Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka reaguar pas anulimit që Edi Rama i bëri konferencës së jashtëzakonshme për shtyp.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Spahia shkruan se, teatri i Ramës mori fund dhe i vetmi akt i ngelur është dorëheqje.
Reagimi i plotë:
Përsëri e njëjta shfaqje e neveritshme, del para kamerave dhe deklaron me arrogancë se ‘nuk mban përgjegjësi për askënd’, ndërkohë që çdo tender, çdo aferë dhe çdo bashkëpunëtor i tij i zhytur në llumin e krimit mban vulën dhe bekimin e këtij pushteti!
Si mund të jesh kreu i një regjimi ku gjysma e kupolës është para drejtësisë apo në burg, dhe ti të hiqesh sikur sapo ke zbritur nga qielli? Kur ndahen paratë dhe koncesionet, merita është e ‘liderit suprem’; kur plasin prangat, përgjegjësia papritur bëhet ‘individuale’. Kjo nuk është qeverisje, është pafytyrësi politike.
Asnjë monolog patetik, asnjë mashtrim me fjalë të kota dhe asnjë konferencë propagande nuk e mbulon dot më kalbëzimin e kësaj piramide.
Koha e justifikimeve ka marrë fund. I vetmi akt minimal shpëtimi për vendin dhe hapja e rrugës për drejtësinë e vërtetë është DORËHEQJA E MENJËHERSHME!
Boll më me cirk e përralla. Koha e llogaridhënies ka ardhur!
Read more:Rama kthehet sot nga SHBA-të, mban konferencë në Rinas




