha Shala në “Sot Live në Shqipëri“.
Shala thotë se as kreu i SHISH nuk është jashtë kontrollit. Brenda Shërbimit ka struktura sigurie dhe inspektimi, ndërsa kontroll ushtrohet edhe nga Kuvendi. Sipas tij, auditi duhet të tregojë nëse këto mekanizma kanë funksionuar dhe cili është dëmi i mundshëm për sigurinë kombëtare.
“Nuk është i pavarur, nuk ka asnjë institucion që të jetë i pakontrollueshëm. SHISH ka një departament që është departamenti i sigurisë. Në SHISH ka edhe një strukturë tjetër që është Inspektori i përgjithshëm, dhe ia merret me inspektime brenda SHISH. Pastaj ka kontroll parlamentar nga komisionet e sigurisë, nga Kuvendi. Mekanizmat e kontrollit të vetë SHISH, duhet të jenë të tilla që sado nivel i lartë të jetë autoriteti që ka akses në informacione, ai të mos arrijë ta dëmtojë sigurinë e vendit pa u pikasur nga kontrolli i brendshëm. Nëse ky mekanizëm nuk funksion, atëherë është çështje e sigurisë kombëtare, duhen bërë ndryshme, protokolle etj”, shprehet eksperti Shala.
Përpara emërimit, kreu i SHISH i nënshtrohet verifikimeve të thelluara nga strukturat shtetërore dhe, sipas Shalës, edhe me shërbimet partnere. Kandidatura propozohet nga Kryeministri dhe i paraqitet Presidentit, i cili bën vlerësimet e tij përpara dekretimit.
“Nuk merret askush nga rruga dhe bëhet shef shërbimi, ka rregulla edhe për specialistin e thjeshtë. Pasi i plotëson të gjitha kriteret bëhet një verifikim i thelluar i personalitetit të tij. Për t’u caktuar shefi i këtij shërbimi, bëhen të gjitha verifikimet. Kryeministri do bëjë të gjitha verifikimet në strukturat që ka shteti shqiptar. Kryeministri ia paraqet Presidentit, do bësh verifikim edhe me shërbimet partnere. Do bësh verifikim të thelluar që mos të ketë dritëhije nesër. Presidenti ka obligimin e vet të bëjë verifikime të thelluara dhe mund të bëjë vlerësimin e tij. Kontrata me shtetin është dekreti”, thekson eksperti.
Drejtuesi i SHISH duhet gjithashtu të pajiset me certifikatë sigurie “Tepër Sekret” dhe certifikatë për informacionin e klasifikuar të NATO-s, të cilat sipas Shalës rinovohen periodikisht, ndërsa në rast dyshimesh mund të kryhen verifikime të tjera.


