Hetimet e SPAK për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike kanë çuar në dy masa të reja sigurie, pas zbërthimit të komunikimeve në SKY. Bledar Cafi u arrestua mëngjesin e sotëm në Shkodër, ndërsa Indrit Dokle, anëtar i bandës së Durrësit, i shpëtoi operacionit të Policisë dhe BKH-së dhe vijon të jetë në kërkim.
Operacioni “Muri i Lartë” është vijim i hetimeve të mëparshme të SPAK, në kuadër të të cilave janë lëshuar më herët 15 masa sigurie, mes tyre edhe për disa anëtarë të fisit Rraja.
Krahas masave të sigurisë, Gjykata ka miratuar edhe kontrolle në banesa, objekte dhe ambiente të tjera. Cafi u kap në banesën e tij në Shkodër.
Njoftim i policisë së shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”.
Read more:Thirrjet e qytetarëve: Edi Rama frikacak, po të vjen radha për në SPAK
Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.
Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim….
U arrestua me urdhër të SPAK, kush është Bledar Cafi, i dënuar në Itali për trafik droge

Bledar Cafi, 50 vjeç, i konsideruar nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u arrestua me urdhër të SPAK, pasi akuzohet si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Cafi rezulton person me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe është dënuar më herët në Itali për trafik narkotikësh.
Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes e dënoi Cafin me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe më 25 janar 2021 në Shkodër nga policia shqiptare me qëllim ekstradimin drejt Italisë për të vijuar vuajtjen e dënimit.
Në kërkim nga SPAK, kush është ish-anëtari i bandës së Durrësit Indrit Dokle! Planet e Ervis Martinajt për ta eliminuar

Për herë të parë, SPAK lëshon urdhërarrest për ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Me urdhër të SPAK u ushtruan kontrolle në disa ambiente në pronësi të Dokles, por ai nuk është gjetur. Për herë të parë emri i tij del në një dosje të SPAK si person i akuzuar për përfshirje në një grup që trafikonte drogë.
Deri më tani, emri i Dokles ishte shfaqur në dosjet e SPAK kryesisht si objektiv i planeve për eliminimin e tij. Në dosjen “Plumbi i Artë”, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka dëshmuar se Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit 2022, i kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e Dokles, nga të cilat pretendonte se kishte marrë 100 mijë euro parapagim.
Read more:“Arrestoni Ramën dhe Ballukun”/ Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit
Pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022, Dokle u mor në pyetje nga hetuesit. Familjarët e Martinajt kishin kërkuar të hetohej edhe pista e një hakmarrjeje të mundshme nga Dokle, nisur nga pretendimi i Dumanit se Martinaj kishte porositur vrasjen e tij.
Emri i Dokles doli edhe në një tjetër procedim të SPAK. Më 2 qershor 2026, GJKKO dënoi Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën për sigurimin e kushteve për vrasjen e tij, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Indrit Dokle ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krimet e kryera kur ishte pjesë e Bandës së Durrësit, por në janar 2020 fitoi lirinë me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Ajo i shuajti dënimin e përjetshëm duke e konvertuar në 25 vite burg dhe më pas e liroi me kusht, duke i kaluar 5 vitet e mbetura në shërbim prove. Dokle kishte qëndruar në qeli që prej vitit 2005. Prokuroria e Krujës e ankimoi vendimin, duke argumentuar se Dokle është një përsëritës krimesh dhe nuk plotësonte kushtet ligjore për lirimin me kusht, por kërkesa është ende në Apel dhe nuk është caktuar ende data për shqyrtimin e saj.




