Regjisori dhe pedagogu Joni Shanaj ka folur me tone të forta për protestën dhe situatën politike në vend, duke deklaruar se ndryshimi që kërkohet nuk duhet të lidhet vetëm me emrat e Sali Berishës apo Edi Ramës, por me mënyrën se si funksionon pushteti. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Shanaj tha se protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit janë një shenjë e një shoqërie që kërkon ndryshim dhe një tjetër mënyrë qeverisjeje.
“Unë nuk dua ta fokusoj problemin vetëm te Berisha apo te Rama. Nuk është kjo çështja. Të dy janë njerëz që kanë pasur vizion dhe aftësi në rrugëtimin e tyre politik”, u shpreh ai. Por Shanaj shtoi se problemi, sipas tij, qëndron te njerëzit dhe strukturat që krijohen rreth pushtetit. “Rreziku vjen nga të paaftët që krijojnë rrjete të rrezikshme. Dhe këto rrjete bëhen mënyrë administrimi”, deklaroi regjisori.
Ai tha se edhe mënyra e trajtimit të kundërshtarëve politikë është një problem që e ka shoqëruar politikën shqiptare. “Eliminimi i kundërshtarit politik është përdorur si metodë. Dhe kjo është diçka që duhet të ndryshojë”, tha Shanaj. Duke folur për protestën, regjisori e cilësoi atë si një proces që ka tejçuar një mesazh të rëndësishëm dhe vlerësoi veçanërisht pjesëmarrjen e të rinjve. “Protesta e ka bërë punën e saj. Ka njerëz që kanë mbajtur gjallë shpirtin e fillimit dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Shanaj u shpreh se Shqipëria ka ndryshuar dhe se brezat e rinj kanë kërkesa të tjera për dinjitetin, individualitetin dhe mënyrën se si duan të jetojnë.
“Shoqëria ka avancuar. Brezat e rinj kanë një tjetër kërkesë për dinjitetin, për individualitetin, për zgjedhjen e tyre. Nuk mund t’u kërkosh të jetojnë me të njëjtat modele që kanë funksionuar dikur”, deklaroi regjisori. Në të njëjtën kohë, Shanaj kritikoi edhe elementët që, sipas tij, kanë tentuar ta devijojnë protestën nga qëllimi fillestar, duke bërë thirrje që të ruhet karakteri qytetar i saj. Ai e lidhi këtë zhvillim me nevojën për një ndryshim më të gjerë në shoqëri, duke argumentuar se një “revolucion” nuk mund të vijë vetëm nga politika, por duhet të nisë edhe nga vetë qytetarët. “Revolucioni duhet të nisë nga shoqëria vetë. Ne kemi nevojë për një Shqipëri tjetër”, u shpreh Joni Shanaj.




