TIRANË– Pak para se seanca gjyqësore të çelej, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shfaqej në kushte të vështira, teksa përpiqet të komunikojë me avokatin e tij, nga kafazi i të pandehurit. Për herë të dytë, pasi së pari u refuzua në seancë paraprake, Beqaj i kërkoi togave të zeza, të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë.
Trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesja Rudina Palloi dhe gjyqtarët Irena Gjoka dhe Erion Çela, vendosi ta pranojë këtë kërkesë, dhe në seancën e ardhshme ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të qëndrojë jashtë kafazit, i ulur pranë avokatit të tij.
Gjykata argumentoi vendimin duke marrë në konsideratë disa faktorë, faktin që në këtë proces Ilir Beqaj është i vetmi i pandehur, sjelljen e tij gjatë seancave, si dhe rrethanën që ai po gjykohet pa masë sigurie “arrest në burg” për këtë çështjen e koncensionit të sterilizimit.
Për ta zbatuar këtë vendim, Gjykata tha se do të njoftohet edhe Drejtoria e Burgjeve që efektivët e saj të mos e shoqërojnë brenda kafazit, por jashtë tij, në sallë.
Edhe prokurori Edvin Kondilli u shpreh se nuk ka kundërshtim për këtë vendim, duke theksuar se masa e arrestit me burg ndaj ish-ministriy Beqaj nuk është për këtë proces, por lidhet me një tjetër procedim penal, atë për abuzim me fondet e Bashkimit Europian.
“I pandehuri Ilir Beqaj hetohen nën efektin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Paraqitja e të pandehurit në kushtet e izolimit vjen për shkak të një mase tjetër, që është në funksion të një çështje tjetër penale. Në këtë kontekst, ne nuk kemi asnjë kundërshtim nëse ai do paraqitej në gjendje jo izolimi. Ndoshta do ishte e nevojshme të njiheshim me vendimin e caktimit të masës “arrest në burg” ndaj Ilir Beqaj”, tha Prokurori Edvin Kondili
Gjatë seancës, ish-ministri paraqiti edhe një qëndrim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me trajtimin e të paraburgosurve në kafaz
Sa i takon vijimit të procesit, avokatët e Beqajt paralajmëruan se në seancën e 21 majit do të kërkojnë pushimin e përsakohë akuza ndaj tij që përfshin edhe grupin e strukturuar kriminal, e sugjeruar nga gjyqtarja në seancë paraprake, nuk është zyrtarizuar nga SPAK, të cilët fillimisht e çuan për shpërdorim detyre. Kjo sipas tyre ka cenuar të drejtën për mbrojtje efektive.
Nëse togat e zeza e rrëzojnë këtë kërkesë, mbrojtja e Beqajt tha se duhet mendimi i Gjykatës Kushtetuese për nenin që i lejon gjykatës të shqyrtojë akuza të formuluara prej saj.
Në dosje e njohur si “Sterilizimi” ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar dhe të dyve i është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Ish-ministri Beqaj reagon pas vendimit të GJKKO: Kafazi i sigurisë pengon mbrojtjen efektive, i akuzuari nuk është spektator që qëndron pas xhamit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Posaçme që ai të mos qëndrojë në kafaz prej xhami gjatë seancave gjyqësore që po zhvillohen ndaj tij.
Beqaj thekson se vendimi i sotëm i GJKKO-së është i drejtë dhe ka një rëndësi që shkon përtej interesit të tij vetijak.
Për Beqajn, siguria në Gjykatë nuk mund të përdoret si arsye automatike për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes, komunikimin me avokatin dhe pjesëmarrjen reale në proces.
Më tej Beqaj shton se qëndrimi i tij apo i të pandehurve të tjerë në kafaz prej xhami gjatë seancave gjyqësore, kufizon mbrojtjen, pasi sipas tij, pengon komunikimin me avokatin. Kujtojmë se Beqaj po përballet në Gjykatën e Posaçme me akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK për ‘Sterilizimin’.
Më poshtë deklarata e plotë e Ilir Beqaj:
Në cilësinë e përfaqësuesit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
Kafazi i sigurisë: (pa)barazia e armëve dhe (mos)mbrojtja efektive
Vendimi i sotëm i Gjykatës që unë, në procedimin penal për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikale, të mos qëndroj në “kafazin e sigurisë” por në sallën e gjyqit, ka një rëndësi që shkon përtej interesit tim vetjak në lidhje me çështjen.
Ky vendim rikujton një parim elementar: atë që në sallën e gjyqit autoriteti vendimmarrës është Gjykata. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe çdo strukturë tjetër sigurie kanë vetëm detyrimin që të zbatojnë vendimet e Gjykatës.
Siguria në gjykatë është e nevojshme. Por siguria nuk mund të përdoret si arsye automatike për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes, komunikimin me avokatin dhe pjesëmarrjen reale në proces.
Deklarimet e disa prokurorëve se qëndrimi në kafaz sigurie “nuk pengon mbrojtjen efektive” bien ndesh me realitetin praktik. Mbrojtja efektive nuk bëhet me leje të avokatit për t’u afruar tek xhami dhe për të komunikuar pak minuta, nuk bëhet me komunikim të ndërprerë, nuk bëhet as me distancë fizike, me pengesa akustike dhe vizuale, apo përmes një dritareje të vogël (60 cm me 20 cm) që nuk mundëson konsultim normal dhe konfidencial.
Pamjet flasin vetë. Komunikimi real mes avokatit dhe të pandehurit ndodh zakonisht para fillimit të seancës ose gjatë pushimeve. Gjatë seancës, çdo ndërhyrje, sqarim apo konsultim i menjëhershëm bëhet i vështirë, i varur nga leja e gjykatës dhe jo nga nevoja e mbrojtjes.
Në një proces penal, i akuzuari nuk është spektator pas xhamit apo pas hekurave. Ai është subjekt procedural. Ka të drejtë të dëgjojë, të kuptojë, të reagojë, të këshillohet me mbrojtësin dhe të marrë pjesë në mënyrë reale në gjykimin që zhvillohet ndaj tij.
Barazia e armëve nuk është formulë teorike. Ajo matet në sallën e gjyqit. A ka mbrojtja mundësi reale të veprojë në të njëjtat kushte procedurale me akuzën? Nëse prokurori komunikon lirshëm me dosjen, kolegët dhe argumentin e tij, ndërsa i akuzuari dhe avokati komunikojnë me pengesa fizike e procedurale, atëherë barazia e armëve cenohet.
Prandaj vendimi i Gjykatës është mëse i drejtë dhe shumë i rëndësishëm. Ai nuk është privilegj. Është zbatim i standardeve të procesit të rregullt ligjor, i së drejtës për mbrojtje efektive dhe i parimit se çdo masë sigurie duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale dhe e motivuar konkretisht.
Siguria nuk mund të jetë fasadë për kufizimin e mbrojtjes. Dhe kafazi nuk duhet të jetë normalitet procedural.




