“Smart City” po shtrihet gradualisht në terren, ndërsa Policia e Shtetit po përdor gjithnjë e më shumë teknologjinë për monitorimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga kontrollet, ku shihen në veprim radarët, dronët dhe makinat inteligjente që po përdoren për garantimin e sigurisë rrugore.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari shkruan se, me rritjen e numrit të turistëve dhe të qarkullimit të mjeteve, rritet edhe përgjegjësia për garantimin e sigurisë në rrugë.
“Pas qytetarëve, aleati më i fortë i policisë është teknologjia. Radarët, dronët dhe makinat inteligjente janë një sy i pagabueshëm dhe i përhershëm mbi trafikun, duke identifikuar shpejtësinë, shkeljet dhe sjelljet që vënë në rrezik qytetarët”, shkruan ministri.
Ai shton se zbatimi i projektit “Smart City” do të sjellë një tjetër nivel të sigurisë rrugore dhe publike në vend.
“Me zbatimin e projektit ‘Smart City’ do të bëjmë një kapërcim epokal për sigurinë rrugore dhe atë publike në tërësi në Shqipëri”, shprehet Lamallari.
Read more:Policia Kufitare shpëton dy persona nga mbytja në Velipojë
Projekti “Smart City” u prezantua në detaje nga ministri në një intervistë për Report Tv më 22 korrik. Ai bëri të ditur se sistemi do të përfshijë më shumë se 5 mijë kamera inteligjente, të vendosura në 873 lokacione operative, në 24 qytete dhe 28 pika të kalimit kufitar.
Sipas Lamallarit, teknologjia nuk do të përdoret vetëm për monitorimin e trafikut. Sistemi do të jetë në gjendje të evidentojë në kohë reale edhe të shtëna me armë, nxjerrjen e armëve të zjarrit apo thikave në ambiente publike, si edhe sjellje të dhunshme, duke ndihmuar ndërhyrjen më të shpejtë të policisë.
Ministri sqaroi gjithashtu se kamerat do të vendosen edhe në 20 shkolla të Tiranës, ku monitorimi do të kryhet në oborre, korridore dhe ambientet e përbashkëta, por jo në klasa. Ai theksoi se pamjet ruhen për 30 ditë dhe administrohen vetëm brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa pas këtij afati fshihen sipas parashikimeve ligjore.
Investimi për projektin është financuar përmes një kontrate huaje me Emiratet e Bashkuara Arabe, me vlerë 118.5 milionë dollarë, ndërsa shtrirja e sistemit në të gjithë vendin pritet të vijojë gjatë 12 muajve të ardhshëm.




