11 vatra vijojnë ende të jenë aktive dhe 5 të tjera janë nën mbikëqyrje, sipas bilancit të 24 orëve të fundit.
Fieri vijon të jetë vatër problematike ku veç angazhimit të 13 automjete zjarrfikëse e 4 autoboteve, po ndërhyhet me një helikopter dhe një avion ‘Air Tractor.’ Në Çërrilë të Mallakastrës një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha, ullishte e shkurre është përfshirë nga flakët.
Në Bardhaj të Shkodrës, janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse, forca të shumta si dhe 1 helikopter. Flakët që vijojnë prej 24 orësh po përhapen në një sipërfaqe pyjore me pisha, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve. Një vatër e zbritur nga kodra është afruar pranë zonës së banuar. Në Tërbun ka një vatër të re zjarri, pas flakëve që përfshinë një sipërfaqe prej 3 mijë hektarësh disa ditë më parë.
Në malin e Dajtit janë angazhuar 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.
Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.
Lajm në përditësim…
Zjarr në Borje të Kukës, era favorizon flakët
Një zjarr ka rënë pak minuta më parë në një sipërfaqe të mbuluar me dëllinja në fshatin Borje, në Shishtavec të Kukësit.
Për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit janë angazhuar banorë të zonës, ndërsa zjarrfikësja e Kukësit është nisur menjëherë.
Sipas banorëve, situata po vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e flakëve dhe rrit rrezikun që zjarri të afrohet drejt banesave.
Iu afrua banesave, shuhet zjarri në Krastë të Elbasanit
Një zjarr ka përfshirë kodrën e Krastës në Elbasan duke iu afruar banesave. Fatmirësisht, zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë duke arritur ta vendosnin në kontroll e më pas e kanë fikur.
Zjarr në Çërrilë të Mallakastrës, flakët përfshijnë pisha, ullishte dhe shkurre
Një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha, ullishte dhe shkurre është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në Çërrilë të Mallakastrës.
Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse të Mallakastrës, efektivë të policisë dhe banorë të zonës, të cilët janë bashkuar në operacionin për neutralizimin e zjarrit. Ndërhyrja po bëhet e vështirë për shkak të terrenit të thyer, ndërsa vatra ndodhet larg zonës së banuar.
Zjarri në Myselim dhe kodrat e Bardhajt në Shkodër, flakët u afrohen banesave! Ndërhyn edhe helikopteri, banorët: Dëm kolosal
Prej më shumë se 24 orësh vijon të jetë aktiv zjarri në zonën e Myselimit dhe në kodrat e Bardhajve, në Shkodër. Flakët po përhapen në një sipërfaqe pyjore me pisha, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen e mjeteve.
Në Bardhaj, ku një vatër e zbritur nga kodra është afruar pranë zonës së banuar. Zef Dushi, banor i zonës, tregon se pranë banesës së tij janë djegur ullinj dhe mjete bujqësore, ndërsa apelon për ndihmë nga institucionet.
“Unë kam shkuar të marr gruan rreth orës 11. Kur vijmë, shohim zjarrfikësen. Kur erdhëm te ura, pamë tymin. Tha gruaja ‘te shtëpia jonë more!’ përhapet me sekonda, ka bërë dëm kolosal, më ka djegur ullinjtë, veglat”, thotë ai.
Një tjetër banor kërkon vijimin e ndërhyrjes nga ajri, duke paralajmëruar se, pa mbështetjen e helikopterit, situata mund të përkeqësohet.
“Është gjithë ky vend, duhet ndërhyrje. Njerëzit s’kanë ç’bëjnë. Erdhi helikopteri e fiku, por ka vazhduar tërë natën. E rrezikshme se i djeg tërë malet, bardhanjorët ndodhen mbrapa malit, kanë shtëpitë”, shprehet banori.
Në terren janë angazhuar forca të shumta tokësore ndërsa vijon edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Forcat operacionale janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, izolimin e vatrave aktive dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Ndërkohë, shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.
Rindezet zjarri në masivin pyjor të Terbunit, dyshohet i qëllimshëm! Zjarrfikësit nisen drejt vatrës së re

Një vatër e re zjarri është shfaqur në masivin pyjor të Terbunit, vetëm pak ditë pasi flakët përfshinë zonën duke djegur rreth 3 mijë hektarë sipërfaqe pyjore. Sipas informacionit paraprak, zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm.
Ngjarja ndodh në një kohë kur Bashkia ka hapur konsultimet për instalimin e parkut eolik në këtë zonë.
Shërbimi zjarrfikës, i angazhuar edhe në vatra të tjera zjarri, është nisur drejt Terbunit për të ndërhyrë dhe për të vënë nën kontroll flakët.
Fier/ Panorama e trishtë pas zjarrit në Levan, kodrat e gjelbra dhe tokat e mbjella kthehen në shkrumb
Kodrat e gjelbëruara të Levanit që mund të shiheshin vetëm pak ditë më parë, pas zjarrit janë veçse sipërfaqe të hirta.
Në videon krahasuese, shihet sesi tokat e mbjella me pemë frutore e ullinj janë shkretuar, ndërsa shtëpitë, për të cilat shumë banorë u përpoqën t’i shpëtonin nga flakët, zbardhin mes panoramës së zymtë.
Në Levan, u dogj një banesë dhe një stallë, por bagëtitë shpëtuan. Megjithatë, ka dëm të konsiderueshëm edhe për blegtorinë.
Sot vatra është ende aktive dhe nuk përjashtohet rreziku i aktivizimit. Në terren ndodhen forca të shumta, si dhe një avion ‘Air Tractor’ e një helikopter.




